kështu thonë sot të gjithë grupet që pretendojnë se janë pronarë të tokave (përfshi këtu edhe pronarë të objekteve): pronarët, të cilët u shpronësuan sipas ligjeve komuniste pas vitit 44; pronarët, të cilët përfituan prona gjatë viteve të tranzicionit si pasojë e proceseve të shit-blerjeve; pronarët, të cilët zaptuan prona në vitet e fundit; apo pronarët e shndërruar të tillë prej përfitimit të pronave në mënyrë abuzive. Të gjithë quhen pronarë. Për t i dalluar nga njëri-tjetri, madje, është shpikur një terminologji e tërë: pronarë të vjetër; pronarë të rinj; pronarë ta paformalizuar etj.. Të jemi të qartë: jo të gjithë janë pronarë, në këtë koncept. Nëse është pranuar që trajtimi i çështjeve të pronësisë në periudhën 1944-1990 ishte një devijim nga logjika e të drejtës pronësore të njohur e të përpunuar botërisht në shekuj, trajtimi që po i bëhet kësaj çështjeje pas viteve 90 nuk po kuptohet më se çfarë është. Prona është e shenjtë! Pikërisht, mbas viteve 90 hapi i parë që duhej të bëhej ishte njohja e kësaj shenjtërie dhe rikthimi i të drejtave pronarëve «të vjetër», por të vërtetë, të shpronësuar me dhunë. Kjo duhet të përbënte parimin bazë në reformën ekonomike pas viteve 90, sidomos përsa i përket të drejtës së pronësisë. Modalitetet për kthimin e pronës tek i zoti i saj, më pas, do të duhej të zgjidheshin në varësi me mundësitë fizike (dmth për kthimin fizik të pronës atje ku ishte e mundur) e financiare (dmth në varësi të gjendjes së financave të shtetit), të shtrira në kohë dhe në bazë të një studimi dhe inventari fizik të saktë. Siç u bë në fund të fundit edhe në një sërë vendesh të tjera ish-socialiste. Nëse do të përcaktohej drejt parimi bazë: prona tek i zoti, gjithçka tjetër do të ishte më e lehtë për t u zgjidhur dhe do të kishte mirëkuptimin e të gjithë palëve.Ajo ç ka ndodhi dhe po ndodh në fakt është vetëm një lëmsh, që nuk dihet më nëse do të zgjidhet ndonjëherë. Kjo sepse, nga njëra anë u hoq dorë nga ndjekja e logjikës specifike të së drejtës së pronës në ekonominë socialiste dhe, nga ana tjetër, nuk u rikthyem në logjikën e përpunuar dhe të pranuar prej shekujsh mbi të drejtën e pronësisë. Tashmë kemi përfunduar në një sistem hibrid me të cilin mund ta kalojmë sikletin për ca kohë. Por kemi harruar se në këtë mënyrë është prekur një nga shtyllat bazë të ekonomisë. Në këtë mënyrë askush nga ata, që kanë krijuar pronën e vet në këto vite ose do ta krijojnë në të ardhmen, nuk është i sigurt. Precedenti i krijuar është i rrezikshëm. Prandaj të mos çuditemi kur do të renditemi të fundit në rajon për thithje investimesh të huaja, për nivel të investimeve të brendshme etj., etj. Kush do të rrezikonte në një vend kur «toka-pronë të dridhet nën këmbë» dhe çdo pronë tjetër lëkundet sikur e ka zënë tërmeti. Nëse Shqipëria ndodhet në një zonë ku tërmetet nuk janë dukuri e rrallë, duhej që këto tërmete natyrore të mos shndërroheshin në tërmete legjislative.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.