Flet Dr. Sherefedin Shehu, profesor dhe konsulent i pavarur
Shkrirja e administratave, e njoftuar nga qeveria, do të ketë kosto të madhe për shkak të peshës së doganave në sigurimin e të ardhurave në buxhet dhe konfuzionit të pashmangshëm në procesin e ristrukturimit dhe riorganizimit të tyre. Për të garantuar dhe për të rritur eficencën e administratës fiskale, bashkimi i administratës tatimore dhe doganore nuk duhet konsideruar si një akt i thjeshtë administrativ dhe do të ishte më mirë të realizohej si një riorganizim i funksioneve dhe jo i administratave fiskale
Dr. Sherefedin Shehu, i cili ka qenë zëvendësministër dhe anëtar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, është i mendimit se ristrukturimi i ministrive nuk i shërben qëllimit të krijimit të një qeverie të vogël, por ai është i motivuar politikisht, i pastudiuar dhe më shumë do të sjellë një përqendrim të pushtetit në disa duar të caktuara. Lidhur me bashkimin e tatimeve me doganat, ai pohon se për këtë, më parë duhet të ndërmerren disa masa strukturore për zhveshjen e doganave nga funksionet fiskale dhe më pas, këto funksione të integrohen në administratën tatimore.
Cili është vlerësimi juaj për reformën në institucione në drejtim përqendrimit?
Në pamje të parë është një vendim që duhet përshëndetur, sepse përputhet me filozofinë e të djathtëve, për qeveri të vogël dhe ulje të rolit dhe peshës së shtetit në ekonomi. Por, duke parë dhe duke analizuar ristrukturimet e bëra publike, kuptohet se nuk është një reformë e mirëfilltë dhe e parapërgatitur mbi bazën e një studimi të plotë dhe vullneti real për një qeveri të vogël dhe eficente. Prezantimi i cekët dhe jotransparent i ndryshimeve, në një forum politik njëpartiak, nga një Kryeministër që gjoja po vetëkorrigjohet pas një qeverisjeje 4-vjeçare nuk premtojnë një reformë të vërtetë dhe të qëndrueshme institucionale.
Ndryshimet e propozuara tregojnë se do të bëhen disa shkrirje dhe bashkime institucionesh, nganjëherë pa lidhje organike, që synojnë përqendrimin e pushtetit dhe jo shkurtimin e hallkave të panevojshme dhe rritjen e eficencës së administratës publike. Ato nuk bëjnë ndryshime të qëndrueshme të institucioneve dhe mund të ndodhë që ajo që shkurtohet sot, do të rikrijohet nesër. Ristrukturimi konsiston në një listë më të shkurtër të Ministrive, pa thënë një fjalë se si u arrit në këtë listë, sa do të humbasë dhe do të përfitojë buxheti me strukturën e re dhe cilat janë përfitimet e qytetarëve prej saj.
Një shqyrtim më analitik i shkrirjeve dhe bashkimeve të institucioneve tregon se në strukturën e re mungojnë Ministritë e drejtuara deri tani nga Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI). Ky fakt të krijon një dyshim të arsyeshëm se kjo nuk është një reformë e vërtetë institucionale, por një riorganizim institucionesh me objektiva të motivuara politikisht. Ky riorganizim krijon një mekanizëm ligjor që mundëson spastrimin e administratës nga militantët e LSI “për arsye ristrukturimi”.
Nëse vullneti do të ishte i mirë, ndryshimi i strukturës së qeverisë duhej të paraprihej nga ndryshimet në rolin dhe funksionet e saj. Për këtë qëllim, më parë duhej të ishte ndërmarrë një studim për reformën institucionale. Në procesin e studimit duhej të bëheshin dëgjesa dhe debate në forume civile dhe jo politike. Përfundimet dhe rekomandimet e studimit duhej të bazoheshin në një studim fizibiliteti mbi kostot dhe përfitimet e reformës dhe pasi ato të pranohen në përgjithësi të shërbejnë si bazë për kuadrin ligjor të reformës. Një reformë e vërtetë duhet të jetë e qëndrueshme dhe për këtë duhet të miratohet me konsensus të gjerë institucional.
Cilat janë kostot/përfitimet e këtij procesi në periudhën afatshkurtër dhe afatgjatë?
