Në Parashikimin e tij të fundit Ekonomik, Komisioni Europian (KE) parashikon se ekonomia bullgare do të rritet me 1.7% në vitin 2015.
Në vitin 2016, KE pret që PBB-ja reale e Bullgarisë të rritet me 1.5%, që është më e ulët se rritja ekonomike prej 2.1% parashikuar nga qeveria.
Në vitin 2017, KE-ja parashikon rritje ekonomike prej 2%, e cila do të arrihet kryesisht për shkak të pritshmërive të rritjes në kërkesën e brendshme.
Komisioni vëren se rritja ekonomike bullgare në vitin 2015 është nxitur kryesisht nga eksportet dhe çmimet në rënie të naftës, por faktorët që e mbështesin rritjen, përfshirë ‘absorbimin’ e fondeve të BE-së, pritet të humbasin fuqinë e tyre gjatë vitit të ardhshëm.
Investimet totale në Bullgari pritet të rriten me 0.2% në vitin 2015, por vitin e ardhshëm parashikohet një rënie prej 2.4% përpara rikthimit në 1.7% rritje në vitin 2017.
Punësimi do të regjistrojë një rritje të lehtë prej 0.3% për këtë vit dhe vitin e ardhshëm dhe 0.5% gjatë 2017-s, ndërsa norma e papunësisë në mënyrë të vazhdueshme do të bjerë nga 10.1% në vitin 2015 në 9.4% në vitin 2016 dhe më tej deri në 8.8% në vitin 2017.
KE parashikon një deflacion prej 0.8% në vitin 2015, me inflacionin që pritet të rikthehet në dy vitet e ardhshme, duke arritur nivelet e 0.7% në 2016 dhe 1.1% në vitin 2017.
Suficiti i llogarisë rrjedhëse pritet të ulet në mënyrë të qëndrueshme nga 1.4% në vitin 2015 në 1.3% në vitin 2016 dhe më tej deri në 0.9% në vitin 2017.
Deficiti buxhetor do të bjerë lehtazi nga 2.8% në vitin 2015, në 2.7% në vitin 2016 dhe 2017, ku shifra për vitin e ardhshëm do të jetë më e lartë se deficiti prej 2% parashikuar nga qeveria.
Borxhi i përgjithshëm bruto është parashikuar të rritet në mënyrë të qëndrueshme nga 31.8% në vitin 2015 në 32.8% në vitin 2016 dhe në vazhdim deri në 33.6%.
Ritmi i konsumit privat pritet të rritet nga 0.7% në vitin 2015 në 1.4% në vitin 2016 dhe deri në 1.7% në vitin 2017.
Komisioni vuri në dukje se rimëkëmbja ekonomike në BE dhe Eurozonë është në vitin e tretë radhazi.
Ajo pritet të vazhdojë me një ritëm modest vitin e ardhshëm, pavarësisht nga kushtet edhe më sfiduese në ekonominë globale.
Në vitin 2015, rimëkëmbja ekonomike ka qenë elastike dhe e përhapur në të gjithë shtetet anëtare, falë faktorëve të tillë si rënia e çmimeve të naftës dhe një vlerë të jashtme relativisht të dobët të euros. Megjithatë, ajo mbeti e ngadaltë. PBB-ja reale në 28 vendet e BE-së pritet të rritet nga 1.9% në vitin 2015 në 2% në vitin 2016 dhe deri në 2.1% në vitin 2017.
KE pret që fluksi i refugjatëve të ketë ndikim të vogël pozitiv ekonomik në terma afatmesëm. Komisioni do të ‘rifreskojë’ parashikimin e tij ekonomik në shkurt të vitit 2016.