Edhe kompania koreane është gjithashtu pjesë e tregut gjithnjë e më të gjallë të Suv-eve të vegjël. Modeli i ri është modern, i rrjedhshëm dhe stimulues
Kia Stonic ngjall menjëherë simpati: përmasat janë ato që duhet kur bëhet fjalë për një Suv qyteti. Pjesa ballore, e projektuar në përputhje me stilet e fundit të kompanisë koreane dhe linjat e karrocerisë, jo fort të drejta, por mjaftueshëm dhe pa ekzagjerim, i dhurojnë karakter. Pozicioni i drejtimit është i lartë, me shikueshmëri të mirë. Paneli qendror, edhe ai gjithashtu i ngritur, ndan vendet e përparme. Sedilja është e rehatshme, e rregullueshme dhe me formë siç kërkohet për një mbështetje të mirë të trupit.
Instrumentet janë klasikë, me takimetrin dhe matësin e shpejtësisë të dukshëm përpara syve, të ndarë nga një ekran i gjerë në të cilën ndërveprojnë informacionet e kompjuterit të kabinës. Sistemi multimedial është i lehtë për t’u përdorur në sajë të butonave të vendosur në anët e ekranit, të cilët lehtësojnë përdorimin kur është fjala për të kaluar nga një funksion në tjetrin. Hapësira në kabinë nuk mungon, madje edhe mbrapa, ku, edhe pse sediljet janë pak më të larta se mesatarja, mund të rehatohesh mjaft mirë: një rezultat i kënaqshëm, nëse mbahet parasysh se Stonic është vetëm 414 centimetra e gjatë.
Nuk mund të lëmë pa përmendur bagazhin, i cili sipas konstruktorit, ofron një kapacitet mjaft të mirë, prej 352 litrash. Në rrugë, Kia e vogël tregon menjëherë një entuziazëm të lindur. Motori tre-cilindërsh punon mirë, është i fuqishëm 120 kf, ka moment përdredhës 172 Nm dhe përgjigjet me progresion të mirë që në regjimet më të ulëta. Përveç kësaj, nuk vibron – vetëm në momentin e ndezjes, ndihet ndonjë dridhje më shumë – dhe bën pak zhurmë.
Ky model të mundëson një udhëtim të këndshëm, dhe jo vetëm në qytet. Në pritje të kambios me friksion të dyfishtë, që do të mbërrijë më vonë, kambio manuale me gjashtë marshe vlerësohet për ndryshimet e raporteve të shkurtra dhe të sakta, si dhe për të friksionin, ndonëse jo fort të lehtë. Me pak fjalë, një ftesë për ngarje, e mbështetur edhe nga suspensionet, mjaft mirë të vendosura, si dhe nga sistemi i drejtimit, i shpejtë dhe i saktë, për këtë lloj makine. Në thelb, një kompromis i mirë mes kënaqësisë në drejtim dhe komfortit, ku, megjithatë, i pari mbizotëron kundrejt të dytit.
1.0 T-GDI ENERGY
Të dhëna teknike
Motori
•L3 turbobenzinë
•Cilindrata 998 cm3
•Fuqia maksimale 88 kW (120 kf) a 6.000 xhiro/min
•Momenti përdredhës maks. 172 Nm nga 1.500 në 4.000 xhiro/min
Transmisioni
•Traksion në rrotat e para
•Kambio manuale me 6 marshe
Performanca
•0-100 km/h 10,3 s
•Konsumi mesatar 20,0 km/l
Përmasat dhe pesha
•Hapi 258 cm
•Gjatësia 414 cm
•Gjerësia 176 cm
•Lartësia 150 cm
•Pesha 1.260 kg
Çmimi
•21.250 €
Bën përshtypje të caktuar drejtimi i Kia-s së akredituar me një shpejtësi maksimale prej 270 km/h. Ajo të befasohen dhe intrigon, sepse Shtëpia koreane nuk e kishte shkelur më parë këtë fushë. Por rezultati është i dukshëm: Stinger është një makinë e mrekullueshme. Linjat e tendosura që fillojnë që përgjatë kofanos, pjesa e prapme aspak banale, vëllimet dhe përmasat, të tërheqin menjëherë. Po ashtu edhe kabina. Pozicioni i shoferit është realizuar sipas rregullave klasike për një drejtim të rehatshëm.
I zgjedhur, por pa ekzagjerime ambienti në kabinë, i cili vende vende është pothuajse minimalist. Sidoqoftë ka gjithçka që nevojitet, të realizuar mirë dhe me kujdes. Motori V6 bi-turbo vlerësohet më shumë për momentin përdredhës, 510 Nm, se sa për fuqinë, ndonëse edhe nuk është e paktë: plot 370 kf, e cila shkarkohet në asfalt me efektikasitet të lartë, falë edhe kambios automatike me tetë marshe dhe traksionit integral, aq sa duhet për të arritur 100 km/h nga nisja në më pak se pesë sekonda, dhe për të shtyrë në mënyrë tejet të rafinuar në shpejtësi të lartë, fushë në të cilën nuk mund të arrihet pa një studim të hollësishëm të shasisë.
Nga ana tjetër, Stinger ka lindur dhe është rritur kthesave të Nürburgringut, ku Kia ka qendrën e vet europiane të testimeve. Në timon, ajo vlerësohet veçanërisht për ekuilibrin e arritur midis komponentëve të ndryshëm, që reflektohet në një lehtësi drejtimi të mahnitshme. Shasia, sistemi i drejtimit dhe frenat, këto të fundit të realizuar nga Brembo, përgjigjen në mënyrën më të mirë. Vetura koreane, as nuk është, dhe as nuk dëshiron të jetë makinë ekstreme, por një GT e vërtetë. Qëllimi duket i arritur.
Të dhëna teknike
Motori
•V6 turbobenzinë
•Cilindrata 3.342 cm3
•Fuqia maksimale 272 kW (370 kf) në 6.000 xhiro/min
•Momenti përdredhës maks. 510 Nm nga 1.300 në 4.500 xhiro/min
Transmisioni
•Traksion integral
•Kambio automatike me 8 marshe
Performanca
•0-100 km/h 4,9 s
•Konsumi mesatar 9,4 km/l
Përmasat dhe pesha
•Hapi 291 cm
•Gjatësia 483 cm
•Gjerësia 187 cm
•Lartësia 140 cm
•Pesha 1.909 kg
Çmimi
• i papërcaktuar
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.