Këshilli i Ministrave çel aplikimet për tre anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

19/09/2018 5:36 PM 0 komente

Këshilli i Ministrave ka shpallur zyrtarisht aplikimet për funksionet e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Zgjedhja e anëtarëve të rinj do të bëhet në përfundim të mandatit të 3 prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, thuhet në njoftimin zyrtar të kryeministrisë. Afati i dorëzimit të aplikimit, deri më 30 shtator 2018.

Gjithsej janë 6 anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës që u mbaron mandati në nëntor 2018, por qeveria ka të drejtë të propozojë vetëm 3 anëtarë.

Burime zyrtare nga Banka e Shqipërisë pohojnë se guvernatori aktual, Gent Sejko, ndonëse ka marrë mandatin zëvendësues si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Adrian Civicit në shkurt të vitit 2015, dhe ka zëvendësuar guvernatorin e larguar para kohe Ardian Fullani, është dekretuar nga Presidenti i Republikës si guvernator i Bankës së Shqipërisë me një mandat të plotë 7 vjeçar. Duke qenë se Kushtetuta prevalon mbi ligjin e Bankës së Shqipërisë, Z.Sejko mbetet guvernator i Bankës për një periudhë të plotë 7 vjeçare, sqarojnë burimet zyrtare të Bankës.

Ndërsa të gjithë anëtareve të tjerë, me përjashtim të z.Sejko, zëvendës guvernatores Natasha Ahmetaj dhe anëtarësit Tonin Kola, do të vazhdojnë aktivitetin normalisht deri në vitin 2022.

Gjashtë anëtarët e tjerë që u mbaron mandati në nëntor të këtij viti, janë:
-Dhori Kule është zgjedhur anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në nëntor të vitit 2011.
Ela Golemi është zgjedhur anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në nëntor 2011 dhe nga muaji gusht 2015 është anëtare edhe e Komitetit të Auditimit të Bankës së Shqipërisë.
-Elisabeta Gjoni është Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë që prej muajit janar 2012. Ajo është edhe anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që prej muajit nëntor 2011.
-Petraq Milo është zgjedhur anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në nëntor të vitit 2011
Arben Malaj-zëvendësoi mandatin e Ermelinda Meksit
Denada Prifti ka marrë mandat zëvendësues në nëntor 2014

GENT SEJKO u emërua Guvernator i Bankës së Shqipërisë në datë 5 shkurt 2015 nga Kuvendi i Shqipërisë, bazuar në dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ai mori mandatin e lënë përgjysmë të nisur nga guvernatori Fullani në vitin 2011.

Kush propozon
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë përbëhet nga 9 anëtarë.
Sipas ligjit të Bankës së Shqipërisë, të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, mbështetur në propozimet e bëra si më poshtë:
-Pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi;
-Tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave;
-Një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës.
Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit të Republikës.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë zgjedh dhe emëron zëvendësguvernatorët, mbështetur në propozimin e bërë nga guvernatori.

KRITERET
Në përfundim të mandatit të 3 prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Këshilli i Ministrave inkurajon personat që përmbushin kriteret të aplikojnë, thuhet në njoftimin zyrtar.

Aplikanti duhet të plotësojë kriteret, si më poshtë vijon:
1. Të ketë:
a) arsimin e lartë ekonomik ose juridik;
b) përvojë profesionale në çështje financiare dhe bankare;
c) kualifikime profesionale të profilit;
ç) përvojë pune mbi pesë vjet në administratën publike ose në institucionet financiare dhe bankare.

2. Të mos ketë pengesat e mëposhtme:
a) është dënuar nga gjykata për një vepër penale, për të cilën ligji parashikon dënimin me burgim;
b) është në pamundësi për të paguar detyrimet monetare ose është deklaruar i falimentuar dhe nuk është rehabilituar;
c) është ndaluar ose pezulluar nga gjykata të ushtrojë detyrën si nëpunës shtetëror apo në shërbimin publik ose të ushtrojë veprimtarinë apo mjeshtërinë;
ç) gjatë ushtrimit të detyrës, në mënyrë aktive merr pjesë në veprimtari politike.
Funksioni i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës është i papajtueshëm me atë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, të deputetit në Kuvend, të anëtarit të Këshillit të Ministrave, si dhe të punonjësit, të administratorit dhe të aksionarit, me pjesëmarrje ndikuese në bankën e nivelit të dytë ose në subjektet që licencohen nga Banka e Shqipërisë.

Dokumentet që duhet të dorëzohen janë:
⦁ Kërkesë për aplikim;
⦁ Kopje e letërnjoftimit;
⦁ Curriculum Vitae në gjuhën shqipe;
⦁ Dokumente të diplomimit dhe të kualifikimeve profesionale të kërkuara;
⦁ Dokument që të provojë vjetërsinë në profesion;
⦁ Formular të plotësuar e të firmosur të vetëdeklarimit për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, në përputhje me ligjin nr.138/2015, të ndryshuar;
⦁ Vetëdeklarim se nuk është në pamundësi për të paguar detyrimet monetare ose deklaruar i falimentuar;
⦁ Vetëdeklarim se nuk është ndaluar ose pezulluar nga gjykata të ushtrojë detyrën si nëpunës shtetëror apo në shërbimin publik ose të ushtrojë veprimtarinë apo mjeshtërinë;
⦁ Vetëdeklarim se gjatë ushtrimit të detyrës nuk merr pjesë në mënyrë aktive në veprimtari politike.
(Deklarimi i rremë, përveç përgjegjësisë penale sipas ligjit, sjell përjashtimin nga çdo procedurë e mëtejshme.)

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of