Pavarësisht këtyre deklaratave, “Monitor” sjell për lexuesin realitetin e borxhit shqiptar, pa komente, por vetëm shifra, të certifikuara nga Ministria e Financave, në mënyrë që çdokush të mësojë të vërtetën. Pyetjet si, sa kemi marrë dhe sa do të paguajmë, në çfarë valute i kemi, afati i shlyerjes dhe sa është detyrimi i gjithsecilit për borxhin që merr qeveria, do të marrin përgjigje me paraqitjen e shifrave.
Viti 2009 u mbyll me një nivel borxhi total publik me 680 miliardë lekë (rreth 60% e PBB-së), kurse në 2010-n do të kemi sërish rritje, që Financat e parashikojnë në 744 miliardë lekë, ose 59.91 për qind në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Duke marrë vetëm stokun e borxhit, për këtë vit, për ta shlyer të gjithin, çdo familje shqiptare duhet të paguajë të paktën 6 mijë dollarë. Të mos harrojmë interesat për borxhin që marrin, të cilat këtë vit do të jenë rreth 43.5 miliardë lekë. Pra, këtë vit, familjet shqiptare, mesatarisht do të paguajnë për shlyerjen e interesave nga 370 dollarë secila, ose rreth 60 dollarë më shumë.
Strategjia e Ministrisë së Financave për vitin 2010 e këtej është reduktimi i borxhit publik të brendshëm, duke synuar huatë afatgjata, si dhe rritjen e borxhit të jashtëm. Megjithatë, në të dyja rastet, rreziku është i pranishëm, si tek interesat dhe presioni i bankave vendase, ashtu dhe kursi i këmbimit nga borxhet e huaja.
Përbërja e tregut të borxhit
Qeveria e financon deficitin kryesisht nëpërmjet huamarrjes, por edhe nëpërmjet të ardhurave nga privatizimet (kur ka të tilla). Huamarrja sigurohet përmes një kombinimi të burimeve të financimit në tregun e brendshëm dhe të jashtëm. Huamarrja e brendshme realizohet nëpërmjet emetimit të letrave me vlerë të qeverisë; bono thesari me maturim 3, 6 dhe 12-mujor, si dhe obligacione me maturim 2, 3, 5 dhe 7-vjeçar. Burimi i financimit të brendshëm është pjesëmarrja në ankandet e letrave me vlerë të bankave të nivelit të dytë, Bankës së Shqipërisë, si dhe individëve.
Në fund të vitit 2009 ka rritje të portofolit të borxhit të brendshëm afatgjatë në përqindje ndaj totalit, nga 36.6 për qind për vitin 2008 në 37.4 për qind në vitin 2009. Veçanërisht kjo rritje është e rëndësishme në segmentin e letrave me vlerë me afat 5-vjeçar, duke treguar qëndrueshmërinë e emisionit për këtë instrument të letrave me vlerë të qeverisë. Borxhi i brendshëm afatshkurtër (deri në bono 12-mujore) ka ardhur në vite duke u reduktuar, nga 273 miliardë lekë që ishte në vitin 2006, në 256 miliardë lekë, ndërsa afatgjati, nga 75 miliardë lekë në 2006, në 153 miliardë lekë në vitin 2009, duke ndryshuar raportin (78-22 në vitin 2006, 62-38 në vitin 2009).
Sa i takon borxhit të jashtëm, 52 për qind përbëhet në valutën euro, 7 për qind në dollar, 37 në SDR (monedha e FMN-së) dhe 4 për qind të tjerat. Ndryshe nga borxhi i brendshëm, me interesa të ndryshueshme, me të huajt aplikohen norma fikse, ndërsa ka ardhur duke u ulur afati i shlyerjes, nga 11.4 vite në 6.8 vite. “Meqenëse pjesa më e madhe e borxhit konsiston në borxhin afatshkurtër të brendshëm i ekspozuar ndaj ndryshimeve të normave të interesit ose nga borxhi i jashtëm i ekspozuar ndaj ndryshimeve të kursit të këmbimit, risqet ekzistuese të borxhit janë të mëdha. Kjo pritet që të çojë në luhatje të mëdha në shërbimet e borxhit”, vë në dukje Ministria e Financave, në strategjinë e borxhit për tre vitet e ardhshme.
Sa paguajmë për borxhin
Shërbimet për borxhin kanë ardhur duke u rritur, sidomos në dy vitet e fundit, ku në 2009-n kemi paguar rreth 42 miliardë lekë për interesa dhe kredi. Për borxhin e brendshëm, vitin e kaluar kemi paguar rreth 31.4 miliardë lekë, kurse për të huajin, afro 5 miliardë lekë. Shërbimet e borxhit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto kanë qenë mesatarisht 3.3 për qind, ndërsa në 2009-n pësuan rritje në 3.6 për qind. Borxhi i jashtëm në fund të vitit 2009 krahasuar me 2008-n, vlerësohet në rritje nga 32 për qind në 39 për qind (37,5 për qind pa ndikimin e kursit të këmbimit) në raport ndaj totalit, duke qenë kështu në përputhje me parashikimet e strategjisë 2009-2011.
Kështu nga përllogaritjet e fundit të të pritshmit 2009 raporti i borxhit të brendshëm me borxhin e jashtëm është 61 për qind me 39 për qind. Për të ardhmen, Ministria e Financave parashikon se “supozimet e huamarrjes së jashtme dhe të brendshme, duke pasur parasysh financimin e deficitit buxhetor, i cili do të luhatet në intervalin 4 për qind të PBB në fund të 2010-s dhe 3 për qind të PBB në fund të vitit 2013.
