Flet Alba Ruco, gjemologjiste dhe menaxhere Pirro Argjendari
A mendoni se Shqipëria ka treg për bizhuteritë e luksit?
Jemi një treg me aftësi të limituara blerëse, sipas PBB-së, por jo nga dëshira. Kur flasim për treg si ky në Shqipëri, jemi të ndërgjegjshëm që përqendrimi i blerjeve është në Tiranë dhe më pak në rrethet e mëdha si Shkodër, Durrës, Vlorë, Korçë.
A e blejnë diamantin në Shqipëri?
Tregu është i kufizuar, sepse ne jemi një vend i vogël, dhe jo sepse njerëzit nuk e pëlqejnë diamantin. Të ardhurat financiare kanë ndikim të madh në shifrat e blerjes. Megjithatë, ne jemi një popull që e vlerëson arin dhe gurët e çmuar, dhe kur na jepet mundësia investojmë.
Në vitet e përvojës suaj, sa është preferuar diamanti? A është tendencë në rritje?
Dëshira për të blerë gurë të çmuar në bizhuteri është duke u rritur, megjithëse të ardhurat duken sikur po shtrëngohen më tepër dhe blerjet janë më të paramenduara sesa instinktive.
Në mënyrë më specifike, çfarë produktesh parapëlqehen dhe blihen më tepër?
Sipas disa studimeve të marketingut të bizhuterisë, tregu sot është i orientuar drejt personalizimit dhe stilit individual. Firma të ndryshme bizhuterie e realizojnë sipas mënyrës së tyre, duke ndryshuar gurët, metalin, mbishkrime, simbole që personifikojnë njerëzit. Këtu futet trendi i asemblimit të disa produkteve bashkë, që ka të bëjë me vendosjen bashkë të disa bizhuterive me simbolika të ndryshme për shembull unaza, varëse dhe byzylykë. Secili mund të zgjedhë simbolet që përfaqësojnë karakterin, për shembull një shpend, një gur i veçantë, një shprehje ose lule. Ne sugjerojmë mënyra që këto të vendosen bashkë dhe të përshtaten me shijet. Përpos kësaj, parapëlqehen më tepër bizhuteritë për raste të rëndësishme si ato martesore, për fëmijët e sapolindur, përvjetorë, festa e Shën Valentinit ose ato të fundvitit.
A është diamanti një investim i rrezikshëm?
Kjo varet nga sasia e tij dhe luhatjet në prodhimin dhe nivelin e cilësisë. Vlera e saj është në rritje në periudha afatmesme dhe afatgjatë. Për shembull, në vitin 1960, një karat është vlerësuar me 2,700 dollarë. Ndërsa tani ka një vlerë deri në një maksimum prej 31.000 dollarësh në varësi të llojit të gurit dhe shkallës së pastërtisë. Në të njëjtën kohë, në tregun e diamantit lindin edhe trazirat financiare dhe gurët janë sigurisht produkte të sigurta që futen te pasuritë e patundshme, ashtu si ari apo pronat e mëdha.
Cocadons.it
Tregu botëror
Furnizimi global i diamanteve është kryesisht rezultat i rritjes dhe rënies së operacioneve të minierave, në përgjigje të zbulimit të depozitave të diamantit, konfliktit politik në rajonet kryesore të prodhuesve dhe konsumatorëve, krizave ekonomike dhe ndryshimit të shijeve e modës. Nuk ka zbulime të reja për depozitat e pasura me diamante që janë bërë në më shumë se një dekadë dhe kjo pengon furnizimin afatgjatë të diamanteve. Jo më shumë se 25 vende në të gjithë botën prodhojnë diamante. Blerjet botërore të diamantit të importuar arritën në 117.3 miliardë dollarë në vitin 2017.
Në përgjithësi, vlera e importeve të diamantit për të gjitha vendet importuese ra me një mesatare prej -15.8% që nga viti 2013 kur blerjet e diamanteve u vlerësuan në 139.3 miliardë dollarë. Vit pas viti, diamantet e importuara zhvlerësohen me një -1.7% modeste, nga viti 2016 deri në vitin 2017.
