Duke analizuar Programin e Reformave Ekonomike të Shqipërisë 2018-2020, Komisioni Europian vëren se, Shqipëria nuk e ka vijuar luftën ndaj informalitetit në përputhje me rekomandimet që ka dhënë Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Madje, Komisioni vëren se Shqipëria ka bërë hapa prapa, duke zgjeruar përjashtimet tatimore për sektorët e IT dhe turizmit.
Gjithashtu KE tërheq vëmendjen se Ligji i ri për taksat vendore, specifikisht ai për tatimin mbi banesat, nuk është shoqëruar me aktet nënligjore.
KE pohon se deficiti fiskal është stabilizuar në rreth 2% e PBB-së, por është i pamjaftueshëm për të përmbushur detyrimin për zvogëlimin e raportit të borxhit publik ndaj PBB-së. Shqipëria do ta ketë të vështirë të përmbajë angazhimin për uljen e borxhit publik në 60% të PBB-së në vitin 2021, në kushtet kur konsolidimi fiskal nuk po vijon më tej.
KE vëren se raporti i borxhit publik vazhdon të bjerë, por është ende i lartë dhe nënkupton rreziqe.
Në fund të vitit 2017, borxhi publik i Shqipërisë (duke përfshirë garancitë publike) arriti në 69.9% të PBB-së. Pothuajse i gjithë borxhi publik është borxh nga qeveria qendrore.
Nga mjedisi i mirë i normave të interesit, shpenzimet për pagesën e borxhit ishin 2.1% të PBB-së në vitin 2017, nga 2.7% në vitin 2015. Pothuajse gjysma e borxhit është i jashtëm, kryesisht në monedhën Euro. Pak më shumë se gjysma e borxhit publik mbahet nga sektori bankar vendas .
Komisioni Europian vlerësoi se reduktimi i mëtejshëm i borxhit është thelbësor për të zbutur dobësitë dhe për të rindërtuar hapësirat e nevojshme për rritjen e ekonomisë.
Komisioni i Europian i rekomandoi Shqipërisë të vijojë përpjekjet për rritjen e të ardhurave, duke forcuar më tej administratën tatimore dhe duke zgjeruar bazën tatimore.
Sistemi i ri i tatimit mbi pronën është zbatuar pjesërisht. Të ardhurat tatimore u rritën me 7.8% në vitin 2017 dhe sigurimet shoqërore e kontributet u rritën me 9.7%, duke reflektuar fushatën kundër informalitetit.
Komisioni vëren se, Shqipëria përballet me disa pengesa për të përmirësuar rritjen potenciale dhe konkurrencën. Drejtësia e dobët, zbatimi i pamjaftueshëm i të drejtave të pronësisë dhe procedurat e komplikuara administrative kanë krijuar një ambient të vështirë për bizneset.
Shqipëria ka një potencial të madh për prodhimin e energjisë së rinovueshme, por tregu ende nuk është plotësisht i liberalizuar. KE vëren se, Shqipëria nuk bëri asnjë përmirësim krahasuar me programin e vitit të kaluar.
Komisioni vëren se ka një përzierje të reformave legjislative, administrative dhe infrastrukturore. Por disa masa, për shembull në fushat e kërkimit, zhvillimit dhe inovacionit dhe ujit, bazohen në fonde shumë të ulëta që, me shumë gjasë, nuk do të përmirësojnë asgjë.
Vlerësimi i Komisionit për vitin e kaluar është marrë pjesërisht në konsideratë nga qeveria shqiptare. Në shumë raste, vlerësimi i rezultateve të pritshme nuk është i analizuar mjaftueshëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.