Zgjerimi i Bashkimit Europian mbart ende shumë të meta, ndërsa shtetet e bllokut juglindor kanë mbetur kryesisht në harresë. Edhe pse pas 20 viteve nga përfundimi i luftërave në Ballkan, rajoni juglindor paraqet paqëndrueshmëri të madhe, dhe këtu mund të përmendim krizën e refugjatëve të vitit 2015, e cila ndër të tjera vuri në dukje edhe faktin sesa shpejt mund të riktheheshin pasionet nacionaliste në rajon, shkruan The Guardian në një editorial.
Ndërsa qindra mijë njerëz po udhëtonin drejt veriut, vullnetarët ndihmuan për të siguruar ushqim dhe veshje për refugjatët e mbetur në mëshirë të fatit. Por nuk vonoi që tensionet të ndizeshin mes qeverive dhe forca të shumta ushtarake u vendosën madje edhe në disa kufij. Dy vjet më vonë, rruga e Ballkanit është kryesisht e mbyllur, por problemet e rajonit janë ende të pranishme
Çështja mbi stabilizimin e Ballkanit, vendosjen e demokracisë dhe afrimi i rajonit me institucionet e BE-së, mbetet një nga sfidat më të mëdha, duke pasur parasysh edhe vëmendjen e pamjaftueshme që po i kushtohet.
Aktivistët e shoqërisë civile në Ballkan janë gjithnjë e më shumë të shqetësuar për nivelin e lartë të papunësinë, korrupsionit dhe ikjen e trurit nga rajoni, pasi si të rinjtë dhe një numër shumë i madh intelektualësh po largohen për një vend pune më të mirë në Europë.
Nëse këto vende të rajonit duan që perspektiva e anëtarësimit në BE për Serbinë, Bosnjën, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi të merren seriozisht në konsideratë, ato duhet që të përparojnë me nxitjen dhe zhvillimin e reformave të nevojshme. Rajoni i Ballkanit ka rëndësi të madhe për Europën, jo vetëm për shkak të çështjes së migracionit, por edhe për rrugët e energjisë, sigurinë dhe luftën kundër krimit të organizuar. Por shumë pak është bërë në lidhje me këto probleme kryesore.
Lajm i mirë është se ndërgjegjësimi në këtë drejtim duket se po rritet. Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, ka deklaruar së fundmi se nëse BE-ja do të rrisë stabilitetin në “lagjen e saj”, atëherë ajo duhet të përparojë dhe të mbajë një perspektivë të besueshme të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor.
Në vitin 2018, Britania e Madhe do të organizojë një takim të veçantë në Ballkanin Perëndimor, një nismë e paraqitur nga qeveria si dëshmi se “Britania po largohet nga BE-ja, por jo nga Europa”.
Edhe kur Presidenti francez, Emmanuel Macron, paraqiti planet për të ardhmen e Europës, ai tha se “BE duhet të pranojë vendet e Ballkanit”, menjëherë sapo ato të përmbushin kushtet, sepse kjo do të ndihmonte në konsolidimin e “paqes dhe stabilitetit në kontinentin tonë”.
Ai gjithashtu theksoi se Europa duhet të kuptojë dhe të arrijë të parandalojë sa nuk është vonë që vendet e Ballkanit t’i kthejnë asaj shpinën dhe të shikojnë si shpresën dhe mbështetjen e tyre të vetme, Turqinë dhe Rusinë, pra të shkojnë drejt pushtetit autoritar.
BE-ja ballafaqohet edhe me një konkurrencë të madhe nga fuqitë e jashtme, të cilat po kërkojnë të fitojnë pikë dhe të përfitojnë nga dobësitë e rajonit.
Rusia dëshiron që të forcojë lidhjet ortodokse dhe sllave ndërsa Turqia kërkon të promovojë një vizion “neo-osman”. Por edhe aktorët më të largët, duke përfshirë Kinën dhe Arabinë Saudite, po bëhen gjithnjë e më aktive. Një aktivist i shoqërisë civile në Beograd e përshkruan këtë situatë si “një lojë të pabesueshme gjeopolitike që do të ishte e paimagjinueshme në vitin 1989”, kur blloku komunist filloi të shembet.
Ndërsa BE-ja flet për rinovimin e projektit të saj 60-vjeçar, ajo duhet t’i kushtojë edhe më shumë rëndësi ndërtimit të një strukture të qëndrueshme për Ballkanin. Vitet e gjata të shtyrjes së anëtarësimit të shteteve të ndryshme të rajonit të Ballkanit janë shoqëruar me humbjen e besimit të qytetarëve të këtij rajoni. Dhe kjo nuk bën veçse rrit populizmin së bashku me regjimet korruptive që përfitojnë nga një situatë e tillë dhe ajo që e ndien më shumë këtë “vuajtje” është ekonomia.
Normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës varet nga ajo që Europa mund të ofrojë. Më shumë fonde të BE-së duhet të planifikohen për rajonin e Ballkanit, edhe si një formë joshjeje për të mbajtur pas vendet e rajonit dhe moslejimin e tyre për t’u drejtuar nga Rusia, Turqia apo qoftë edhe Kina.
Churchill dikur ka thënë se “Ballkani prodhon më shumë histori sesa mund të konsumojë”. Nëse nuk i jepet zgjidhja e duhur si qeverisjes së keqe ashtu edhe grindjeve të vjetra, dëmi në këmbim do të jetë i madh për të gjithë dhe pasojat do të ndihen edhe përtej rajonit.
Por ajo që dihet nga historia është që edhe pjesa tjetër e Europës është shumë e interesuar që Ballkani të mos shndërrohet në një zonë tensionesh të vazhdueshme, por të ndihmohet për t’u modernizuar dhe për të zhvilluar, në mënyrë të atillë që një ditë të pranohet të jetë pjesë e Bashkimit Europian.