Nga një perspektivë kontinentale, vendet aziatike përbënin vlerën më të lartë të diamanteve të importuara në vitin 2017, me blerje me vlerë 70.5 miliardë dollarë, ose 60.1% të totalit global. Në vendin e dytë ishin importuesit e Amerikës së Veriut, me 20.2%, ndërsa 17.6% të importeve të diamanteve mbarëbotërore u dërguan në vendet europiane. Përqindjet më të vogla u dërguan në Afrikë (1.5%), Oqeani (0.4%) dhe Amerikën Latine, përjashtuar Meksikën, por duke përfshirë Karaibet (0.1%).Më poshtë janë 15 vendet që importojnë vlerën më të lartë të diamanteve gjatë vitit 2017:
Shtetet e Bashkuara: 23.2 miliardë dollarë (19.8% të importeve të përgjithshme të diamantit)
Indi: 21.9 miliardë dollarë (18.7%)
Hong-Kong: 20.6 miliardë dollarë (17.5%)
Belgjikë: 13.7 miliardë dollarë (11.7%)
Emiratet e Bashkuara Arabe: 8.4 miliardë dollarë (7.1%)
Kinë: 7.9 miliardë dollarë (6.7%)
Izrael: 6.7 miliardë dollarë (5.7%)
Zvicër: 2.5 miliardë dollarë (2.1%)
Mbretëri e Bashkuar: 2.4 miliardë dollarë (2.1%)
Tailandë: 1.9 miliardë dollarë (1.6%)
Singapor: 1.4 miliardë dollarë (1.2%)
Botsvana: 1.1 miliardë dollarë (0.9%)
Japoni: 794 milionë dollarë (0.7%)
Francë: 766.8 milionë dollarë (0.7%)
Itali: 690.2 milionë dollarë (0.6%)
Katër importues konsiderohen tregjet me rritje më të shpejtë të kërkesës për diamante që nga viti 2013, konkretisht Tajlanda (40.7%), Italia (20.5%), Kina (12%) dhe Hong-Kongu (2.4%).
Vendet që shënuan rënie në blerjet e tyre të importeve të diamantit kryesohen nga Mbretëria e Bashkuar (-63.3%), Botsvana (-45.4%), Emiratet e Bashkuara Arabe (-42.2%) dhe Belgjika (-34.5%).Burimi: Worlds Top Exports
Gurët e rrallë
Diamanti dihet që është shumë i rrallë, por ka të tjerë që janë më të rrallë, si tanzaniti që gjendet vetëm në një kodër të Tanzanisë, Merelani, Opali i Zi shumë i rrallë gjendet në Australi, Alexandriti guri që ndryshon ngjyrë kur ekspozohet në drita të ndryshme, Zhade guri i shenjtë që vlerësohet nga shumë kultura lindore si guri që shpëton jetë dhe që gjendet në formën më të bukur në Myanmar e Indi. Këta gurë të rrallë kanë veti të tjera fizike nga diamanti, por nuk janë të fortë sa ai. Nuk duhet harruar se diamanti gjendet në natyrë në 12 ngjyrime të ndryshme dhe secili ka tonalitete të ndryshme. Diamantet me ngjyrë janë shumë më të rrallë dhe të çmuar sesa të bardhët dhe përbëjnë lajm botëror kur gjenden. Ndaj vlera e diamanteve nuk është për momentin e krahasueshme me gurët e tjerë nëse krahasojmë të njëjtën përmasë, prerje dhe pastërti. Kjo nuk do të thotë që nesër nuk do të zbulohet një gur i ri i çmuar ta konkurrojë diamantin. Gurët më të çmuar pas diamantit janë Zafiri, Rubini dhe Smeraldi, ku çmimet e tyre ndonjëherë arrijnë shifra marramendëse në ankandet si Christies’ ose Sotheby’s, kur kanë ngjyrime të thella, të pastër dhe karatë të pazakontë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.