Drejtimi i Frette, firma që prodhoi çarçafët e trenit të famshëm “Orient Express” dhe anijes gjigante “Titanic”, do të ndryshojë “fytyrë”. Por, lajmi nuk është se do t’i përkasë një investitori të huaj. Edhe më parë ka qenë kështu. Shtëpia antike milaneze do të kalojë nga një fond në San Francisko në një Londër. Dhe lajmi është pikërisht këtu, se askush nga investitorët italianë nuk ishte i gatshëm ose i aftë që të prezantonte një ofertë ose një projekt industrial më të mirë.
Kjo po ndodh shpesh vitet e fundit dhe në sektorë të ndryshëm: nga ai i ushqimeve me Parmalat që u ble nga francezët e Lactalis, te Ducati që i kaloi grupit Volkswagen, blerjet e grupit zviceran Lvmh të Bulgari, Loro Piana ose pastiçerisë Cova e deri te marrja e kontrollit të Indesit nga amerikanët e Whirlpool…
Mbetet i drejtë njëfarë dyshimi për asimetrinë. Vlera botërore e blerjeve dhe shkrirjeve të bizneseve për vitin 2013 arriti në 1,500 miliardë dollarë dhe ndoshta 2014-a do të përmbysë rekordin e arritur në vitin 2007. Nga farmaceutika tek energjia, nga Pfizer e General Electric mbërrijnë oferta për të krijuar të ashtuquajturin Mammuth. Por, Italia është më shumë “pre” sesa gjahtare.
Një kërkim i “Roland Berger” tregon se: që nga fillimi i krizës botërore në vitin 2009, industria prodhuese “made in Italy” ka nisur ta marrë veten, por nuk është ende në gjendje të krijojë një të ardhme të sigurt. Ajo që shkakton më shumë probleme janë borxhet e së kaluarës. Pas “rënies” së Lehman Brothers, ekonomia italiane shënoi një rënie prej 5%, ndërsa investimet industriale në 9%: në këto kushte është e vështirë të ruhet konkurrueshmëria nëse nuk ndryshohet mënyra e financimit dhe me të, edhe vetë struktura e ndërmarrjes. Të dhënat e “Roland Berger”, grupit të konsulencës, tregojnë se kriza po merr me vete edhe fundin e kapitalizmit italian të krijuar nga bizneset e mesme familjare, që qëndronin të pavarur edhe falë financimit nga bankat.
“Roland Berger” bën të ditur se që nga fillimi i krizës së vitit 2009, sektori që ka rritur më shumë xhiron në Itali, duke e çuar nga 44 në 72 miliardë euro, është ai që ofron shërbime të tilla si uji apo elektriciteti. Xhiroja e tyre është rritur me rreth 63%. Një sipërmarrje që është mbështetur nga rritja e tarifave, por që pavarësisht të gjithave, mezi arrin të “qëndrojë në këmbë”. Problemi nuk qëndron te kapacitetet e këtyre sipërmarrjeve për të shitur produktet e tyre në botë, por te fitimi i parave duke e bërë këtë. Ngarkesa fiskale, burokracitë, interesat e bëjnë gjithnjë e më të ulët marzhin bruto operativ. Në këto kushte nuk habit aspak fakti se në pothuajse të gjithë sektorët industrialë italianë (përjashtuar atë të veshjeve) investimet kanë shënuar rënie.