Flet Enkelejd Musabelliu, këshilltar i ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
Herë pas here, rikthehet nevoja për të rishikuar skemën e pensioneve, në fakt, cilat janë ato elemente që nuk kanë funksionuar?
Skema e pensioneve që kemi është ajo që njihet si “Pay as you go” dhe është një nga tri modelet e që njihet si skema “bismarkiane” dhe bazohet te solidariteti ndërbrezor, ku të punësuarit e një gjenerate paguajnë pensionin e gjeneratës aktuale të pensionistëve, duke marrë premtimin nga shteti se kur këta të arrijnë moshën e pensionit, ai do të paguhet nga të punësuarit e gjeneratës së ardhshme. Pra, kjo skemë kur ka nisur të zbatohet (përpara 100 viteve) bazohej në atë që duhet të kishte shumë punësim, që të funksiononte, duke dhënë atë që njihet si raporti mes kontribuuesve dhe përfituesve, që në gjuhë teknike njihet si “norma e varësisë”. Në botë, kjo skemë ka “vuajtur”, pikë së pari nga plakja e popullsisë, pra jetëgjatësia e individëve është rritur në një kohë kur norma e fertilitetit ka rënë, pra si rrjedhim ka më pak lindje dhe ka më shumë plakje dhe si rrjedhojë, raportet e normës së varësisë kanë ndryshuar. Ndaj është parë e nevojshme që kjo skemë të reformohet dhe shumë vende në botën perëndimore kanë kaluar drejt llogarive individuale (edhe ku një gjeneratë ndihmon një gjeneratë) dhe në fund kur del në pension merr kontributin.
Por, le të kthehemi te skema shqiptare…
Problemi i parë ka të bëjë me faktin se kjo skemë është shumë deficitare. Referuar shifrave, mund të themi se për vitin 2013 të ardhurat nga kontributet në Institutin e Sigurimeve Shoqërore kanë qenë rreth 52 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet 94 miliardë lekë. Pra, kemi një deficit prej 42 miliardë lekësh ose 45% të totalit të shpenzimeve të ISSH-së. Duke marrë në konsideratë skemën, i bie që të punësuarit në Shqipëri kontribuojnë dy herë: një herë me kontributin e tyre paguajnë pensionet e pensionistëve dhe së dyti përmes transfertave qeveritare (që gjithashtu paguhet nga taksimi) paguajnë pjesën e subvencionimit të pensioneve. Në këtë rast kemi të bëjmë me një taksim të dyfishtë.
Problemi i dytë ka të bëjë me normën e varësisë, edhe pse në rastin e Shqipërisë nuk është përkeqësuar, për shkak të popullsisë, duke qenë se jemi ende një ndër popujt e rinj në Europë, por nga norma e ulët e punësimit.
Në vendin tonë, raporti mes kontribuuesve dhe përfituesve është afërsisht 1:1. Janë rreth 600 mijë kontribuues që paguajnë për 560 mijë përfitues. Në një kohë kur raporti korrekt duhet të ishte mbi atë 4:1.
Ajo që mund të thuhet është se kjo normë varësie është një nga shkaktarët kryesorë që skema nuk ka funksionuar si duhet. Ndërkohë që thellimi i deficitit ka edhe një arsye tjetër, që është rritja e pensioneve në mënyrë abuzive. Sot, në ligjin “Për Sigurimet Shoqërore” ekziston një dispozitë, sipas së cilës pensionet duhet të indeksohen me normën e inflacionit, por kjo nuk do të thotë që duhet të rriten mbi normën e inflacionit. Kjo e fundit është në dorën e qeverisë, ndaj dhe gjatë tetë viteve të shkuara, për arsye politike është bërë rritje e pensioneve në një nivel jo të arsyeshëm. Për të ilustruar këtë, mund t’ju sjell dy shembuj: Në vitin 2005, deficiti i sigurimeve shoqërore ka qenë 12 miliardë lekë, në 2013 ishte 42 miliardë lekë, pra deficiti, vetëm për shkak të rritjeve arbitrare, është rritur me rreth 160% në 8 vjet. Ndërkohë që numri total i pensionistëve është rritur vetëm me 4%. Pra, kemi një thellim të vazhdueshëm të deficitit, çka tregon se skema “nuk mban dot veten në këmbë”.