Totali i rritur
Stoku total i borxhit që mbart sot Shqipëria është diku te 635 miliardë lekë, pa llogaritur garancitë, ndërsa në 2010-n parashikon të arrijë në rreth 695 miliardë lekë. Sa i takon borxhit total publik, ai është 680 miliardë lekë, me tendencë rritjeje me rreth 65 miliardë lekë në 2010, ose gati 60 për qind në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Duke parë skenarët, Ministria e Financave parashikon që borxhi total publik në vitin 2013 të arrijë në nivelet rekord të 881 miliardë lekëve, ose 53.7 për qind në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Sipas vlerësimeve të deritanishme, në fund të vitit 2009, raporti i borxhit në total parashikohet 59,5 për qind kundrejt PBB-së (rritja reale ekonomike 3 për qind) krahasuar me 54,9 për qind në fund të vitit 2008. Në këtë rritje të stokut të borxhit ndaj GDP-së prej 4,6 përqindësh, ndikimi i disbursimeve të jashtme dhe i shtesës së borxhit të brendshëm është rreth 7,4 për qind, ku vetëm ndikimi i kursit të këmbimit vlerësohet 2,3 për qind. Rritja e kursit të këmbimit prej 11 përqindësh ka ndikuar në rritjen e totalit të borxhit prej 5 përqindësh.
Skenarët për vitin 2010
Për borxhin e brendshëm ka një gjendje në rritje të shpenzimeve për interesa, si rezultat i ndryshimit në rritje të normës së interesit të bonove të thesarit dhe të obligacioneve të qeverisë. Ministria e Financave shpreh në mënyrë analitike se, nga analiza e interesave të borxhit të brendshëm, rezulton se këto interesa rriten me 3,2 miliardë nga bonot e thesarit dhe 1,2 miliardë nga obligacionet. Konkretisht, në shtesën e interesave për bonot e thesarit 1,8 miliardë lekë ndikon rritja e interesit në këtë segment të letrave me vlerë me 1,15 për qind pikë përqindje nga mesatarja e një viti më parë, ndërsa 1,4 miliardë lekë ndikon shtesa e totalit të emetimeve 12-mujore me 18,2 miliardë lekë në vitin 2009, e cila maturohet në vitin 2010 krahasuar me vitin e mëparshëm. Kurse në shtesën e interesave për obligacionet afatgjata prej 1,2 miliardë lekësh është ndikimi i pagesave për obligacionet 5-vjeçare me 1,4 miliardë, i obligacioneve 2-vjeçare me 0,2 miliardë dhe pakësimi i pagesave për obligacionet 3-vjeçare me 0,4 miliardë lekë. Shpenzimet për interesa të borxhit të jashtëm parashikohen me rritje, e cila vjen si pasojë e ecurisë me ritme të shpejta gjatë vitit 2009 e disbursimeve të kredive që financojnë sektorin e transportit dhe atë energjetik dhe që i japin efektet e tyre në vitin 2010, e kredive të reja të kontraktuara dhe të ratifikuara apo që janë në proces ratifikimi dhe që i fillojnë efektet e tyre në buxhet në vitin 2010. Në shtesën prej 2,5 miliardë lekësh interesa, 1,7 miliardë lekë janë ndikimet e kredive të disbursuara menjëherë gjatë vitit 2009, kryesisht për mbështetje buxhetore dhe në sektorin e transportit, si dhe të infrastrukturës ujore.
Ministria e Financave bën vlerësimin edhe për shërbimet ndaj borxhit të jashtëm. Sipas skenarëve, në buxhetin e vitit 2010 janë planifikuar fonde edhe për shlyerjen e detyrimeve në kuadrin e garancive që ka lëshuar qeveria për kreditë e marra nga institucionet dhe qeveritë e huaja. Konkretisht për borxhin e jashtëm të garantuar janë përfshirë në buxhet 1,253 milionë lekë për pagesat e principalit dhe 436.02 milionë lekë për interesa. Në pagesat e borxhit të jashtëm për vitin 2010 gjithashtu janë planifikuar edhe 133 milionë lekë pagesa interesi për kredi që mendohet të nënshkruhen gjatë kësaj periudhe dhe të cilat do të kenë efekte financiare në buxhet.
R.M
Risku
Financat, kontakt të vazhdueshëm me bankat
Rritja e deficitit buxhetor në vitin 2009, me rreth 800 milionë dollarë, ka vënë në gatishmëri zyrtarët e Ministrisë së Financave, në mënyrë që situata me borxhin të zbutet gjatë tratativave të ardhshme. Ministria e Financave pranon se po qëndron gjithnjë nën monitorim të situatës, në mënyrë që t´i paraprijë çdo risku të mundshëm. “Drejtoria e Borxhit është në kontakt të përhershëm me bankat tregtare për të kuptuar më mirë sfidat që përballet sektori bankar, dhe duke gjykuar nga informacioni dhe vlerësimet e prezantuara nga bankat, edhe 6-mujori i parë i vitit 2010 do të jetë në vështirësi për huamarrjen e brendshme. Bankat do të vazhdojnë me pjesëmarrjen e tyre konservative në ankandet e instrumenteve qeveritare dhe kanë si qëllim bonot e thesarit në vend të obligacioneve”, vë në dukje ministria.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.