Kostot dhe përfitimet duhej të na ishin thënë nga qeveria dhe në mungesë të një studimi për këtë të ashtuquajtur reformë mund të renditen disa kosto dhe përfitime hipotetike. Në fazën e parë, edhe për arsye spastrimi politik, do të ketë një ulje të numrit të punonjësve të administratës publike, por jo të shpenzimeve administrative. Kjo reformë është e nxituar dhe e pastudiuar dhe për rrjedhojë edhe shkurtimet, që pritet të ndërmerren, nuk do të prodhojnë përfitime mbasi punonjësit e shkurtuar do të kenë të drejtën e përfitimeve kalimtare për të paktën 1 vit. Nëse reforma do të jetë e qëndrueshme, përfitimet nga ulja e numrit të punonjësve do të merren pas një viti.
Në një kontekst të përgjithshëm, reformat radikale si kjo e tanishmja nuk sjellin përfitime. Edhe po të ulet numri i punonjësve do të humbasin investimet e bëra për zyra, pajisje dhe kualifikimin e tyre. Humbja më e madhe do të jetë nga mënyra e zbatimit të ristrukturimit. Ne kemi një sistem që funksionon me administrata të lidhura politikisht me partinë (të) në pushtet. Për rrjedhojë, nga ristrukturimi do të largohen punonjësit e aftë vetëm pse janë të lidhur politikisht me partitë në opozitë. Kështu administrata e re nuk pritet të përbëhet nga nëpunës të aftë dhe me përvojë, por me besnikë politikë. Duke qenë i pastudiuar, procesi i ristrukturimit do të jetë konfuz dhe i gjatë dhe, për rrjedhojë, do të shoqërohet me pasiguri për vendin e punës dhe abuzime në shërbimet për qytetarët. Reforma pritet të shkurtojë zyra dhe nëpunës por, jo hallkat burokratike për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
A do të ishte e rëndësishme që reforma institucionale të shoqërohej me një model të ri ekonomik?
Termi model ekonomik nuk është i përshtatshëm sepse modelet ekonomike janë të lidhura me sistemin ekonomik. Por nëse qeveria ka vullnet për krijimin e një qeverie të vogël atëherë duhet të ndërmerren reforma strukturore që të garantojnë eficencën e qeverisë dhe shërbimet publike për qytetarët. Për këtë, më parë duhet të rishikohen funksionet e saj. Krijimi i një qeverie të vogël dhe eficente duhet të paraprihet nga reforma që zvogëlojnë peshën e sektorit publik, rrisin peshën e sektorit privat dhe forcojnë partneritetin midis tyre. Qeveria duhet të krijojë një ambient konkurrues dhe mundësi reale që qytetarët të zgjedhin vetë për shërbime të caktuara që t’i marrin ato nga sektori privat apo nga ai publik. Reforma të tilla janë shumë të domosdoshme për Shqipërinë, ku sektori publik shpenzon rreth 30% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) në një kohë që në vendet e Bashkimit Europian shpenzon 40-55% të PBB. Për përmirësimin e shërbimeve publike, sidomos të arsimit dhe shëndetësisë, qeveria duhet të bëjë një zgjedhje midis rritjes së tatimeve ose rritjes së pjesëmarrjes së sektorit privat në ofrimin e shërbimeve publike. Në pamundësi për rritjen e tatimeve, ofrimi i disa shërbimeve nga sektori privat do të lehtësonte barrën e buxhetit dhe të rriste eficencën e tatimeve të mbledhura.
Edhe në rastin e ofrimit të shërbimeve publike nga sektori privat, shteti nuk e ul rolin e tij. Ai ofron shërbime alternative konkurruese dhe ruan të drejtën e mbikëqyrjes për të garantuar mbrojtjen e interesit publik. Kështu në vend të demagogjisë për shëndetësi falas, shteti mund të bashkëfinancojë shërbimet shëndetësore të ofruara nga sektori privat kundrejt kontributeve të paguara në fondin shtetëror të sigurimeve shëndetësore dhe në nivelin e kostos së protokolleve të shërbimit shëndetësor. Në këto kushte kompanitë e sigurimeve mund të ofrojnë paketa sigurimi shëndetësor ku të marrin pjesë shteti, qytetarët dhe kompanitë e sigurimeve.