Tjetër problem mbetet shkalla shumë e ulët e mbulimit. Sigurimet shoqërore janë publike dhe janë të detyrueshme për këdo, sepse e mira publike është më e madhe dhe kostot sociale janë më të ulëta. Nëse iu referohemi të dhënave: janë mbi 3 milionë shqiptarë që jetojnë në Shqipëri dhe 560 mijë prej tyre janë përfitues të pensioneve, heqim këtu nxënësit apo studentët i bie që 1.6-1.8 milionë shqiptarë janë popullsi aktive, pra në moshë pune, nga këta, vetëm 640 mijë janë kontribuues. Kjo do të thotë se rreth një milion shqiptarë mbeten jashtë skemës dhe kur ata të arrijnë moshën e daljes nuk do të mund të përfitojnë edhe për shumë arsye të tjera, si informaliteti, mungesa e ndërgjegjësimit më shumë nga ana e popullsisë rurale që është e vetëpunësuar në bujqësi dhe nuk derdh kontribute. Nga ana tjetër, edhe skema në vetvete ka probleme, sepse nga 640 mijë që derdhin kontribute, pjesa më e madhe e tyre deklaron vetëm pagën minimale. Sipas të dhënave, çdo biznes i vogël siguron mesatarisht 1.4 punonjës, një tregues shumë i ulët ky, ndërsa nga ana tjetër, edhe rreth 60% e pagave në sektorin privat jobujqësor janë minimale, që nuk i përgjigjet shumë logjikës së tregut. Gjithashtu kjo skemë që zbatohet sot në Shqipëri nuk i nxit individët që të kontribuojnë. Këtu e kam fjalën për atë që njihet si pensioni maksimal. Në bazë të ligjit të sotëm, ne nuk e kemi të “çliruar” kontributin dhe marrjen e përfitimeve. Ekziston një pagë minimale dhe maksimale kontributive (përkatësisht 18,295 dhe 91,475) në një kohë kur pensioni minimal në qytet është rreth 11.500 lekë dhe ai maksimal rreth 23,000 lekë. Kjo do të thotë se individët me paga mesatare dhe të larta të paguajnë pesë herë më shumë se ata me paga të ulëta dhe të përfitojnë sa dyfishi i pensionit minimal. Në këtë mënyrë kemi një çrregullim në raportin mes kontribuuesve dhe përfituesve dhe si rrjedhojë, individët të mos kenë interes për të deklaruar pagën reale.
Të gjithë këto probleme kanë çuar në thellimin e deficitit të skemës së pensioneve, që arrin në 45% të totalit të shpenzimeve të ISSH-së dhe masa e tyre nuk është e lartë për ata që paguajnë shumë.
E që këtu lind nevoja për reformim…?
Nëse do të lejohet që të vazhdohet me këtë skemë, atëherë deficiti do të vazhdojë të thellohet. Përfitimet do të jenë të ulëta, sikundër e përmendëm edhe më lart. Do të vazhdojë të mbetet problemi i mbulimit, ku një pjesë shumë e madhe e forcës aktive sot rrezikon të mbetet pa pension. Nga ana tjetër, edhe zhvillimet demografike do ta rëndojnë më tej skemën. Duhet të kemi parasysh faktin se skema e pensioneve në Shqipëri ka filluar në vitin 1947. Pra, gjatë vitit 2013 dolën në pension ata që kanë lindur në vitet ‘48-‘49. Pas Luftës së Dytë Botërore, popullsia shqiptare u rrit me ritme të shpejta. Tani kjo moshë (pra që ishte baby boom-i i asaj periudhe) do të dalë e gjitha në pension, pra do të kemi një rritje pak më të shpejtë të numrit të pensionistëve krahasuar me numrin e kontribuuesve. Por, edhe në Shqipëri, normat e fertilitetit po bien, ndaj në të ardhmen skema do të kërcënohet edhe nga rritja demografike, çka e bën të domosdoshme reformën.
Dhe qeveria në këtë reformë asistohet nga ndërkombëtarët?
Banka Botërore, por edhe FMN-ja, kanë asistuar pothuajse të gjitha reformat e pensioneve që janë ndërmarrë në Shqipëri, duke filluar që nga viti ‘93.
Cilat janë sugjerimet që vijnë nga ndërkombëtarët, ku duhet të ndërhyhet?
E gjithë problematika që parashtruam më sipër nënvizohet si e rëndësishme për t’u zgjidhur. Të gjithë (institucionet vendase, ato ndërkombëtare apo edhe palët e tjera të interesit) janë të mendimit që duhet një reformë e thellë e pensioneve. Por, pasi të jenë dëgjuar të gjitha palët do të jetë qeveria ajo që do të vendosë se cila do të jetë skema më efikase për t’u zbatuar. Duhet të kemi parasysh se është një reformë që prek çdo aspekt të jetës ekonomike, të tregut të punës, sektorit privat etj. Është e rëndësishme që të arrihet konsensus shoqëror, nuk mund të bëhet brenda një nate.
Flitet për skenarë, a ka të tillë? Në çfarë faze jemi aktualisht?
Nuk jemi ende në fazën e përgatitjes së skenarëve. Shumë shpejt, grupi ndërministror i punës, i drejtuar nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë do të përpunojë skenarët, do t’i përgatisë dhe më pas do të diskutohen me grupet e interesit dhe partnerit. Pas kësaj, mund të themi që do të mund të kemi një vendim me konsensus, që besoj nuk do të mungojnë.
A mund të hedhim dritë mbi disa parime?
