KE: Shqipëria, të vazhdojë të përmirësojë mbrojtjen e fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara

14/09/2018 1:14 PM 0 komente

“Mbrojtja e fëmijëve dhe përfshirja e personave me aftësi të kufizuara është përmirësuar në Shqipëri, por autoritetet ende duhet të adresojnë mangësitë e mbetura”, është shprehur së fundmi Dunja Mijatović, Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, ndërsa prezantoi raportin për Shqipërinë, i cili u përqendrua në të drejtat e fëmijëve, të drejtat e njeriut të personave me aftësi të kufizuara dhe aksesin në ndihmë juridike falas.

Duke vënë në dukje që Shqipëria ka ndaluar të gjitha format e dhunës ndaj fëmijëve, në të gjitha mjediset, Komisionerja mbetet i shqetësuar për shkallën e lartë të dhunës që raportohet ende.

“Autoritetet duhet ta trajtojnë këtë problem në një mënyrë më sistematike dhe më efektive. Për këtë qëllim, ata duhet të miratojnë dhe zbatojnë një strategji të koordinuar; Zbatimi i rekomandimeve të Grupit të Ekspertëve të Këshillit të Europës mbi Veprimin kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje; forcimi i kapaciteteve të shërbimeve të mbrojtjes së fëmijëve dhe profesionistëve të arsimit për të identifikuar dhe për t’iu përgjigjur dhunës; si dhe të nxisin format pozitive dhe jo të dhunshme të rritjes së fëmijëve”.

Një çështje tjetër shqetësuese është se rreth 700 fëmijë ende jetojnë në institucione të kujdesit, ndonjëherë për periudha shumë të gjata kohore pa ndonjë perspektivë të qartë për t’u larguar para se të bëhen të rritur. Duke nënvizuar se standardet e Këshillit të Evropës kërkojnë që vendosja e fëmijëve në institucione të tilla të mbetet e jashtëzakonshme, komisionerja Mijatović rekomandon përshpejtimin e procesit të deinstitucionalizimit dhe parandalimin e vendosjes së fëmijëve në kujdesin shtetëror, duke përfshirë edhe më shumë mbështetje për familjet që rrisin fëmijët dhe duke zhvilluar një sistem efektiv të shërbimeve familjare.

Legjislacioni shqiptar parashikon që arsimi të jetë gjithëpërfshirës dhe jodiskriminues, disa fëmijë shqiptarë – veçanërisht romët dhe fëmijët me aftësi të kufizuara – mbahen jashtë arsimit të zakonshëm. “Autoritetet duhet të sigurojnë përfshirjen e fëmijëve romë në arsimin e zakonshëm duke punuar ngushtë me prindërit e tyre dhe duke rritur përpjekjet për përfshirjen e romëve në arsimin parashkollor”, thekson komisionerja. Sa u përket fëmijëve me aftësi të kufizuara, autoritetet duhet t’u sigurojnë atyre mbështetjen e nevojshme ekonomike dhe akomodimin në mjediset e arsimit të zakonshëm.

Për të siguruar njohjen ligjore të rreth 4 900 personave që janë pa shtetësi ose në rrezik të pashtetësisë në Shqipëri – shumë prej të cilëve janë romë, duke përfshirë edhe shumë fëmijë – Komisionerja u bën thirrje autoriteteve që të trajtojnë këtë çështje në përputhje me detyrimet e Shqipërisë për të drejtat e njeriut, duke përfshirë krijimin e një procedure të dedikuar për përcaktimin e pashtetësisë. Shqipëria gjithashtu kërkohet që të aderojë në Konventën e Këshillit të Evropës për Shmangien e Pashtetësisë.

Sa i përket mbrojtjes dhe përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara, Komisionerja rekomandon një zbatim më të mirë të legjislacionit, zgjidhjen e problemeve strukturore në sistemin e kujdesit social dhe përmirësimin e qasjes në arsim cilësor dhe në punësim. Ajo gjithashtu rekomandon hartimin dhe zbatimin e një plani gjithëpërfshirës për deinstitucionalizimin e personave me aftësi të kufizuara intelektuale ose psikosociale dhe zëvendësimin e institucioneve me shërbime të bazuara në komunitet, duke siguruar mbrojtjen dhe mbështetjen e nevojshme për individët dhe familjet e tyre pasi ata largohen nga institucionet dhe abstenojnë nga çdo vendosje e re e personave me aftësi të kufizuara në mjediset institucionale.

“Autoritetet duhet të harmonizojnë ligjin dhe praktikën vendore me standardet e OKB-së dhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut” me qëllim që të sigurojnë që këta persona mund të ushtrojnë të drejtat dhe detyrimet e tyre ligjore në baza të barabarta me të tjerët në të gjitha aspektet e jetës .

Së fundmi, Komisionerja ka përshëndetur miratimin e ligjit që zgjeron kategorinë e personave që përfitojnë nga ndihma juridike falas dhe u bën thirrje autoriteteve që të shtojnë përpjekjet e tyre në heqjen e pengesave të njerëzve të pambrojtur që ende përballen në qasjen në drejtësi.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of