Kjo lëvizje do të zgjidhte përplasjen ligjore mes zgjedhjes së guvernatorit nga Presidenti parashikuar në Kushtetutë (neni 161/2- guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje) dhe ligjit ku parashikohet se kryetari i Këshillit Mbikëqyrës (guvernatori) është një nga nëntë anëtarët e tij…
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në një mbledhje të posaçme të ditës së premte ka propozuar kandidaturën për guvernator të Presidentit, z.Genti Sejko, si anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës, ka mësuar Monitor.al.
Sipas burimeve të pakonfirmuara nga banka, pritet që z.Sejko të votohet si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë javën e ardhshme. Sipas nenit 44/2, germa c të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, institucioni monetar qendror ka të drejtë të propozojë një anëtar të Këshillit Mbikëqyrës.
Kjo lëvizje do të zgjidhte përplasjen ligjore mes zgjedhjes së guvernatorit nga Presidenti parashikuar në Kushtetutë (neni 161/2- guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje) dhe ligjit ku parashikohet se kryetari i Këshillit Mbikëqyrës (guvernatori) është një nga nëntë anëtarët e tij.
Mësohet se Banka e Shqipërisë do të mblidhet edhe nesër (të shtunën). Mësohet gjithashtu se anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës kanë takuar sot kryeministrin Rama dhe kreun e opozitës Lulzim Basha, pas takimit të disa ditëve më parë me kreun e Parlamentit Ilir Meta dhe duket se palët kanë rënë dakord për këtë skemë (propozimit e z.Sejko si anëtar i KM dhe me pas më pas, kandidatura e tij t’u nënshtrohet seancave dëgjimore në Kuvend dhe votimit në seancë plenare).
Pas shkarkimit nga Kuvendi të ish guvernatorit Ardian Fullani, procesi u fut në një ngërç për rreth tre muaj, teksa qeveria dhe presidenca nuk po gjenin gjuhën e përbashkët për emrin e guvernatorit të ri. http://www.monitor.al/zgjedhja-e-guvernatorit-te-ri-cfare-parashikon-komentari-i-bankes-se-shqiperise/
Rreth tre javë më parë, Presidenti Bujar Nishani dekretoi z.Genti Sejko si kandidatin e tij për guvernator. Fillimisht emri i tij u prit me skepticizëm nga Pozita, http://www.monitor.al/brace-i-pret-rrugen-sejkos-guvernatori-duhet-te-vije-nga-keshilli-mbikeqyres/ por javën e fundit gjakrat duket se u zbutën, pas deklaratave të z.Meta se do të prisnin seancën degjimore me kandidatin e propozuar nga Presidenti. http://www.monitor.al/meta-presim-veteprezantimin-e-kandidatit-te-presidentit/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.