Komisioni i Ekonomisë, sikurse njoftoi paraditen e sotme, u mblodh sërish për të shqyrtuar nen për nen buxhetin dhe paketa fiskale 2015.
Një ndër vendimet që u mor menjëherë në këtë mbledhje ishte taksimi me akcizë i pijeve energjike.
“Vende te ndryshme kanë taksa të ndryshme, mes tyre dhe akcizë. Ne do t’i vendosim akcizë pijeve energjike. Ne do e ridimensionojmë sipas standardeve të Bashkimit Evropian”, deklaroi kreu i Komisionit, Braçe.
Braçe theksoi se akciza do të jetë 30 lekë për litër.
Relatori i Buxhetit Anastas Angjeli prezantoi disa shtesa në fonde për disa prej institucioneve që kishin kërkuar më shumë para mes tyre: Presidenca, ministria e Bujqësisë dhe e Shëndetësisë.
Buxheti dhe Paketa fiskale pritet që të kalojnë për miratim nen për nen në parlament ditën e enjte, datë 27 nëntor.
Paraditen e sotme:
Komisioni i Ekonomisë , në mbledhjen e sotme diskutoi për raportet e komisioneve të tjera kuvendore për projektligjin “Për buxhetin e 2015” dhe kërkesat e tyre lidhur me buxhetin.
Të pranishmit në komision kërkuan ndryshime të mundshme në buxhetin e alokuar institucioneve të tyre apo edhe lehtësira.
z. Angjeli deklaroi në hyrje se Buxheti 2015 është buxhet ambicioz, ai është realizuar me një realizëm, më tepër se vitet e mëparshme.
“Duhet të kemi parasysh se qeveria është ajo që përcakton prioritetet dhe drejtimet e shpenzimeve, nuk mund të themi se mundësia e ndërhyrjes është e plotë apo jo, por sigurisht ka të drejta propozimesh, të gjitha ndryshimet e kërkuara do të konsultohen me përfaqësuesit e qeverisë dhe do të rishikohen.”, deklaroi Angjeli.
Gjatë seancës u diskutua për kërkesat e mëparshme nga Kuvendi, që ka kërkuar rritje numri punonjësish në angazhim të funksionimit të insitucionit.
Më tej, Komisioni i ligjeve ka shqyrtuar kërkesat e Presidencës, Ministrisë së drejtësisë , Gjykatës Kushtetuese, Prokurorisë, shkollës së Magjistraturës etj, sic u bë e ditur edhe më parë, për kërkesat e tyre për rritje fondesh.
Ndërkaq, nga pushteti vendor ka patur kërkesa për rishpërndarje fondesh për zbatimin e reformës së re territoriale, e cila do t’i vi në ndihmë gjatë zgjedhjeve.
Të pranishëm në komision, përfaqësues nga Gjykata Kushtetuese, kërkuan 10 mln lekë shtesë, nga ku 3 mln lekë duan për rikonstruksion ambientesh.
Përfaqësuesi nga Komisioni i Çështjeve Sociale ritheksoi rëndësinë e projektit të mbulimit të kostove për sëmundjet kardiovaskulare dhe projekti i urgjencave në Shqipëri, që i nevojitet një rritje fondesh.
Kreu i Komisionit Brace sakaq deklaroi se shëndeti dhe bujqësia do të ketë vëmendjen e duhur.
Gjovalin Kadeli u shpreh gjatë komisionit se kërkesat e biznesi fason bie ndesh me atë që qeveria ka programuar më parë.
Nga Ministria e Mjedisit rikërkuan mbështetje për projektin e krijimit të një administrate për manaxhimin e parqeve kombëtare, duke e argumentuar se ka interes donatorësh për rivitalizimin dhe rehabilitimin e 8 parqeve shqiptare.
Brace lajmëroi në fund të mbledhjes se në oren 16:00 jepen vendimet dhe i pranishëm në Komision do të jetë edhe ministri i Financave, Shkëlqim Cani.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.