IHD-të në Shqipëri janë rritur, por Shqipëria nuk është konkurruese me Rajonin

12/01/2018 11:34 AM 0 komente

Këshilli i Investimeve publikoi të dhënat e INSTAT në lidhje me ecurinë e IHD-ve gjatë vitit 2015-2016, por sakaq një matricë më e hershme e Këshillit për incentivat e investimeve në Rajon, tregon se Shqipëria është vendi që ofron barrën më të lartë fiskale për investitorët dhe ka incentivat fiskale më të ulta në raport me Maqedoninë, Serbinë, Malin e Zi, Kosova dhe Bosnja.

Në vitin 2016, fluksi i IHD është rritur me 5.9% nga 2015. Në lidhje me fluksin e iHD-ve, ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta kanë punësuar 16% të totalit të punësimit dhe kanë kontribuar me 22,7 % në totalin e xhiros vjetore. Në 2016, numri i ndërmarrjet me pronësi 100% të huaj dhe i ndërmarrjeve të përbashkëta operuese në Shqipëri janë 5.637. Përsa i përket origjinës, ndërmarrjet nga vendet e Bashkimit Evropian zënë rreth 70% të totalit  të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta, ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor përfaqësojnë 10,9 % dhe ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e tjera zënë 19,1 % (INSTAT, dhjetor 2017).

Por nga një matricë krahasuese e Këshillit Të investimeve për “Politikat incentivuese për Nxitjen e investimeve: Shqipëria kundrejt Vendeve” rezulton se, në renditjen rajonale Shqipëria ka barrën më të  lartë fiskale për tatimin fitimin 15 %, gati 50%  më të larte se norma rajonale për këtë tatim që nuk është më shumë se 10 %. Edhe Serbia e ka tatim fitimin 15%.

Me nivelin maksimal të përshkallëzimit të tatimit mbi pagën prej 23%, Shqipëria e ka tatimin mbi të ardhurat personale më të lartin në rajon. Maqedonia e ka tatimin mbi të ardhurat personale të sheshtë 10%, në Serbi varion nga 10 në 20%, në Mal të Zi nga 9-11%, Në Kosovë është progresive nga 0 në 10% dhe në Bosnjë e sheshtë 10%.

Gjithashtu Shqipëria bashkë me Serbinë shihet të ketë nivelin e TVSH më të lartë në Rajon  në nivelin e 20% teksa vendet e tjera e kanë këtë tatim nga 17-19%.

Shqipëria, së bashku me Serbinë renditen ndër vendet që kanë nivelin më të lartë të kontributeve të sigurimeve shoqërore të paguara nga punëdhënësi në 15% dhe 17.9% përkatësisht. Megjithatë, Serbia po tregohet më agresive se Shqipëria në tërheqjen e investimeve të huaja, duke i “joshur” të huajt me subvencione direkte për punonjësit.

Maqedonia e ka të gjithë barrën të transferuar te punëmarrësi, në nivelin e 27%. Kjo është një nga arsyet kryesore që Maqedonia rezulton me normën më të ulët të taksës ndaj përqindjes së fitimit të bizneseve (12.9%). Edhe Mali i Zi ndjek të njëjtën logjikë, ku kontributet e paguara nga punëdhënësi janë vetëm 5% dhe ato të punëmarrësit 24%. Edhe në Bosnjë, punëdhënësi paguan 10.5% dhe punëmarrësi 31%. Nivelin më të ulët të kontributeve e ka Kosova me 5% punëdhënësi dhe po aq punëmarrësi.

Edhe për incentivat për investimet, Shqipëria është inferiore sidomos në krahasim me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë. Në renditjen e Këshillit të investimeve janë renditur të paktën 7 lehtësira fiskale dhe infrastrukturore në për zonat e lira, por kjo ofertë e Shqipërisë nuk është funksionale përderisa vendi ende nuk i ka zhvilluar zonat e lira.

Ndryshe nga Shqipëria vendet e rajonit përveç Kosovës i kanë funksionale zonat e lira ekonomike dhe me incentiva mjaft konkurruese.

Edhe për investimet në fushën e Turizmit dhe të Bujqësisë vendet e rajonit si Serbia dhe Maqedonia konkurrojnë dukshëm me vendet e rajonit.

Serbia ofron përjashtim nga tatim fitimi dhe i pagës për 10 vjet në zonat e lira, 0% TVSH për mallrat që lëvizin brenda zonës së lirë. Edhe TVSH për energjinë e gazin është zero. Vendi ka 14 zona të miratuara dhe 12 zona operacionale.

Maqedonia ka 3 zona të lira tërësisht funksionale, ka përjashtim nga tatim fitimi dhe të ardhurat deri në 10 vjet, përjashtim nga TVSH të mallrave që lëvizin brenda zonës së lirë.

Sa i përket Malit të Zi, incentivat përfshijnë përjashtim nga taksat për 3 vitet e para, për kompanitë të cilat janë të angazhuara në prodhimin në zona të pazhvilluara (por jo e aplikueshme në agrikulturë, transport, ndërtim anijesh dhe peshkim).

Ndërsa në fushën e turizmit, Në Malin e Zi përjashtohen nga TVSH importi i të mirave dhe shërbimeve për ndërtimin e hoteleve me 5 yje, reduktim të taksës së pronës me 30 % për hotelet me 4 yje dhe 70 % për ato më 5 yje. Gjithashtu, mbështetjet në formë granti për pjesën veriore të Malit të Zi, në rast investimesh në turizëm, grante të cila janë në shifrën minimale të 500 mijë euro dhe që krijojnë minimalisht 20 vende pune për 3 vjet (në rastin e ndërtimit të hoteleve me më shumë se 3 yje).

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz