Flet administratorja e Ndihma Plus, znj. Keti Lame
Cilat shërbime kërkohen më tepër?
Për sa u përket shërbimeve të kujdesit, mbi 50% e kërkesave që marrim janë për dado fëmijësh, por nuk mungojnë edhe ato për kujdes për të moshuar. Shpeshherë marrim kërkesa për shërbime të specializuara, si p.sh. mësuese, infermiere apo edukatore.
Çfarë ju nxiti që të hapnit biznes të tillë?
Duhet pranuar se në mentalitetin shqiptar, norma është: gratë e familjes të lënë çdo gjë tjetër dhe të kujdesen për shtëpinë, fëmijët apo familjarët në nevojë. Për këtë arsye, shpeshherë rezulton me gra që braktisin ambiciet për karrierë apo që u shërbejnë prindërve të moshuar me kohë të plotë. Në nivel personal, ky organizim sjell “zemërim” të këtyre grave të robëruara në shtëpi dhe në nivelin e shoqërisë, sjell keqpërdorim të potencialit intelektual dhe ekonomik.
Agjencia në këtë rast, u krijua për të sfiduar këtë normë jo të drejtë dhe për të lehtësuar ngarkesën emocionale dhe logjistike të shumë familjeve që vendosin të veprojnë ndryshe. Të vegjlit kanë nevojë për qetësi dhe durim, të moshuarit jo rrallëherë për ndihmë të specializuar dhe në raste pamundësish të përkohshme apo afatgjata të familjarëve tanë, ata kanë nevojë të kenë pranë staf me njohuri mjekësore. Kjo nevojë qëndron në thelb të modelit tonë të biznesit. Nëpërmjet shërbimeve tona, ne synojmë ta bëjmë jetën në familje më të lehtë.
Veçanërisht në shërbimin e dadove dhe të të moshuarve, si ka qenë ecuria dhe kërkesat?
Në segmentin e përkujdesit, agjencia operon në dy mënyra kryesore: së pari, duke ofruar stafin e saj profesional të kujdesit me një tarifë orare, sipas kërkesave të klientit (kujdes ad-hoc), dhe së dyti, duke ndërmjetësuar bashkëpunimin midis një familje dhe një kujdestare (kujdes me kohë të plotë). Në të dyja rastet operojmë me kontratë, ku detajohen shumë qartë detyrat dhe të drejtat e palëve.
Në mënyrën e parë, është agjencia që mban përgjegjësi të plotë për shërbimin nga fillimi në fund dhe tarifon për orë. Rastet më tipike janë dadot për mbrëmje.
Në mënyrën e dytë, pasi marrim kërkesën nga një familje për përkujdes, ne përpiqemi ta përputhim atë sa më mirë me listën e CV-ve që kemi për kujdestare në familje dhe i prezantojmë klientit disa alternativa. Njëherë që familja dhe kujdestarja bien dakord të bashkëpunojnë, ata vazhdojnë pa pjesëmarrjen e agjencisë. Agjencia faturon vetëm një herë, për shërbimin e ndërmjetësimit.
Familjet shqiptare ende nuk janë rehat me konceptin e një kujdestareje të panjohur, pavarësisht se përfaqëson agjencinë, të hyjë në familjen e tyre vetëm për një numër të kufizuar orësh. Por, kanë mjaft besim te ne për sa i përket gjetjes së një kujdestareje të mirë, me kohë të plotë, sipas kërkesave dhe buxhetit të tyre. Ndoshta sepse e kontrollojnë më mirë këtë proces. Kujdestaret janë kryesisht dado, kujdestare për të moshuar, infermiere për të sëmurë.
Duhet pranuar se koncepti është disi inovativ dhe i guximshëm për tregun tonë. Në fakt, jemi befasuar nga reagimi i tregut shqiptar. Ideja ka ngjallur interes dhe ne çdo ditë marrim kërkesa për këto lloj shërbimesh. Jemi optimistë se gjërat po ndryshojnë për mirë.
Cilat janë sfidat me të cilat përballeni dhe konkurrenca në këtë sektor?
Sfida jonë më e madhe mbetet lufta e padrejtë ndaj tregut informal. Kur klientët njihen me çmimet tona, menjëherë i krahasojnë ato me tarifat që mund t’u ofrojë një grua që mund të pajtohet në tregun informal dhe që nuk ka asnjë kontratë pune dhe as sigurime. Përpiqemi të shpjegojmë se një agjenci mbart kosto shumë më të larta për të ofruar shërbime në një cilësi tjetër, por rrallëherë arrijmë t’i bindim me këto argumente.
Nga ana tjetër, tregu i punës nuk është i thjeshtë. Vërtet ka vajza dhe gra të interesuara për të punuar, por për t’i dërguar ato pranë familjeve, ne duhet të sigurohemi paraprakisht për besueshmërinë dhe profesionalizmin e tyre. Kohët e fundit kemi organizuar një trajnim për dado, që besojmë se do të ndihmojë mjaft procesin e ndërmjetësimit.
Për sa i përket konkurrencës, të paktën për sektorin e kujdesit, është thuajse joekzistente. Sfida në këtë rast është edukimi i tregut, për të kuptuar modelin tonë dhe të mirat që sjell ai.
Si mendoni se do të jetë e ardhmja e këtij sektori?
E ardhmja duket premtuese. Qëllimi kryesor është të maturojmë modelin aktual, duke investuar vazhdimisht në edukimin e tregut, si atë të klientëve, edhe atë të punës. P.sh., përveçse trajnime për dado, mendojmë të organizojmë së shpejti edhe trajnime për kujdestare për të moshuar. Nga ana tjetër, si të pasionuar pas teknologjisë, do të kishim shumë dëshirë t’i dixhitalizojmë shërbimet, p.sh., duke ofruar CV online të kujdestareve për klientët, duke organizuar takime online apo duke ofruar një aplikacion mobile për supervizimin e kujdestares gjatë kohës që klienti nuk është i pranishëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Jam e interesuar per te moshuarkam punuarpo ju le numrin e tele 069 36 56411