Në fakt, ka disa parime që janë ravijëzuar. Ne folëm për faktin se një pjesë shumë e madhe e popullsisë rrezikon të mbetet pa pension, ndaj dhe për të rregulluar këtë ngërç është propozuar ai që quhet pension social. Një pension që do të jetë i disponueshëm për këdo që do të mbushë moshën e pensionit dhe që do të garantojë një jetesë të denjë. Ka dy aspekte që lidhen me këtë pension social. Mund të vendoset që të financohet në një nga dy mënyrat: nga buxheti i shtetit dhe të mbulohet nga taksimi i përgjithshëm (në këtë rast do të hiqen kontributet shoqërore) dhe do të jetë i disponueshëm për çdo qytetar që do të ketë mbushur moshën për pension. E në këtë rast do të kemi një pagesë të “sheshtë” që mund të vendoset me VKM. Ky është një model që sot zbatohet nga Zelanda e Re.
Skenari i dytë është që të jetë kontributiv dhe të kryesojë elementi rishpërndarës i skemës. Kjo do të thotë që nëse dikush ka pasur një pagë minimale ose nëse nuk ka arritur dot të plotësojë vjetërsinë e punës që nevojitet sot (35 vjet) mund të merret një kontribut nga ata që kanë paga të larta dhe që të garantohet që kjo kategori të mund të arrijë të kapë pensionin social. Supozojmë se, nëse bëhet kontributiv mund të vihet një kusht, siç është derdhja për 15 vite kontribute për të përfituar pensionin social. Kjo do të zgjidhte problemin e parë të skemës, pra të mbulimit të së gjithë shoqërisë. Në rastin e pensionit kontributiv mund të lindë pretendimi se skema përjashton një kategori të caktuar, por unë besoj se nuk ka qytetarë sot që gjatë jetës së tyre, të mos arrijnë të punojnë të paktën 15-16 vjet.
Por, ende nuk është vendosur nëse do të jetë kontibutiv apo nga taksimi i përgjithshëm, por parimisht do të garantojë një minimum jetik.
Për të zgjidhur problemin e dytë, atë të uljes së deficitit, do të synohet rritja e kontributeve. Shqipëria shpenzon pak në krahasim me vendet e rajonit sa u përket pensioneve, por në rastin tonë, problemi qëndron te mbledhja e kontributeve. Ndaj një masë që duhet marrë do të jetë edhe nxitja e individëve që të kontribuojnë më shumë. Një pjesë e mirë do të mund të jetë marketing, pasi të gjithë duhet të binden se pensioni nuk është dhuratë nga shteti, por janë kontributet ndër vite.
Parimi i dytë, teorik, që mendohet se mund të ndiqet, është që ai të plotësohet me një skemë paralele ose me një komponent që do të ketë një lidhje reale mes kontributeve dhe përfitimeve. Pra, nuk do të ketë një pagë maksimale kontributive, sepse nuk mund të ketë kufizime dhe kjo do të vlejë edhe për pensionin maksimal. Duhet t’u jepet mundësia që individët që kanë paga më të larta dhe kontribuojnë më shumë, të kenë të drejtë të marrin pension më të lartë. Këto janë dy mënyra që rrisin shkallën e mbulimit dhe ulin deficitit.
A do të ndryshojë mosha e pensionit për femrat dhe meshkujt?
Ka vende që e kanë barazuar moshën e daljes në pension mes meshkujve dhe femrave, disa të tjerë jo, por projeksionet, rekomandimet thonë se në Shqipëri ky barazim mund të vijë në një periudhë të gjatë kohore, por në periudhën afatshkurtër nuk do të flasim për një ndryshim të moshës së pensionit. Për gratë do të jetë 60 vjeç dhe burrat 65 vjeç.
A ka një afat për ravijëzimin e reformës?
Besoj se do të jetë brenda këtij viti. Është një çështje që kërkon studime demografike, makroekonomike, pra të dhëna të shumta. Mund të themi se brenda qershorit do të mund të kemi disa propozime që pastaj do të hidhen për diskutim e më pas do të vendoset. Qeveria ka marrë angazhim që kjo reformë të përfundojë brenda këtij mandati. Zbatimi i saj mund të shtrihet në një periudhë më të gjatë kohore.
Pensioni Social: Ka dy aspekte që lidhen me këtë pension social. Mund të vendoset që të financohet në një nga dy mënyrat: nga buxheti i shtetit dhe të mbulohet nga taksimi i përgjithshëm (në këtë rast do të hiqen kontributet shoqërore) dhe do të jetë i disponueshëm për çdo qytetar që do të ketë mbushur moshën për pension. E këtë rast do të kemi një pagesë të “sheshtë”, që mund të vendoset me VKM. Ky është një model që sot zbatohet nga Zelanda e Re.
Skenari i dytë është që të jetë kontributiv dhe të kryesojë elementi rishpërndarës i skemës.
Për ata me paga të larta: Pra, nuk do të ketë një pagë maksimale kontributive, sepse nuk mund të ketë kufizime dhe kjo do të vlejë edhe për pensionin maksimal. Duhet t’u jepet mundësia që individët që kanë paga më të larta dhe kontribuojnë më shumë, të kenë të drejtë të marrin pension më të lartë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.