Kina ka dyfishuar hapësirën e luhatjes së vlerës së monedhës së saj të tregtuar kundrejt dollarit amerikan për herë të parë që nga viti 2007. Që nga fillimi i javës së kaluar, niveli i këmbimit të yuan-it me dollarin do të lejohet të luhatet me 1%, nga 0.5% që pranohej më parë.
Banka Qendrore Kineze do të lejojë monedhën e saj të mund të luhatet brenda një norme dy herë më të lartë se më parë përkundrejt dollarit, në këmbimin ditor që prej së hënës së javës së kaluar.
Fasha e tregtimit të yuan-it me dollarin do të rritet nga 0.5% në 1%, çka do të lejojë që vlera e monedhës kineze kundrejt dollarit amerikan të mund të tregtohet pak më lirë.
Lëvizja e paralajmëruar shumë kohë më parë vjen një javë para takimit vjetor që zhvillohet në pranverë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Uashington, ku presioni që Kina të lirojë kontrollin ndaj monedhës së saj është rritur vazhdimisht.
Edhe pse rritja e nivelit të luhatjes është e vogël, ajo mund të tregojë se Pekini është i gatshëm të bëjë lëshime ndaj SHBA-ve dhe vendeve të tjera perëndimore, të cilët mbështesin prej kohësh idenë se kontrolli i Kinës ndaj monedhës së saj, do të thotë se monedha e tyre është aq e dobët sa i jep Kinës një avantazh konkurrues, duke i bërë eksportet kineze më të lira jashtë vendit.
Gjithsesi, së fundi, suficiti disa miliardë dollarë i tregtisë së jashtme të Kinës me vendet më të zhvilluara industriale është ngushtuar, madje në muajin shkurt rezulton në deficit, duke bërë më pak të ngjarë që yuan-i të mund të vlerësohet ndjeshëm. Drejtuesit kinezë kanë thënë në të shkuarën se planifikojnë një tregti të lirë të yuan-it, por ata këmbëngulin se ndryshimet e papritura dhe drastike do të përçajnë ekonominë.
Banka Qendrore ka marrë hapin e pazakontë për të bërë një deklaratë në gjuhën angleze, ashtu si edhe në gjuhën kineze, ndoshta për t’u siguruar se mesazhi i saj është marrë nga partnerët tregtarë të Perëndimit. Yuan-iAlpha ishte lidhur me dollarin deri në korrik të vitit 2005 dhe që atëherë është vlerësuar 30% ndaj dollarit. Banka Qendrore Kineze përcaktoi një normë këmbimi të përditshme yuan/dollar, duke lënë pak hapësirë për luhatje.