E njëjta gjë mund të bëhet në arsim nëse shteti e përdor financimin publik për studentin, pavarësisht se ku studion, në universitete publike apo private. Kështu mund të gjenden edhe shërbime të tjera ku sektori publik dhe privat konkurrojnë dhe plotësojnë njëri- tjetrin, ofrimi i shërbimeve publike komercializohet dhe cilësia e tyre rritet. Këto politika iu mbyllin rrugën edhe të ashtuquajturve partneritete abuzive si ato të shëndetësisë të cilat janë nuk janë gjë tjetër veçse kontrata afatgjata monopol që do të paguhen nga arka e buxhetit të shtetit. Këto reforma rrisin realisht eficencën e qeverisë dhe për t’i bërë të qëndrueshme duhet të ndërmerren bazuar në një pakt afatgjatë institucional dhe jopolitik.
A është mundur që teknikisht dhe juridikisht të bëhet bashkimi i tatimeve dhe doganave. Sa e mundur është kjo reformë?
Po, sepse të dyja janë administrata fiskale dhe një administratë e unifikuar rrit bashkërendimin dhe koordinimin për vlerësimin dhe arkëtimin e të ardhurave nga importet dhe ekonomia vendase si edhe ngushtohen shtigjet e evazionit fiskal. Tradicionalisht doganat janë krijuar për kontrollin e qarkullimit të mallrave dhe vendosjen e barrierave tregtare. Ndërsa në Shqipëri kemi një rritje artificiale të rolit të tyre, nëpërmjet vjeljes së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSh) në momentin e blerjes (importit) së mallrave dhe jo të shitjes (maturimit të TVSh) së tyre, si dhe transferimit të së drejtës së mbledhjes së akcizës nga doganat. Në vendet e zhvilluara dhe sidomos në Bashkimin Europian (BE) roli i doganave është jofiskal dhe në shkëmbimet tregtare midis vendeve anëtare ai nuk ekziston. Edhe Shqipëria është në prag të hapjes së negociatave me BE, dhe do të ishte më efektiv një ristrukturim i tyre duke u përafruar gradualisht me modelin e BE-së.
Shkrirja e administratave, e njoftuar nga qeveria, do të ketë kosto të madhe për shkak të peshës së doganave në sigurimin e të ardhurave në buxhet dhe konfuzionit të pashmangshëm në procesin e ristrukturimit dhe riorganizimit të tyre. Për të garantuar dhe rritur eficencën e administratës fiskale bashkimi i administratës tatimore dhe doganore nuk duhet konsideruar si një akt i thjeshtë administrativ dhe do të ishte më mirë të realizohej si një riorganizim i funksioneve dhe jo i administratave fiskale.
Për këtë më parë duhet të ndërmerren disa masa strukturore për zhveshjen e doganave nga funksionet fiskale dhe më pas këto funksione të integrohen në administratën tatimore. Dy funksionet më të rëndësishme që duhet t’ju hiqen doganave janë vjelja e akcizës dhe e TVSh-së. Heqja e detyrimit për pagimin e TVSh-së në momentin e importimit të mallrave dhe shërbimeve kërkon një periudhë tranzitore të paktën 5-vjeçare, por kjo nuk është pengesë për transferimin e këtij funksioni nën administratën tatimore, përkundrazi bëhet përqendrimi në një dorë të vetme i vjeljes së burimit më të rëndësishëm të të ardhurave tatimore. Në këtë model, doganat do të funksionojnë sipas modelit të BE-së.
Çfarë do t’i sugjeronit ju qeverisë që të ketë si parësore këtë mandat?
Qeveria nuk duket se ka prioritete dhe i duhet rekomanduar që të bëjë gjithçka nga e para. Për sa i përket reformës administrative, duhet që të paktën të bëjë disa konsultime në forume civile dhe më parë të përgatitet një paketë e rishikimit të funksioneve. Por prioriteti i qeverisë duhet të jetë kthimi në rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe rritja e eficencës së administratës publike. E para kërkon politika dhe jo propagandë pro-biznes, ndërsa e dyta kërkon administratë profesionale jopolitike.
Për garantimin e rritjes ekonomike duhet një kornizë afatgjatë politikash fiskale dhe ekonomike të miratuara me konsensus institucional. Ajo të garantojë një klimë të përshtatshme biznesi, të thjeshtojë sistemin tatimor, të ulë barrën tatimore, të eliminojë korrupsionin dhe barrierat burokratike dhe të mënjanojë përdorimin e parave publike për fantazi individuale dhe interesa politike. Çelësi për zbatimin e kornizës është administrata dhe kjo kornizë duhet të garantojë spastrimin e saj nga drejtorët politikë, hajdutë dhe të paaftë dhe qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë e saj, pavarësisht ndërrimit të partive në pushtet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.