Flet Armand Shkullaku, Drejtor i Programacionit në TV Klan
Sezoni i ri e ka gjetur televizionin Klan në plotësimin e atyre hapësirave boshe në programacion, por që konsiderohen të vogla, pasi në thelb struktura bazë është konsoliduar.
Drejtori i Programacionit, Armand Shkullaku, sqaron se të paktën 90 për qind e programacionit janë prodhim i vetë Klan, ndërkohë që shumë pak janë patenta.
Ai nënvizon se emisionet e sprovuara ndër vite, që kanë krijuar tashmë edhe një audiencë besnike, do të vijojnë të mbeten origjinalë pa modifikime, ndërkohë që do të shtohen disa të rinj të orientuar te humori, rinia apo edhe më shumë argëtim. Lidhur me serialet, Klan do të mbetet besnik i historikëve turk, me disa kontrata të mbyllura tashmë, por duket se edhe Netflix do të jetë aleati i dytë më i rëndësishëm me disa prej serialeve amerikane që kanë bërë bujë.
Cilat janë emisionet ekzistuese që do të mbeten në këtë sezon të ri në televizionin Klan?
Nga sezoni i kaluar janë emisionet e strukturës bazë, si Opinioni që do ta ndiqni në oraret e zakonshme, pra të hënë dhe të mërkurë në orën 22:00 dhe të enjten në prime-time, ora 21:00. Do të jetë emisioni “Stop” edhe ky pjesë e strukturës. Do të vazhdojë Arditi me “E diela shqiptare”. Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu janë prezente me “Dance with me”, një emision reality që ka qenë edhe sezonin e kaluar. Rudina vazhdon me emisionin e saj të pasdites, si emision strukture dhe po kështu edhe Ermal Mamaqi me “Xing”.
Do të vazhdojë njëlloj edhe “Aldo Morning Show”, çdo mëngjes si dhe “Zonë e Lirë” e Arian Çanit të premteve. Tek emisionet ekzistuese që përbëjnë strukturën nuk ka ndonjë ndryshim domethënës, formatet janë po ato dhe prezantuesit gjithashtu. Janë emisione që e kanë provuar veten përpara publikut dhe kanë rezultuar të suksesshëm, kështu që nuk është parë e arsyeshme të ndryshohen.
Po emisione të reja do të ketë TV Klan në këtë sezon, cilat janë hyrjet e reja në programacion?
Po kemi edhe disa emisione të reja që shtohen. Për shembull të shtunën në orën 20:05, pas lajmeve, do të jetë një humor-show me titullin “Duplex” nga një grup ndër të parët e humorit që kanë bërë më herët edhe Apartamenti 2XL. Ndryshon formati dhe skenari pak a shumë dhe ky prodhim i Klan ka për përgjegjës Turjan Hyskajn. Ai do të ketë edhe një emision të vetin të dielën, edhe ky në 20:05, tip game show me titullin “Familja”, ku familje të ndryshme së bashku me fëmijët konkurrojnë mes tyre në lojëra të ndryshme. Do të jetë argëtues, ku do të fitohen edhe çmime. Emision tjetër është një program disi rinor mund të themi që quhet “Ditë për ditë”.
Është planifikuar çdo ditë nga e hëna në të premte, nga 13:30 në 15:20, përpara fillimit të lajmeve. Stafi është i ri dhe moderator është Alba Çobaj. Emisioni është i ndërtuar mbi reportazhe, kronika nga jeta e përditshme, kryesisht gjëra që kanë të bëjnë me stilin e jetës me produktet shqiptare me turizmin dhe sillen në formën e një bashkëbisedimi.
Gazetarët përgatisin materialet dhe i diskutojnë bashkë me moderatoren në studio. Emisioni përfshin në brendësi edhe një edicion të shkurtër lajmesh, si dhe motin gjatë emisionit live dhe çdo ditë. Ndoshta duhet të shtoj që do të vazhdojmë edhe emisionet që janë disi të veçantë në formë reportazhesh. Disa kanë ndryshime, disa jo.
Këtu mund të përmend Histori Shqiptare e Alma Çupit, që ruan të njëjtin format, si dhe vijon “Doktor plastic”, që e filluam vjet dhe pati mjaft sukses dhe që do ta vazhdojmë sërish. “Jo vetëm modë” do të ndryshojë pak a shumë format, do të jetë pak më kulturor dhe do të drejtohet nga Orinda Huta. Për një kohë prej 20-25 minutash do të përfshijë eventet kryesore që ndodhin nga showbiz dhe arti. Do të vazhdojë edhe emisioni që nisi vjet, edhe ai sezonal, “CHECK IN”.
Kemi ndryshuar pak formulën ku përveç vajzës, gjatë udhëtimit do të jenë edhe personazhe të ndryshëm të Klan që do të marrin pjesë. Pra nuk do të jetë një person i vetëm. Kuzhina ndryshon, do të jetë në të njëjtin orar në 12:00, por do ta bëjnë dy djem që në verë realizuan një program në Klan “Bukë, kripë e zemër”, Alfio dhe Indriti, që do të bëjnë sfidën e kuzhinës. Do të jenë ata të dy, me dy persona të zakonshëm, pra jo të njohur që përgatisin receta dhe në fund, do të vendoset se cili nga dy ekipet është më i zoti.
Prodhime tuaja dhe patenta të gatshme, si është raporti në programacion?
Patenta të gatshme kemi shumë pak. Rreth 90 për qind janë prodhimi ynë. Ndoshta në mars-prill fillojmë një program tjetër që do të jetë i blerë. Tip reality pak si “Surviver” (mbijetesa) do të jetë në Shqipëri, në një vend të mbyllur, por është ende në fazë negociatash dhe nuk mund të japim më shumë detaje sesa kaq.
Çfarë përfaqëson në fakt pjesa e programeve të reja, ka lidhje me tendenca apo është plotësim i hapësirave për grupe të caktuara audience që nuk gjente veten?
Klan ka programacion të zgjeruar dhe pak a shumë këtë vit ne kemi ecur në të njëjtën linjë, duke plotësuar programacionin me mungesat që kemi konstatuar. Tashmë mund të themi se kemi të konsoliduar të gjithë këtë programacion. Emisionet e strukturës janë të provuar dhe sfidë ka qenë plotësimi i asaj që mungonte.
Po lidhur me pjesën e bizneseve, keni vënë re ndonjë ndryshim për aspektin që lidhet me reklamat, ku duan të reklamojnë?
Pjesa e bizneseve vijojnë të kenë interes për të reklamuar në prime-time. Klan ka rritur tarifat, sepse duam që të ketë pak reklama në prime-time.
Serialet, historikët turk të pathyeshëm, por edhe pak “Netfix”
Serialet turke vijojnë të mbeten në top-listën e serialeve më të ndjekur dhe kjo duket se ka detyruar televizionin Klan t’i qëndrojë besnik kësaj linje, duke shtuar për sezonin e ri disa prej prodhimeve më në zë në shtetin turk. Ajo që vihet re është dominanca e serialeve historike, të lidhura me kohën e Perandorisë Osmane. Albert Dumani, drejtor i Programit dhe blerjeve në TV Klan, shprehet se për këtë sezon të ri televiziv, janë një seri serialesh turke që do të transmetohen në TV Klan dhe Klan Plus, ndërkohë që janë përzgjedhur edhe disa prej serialeve më të mira në Netflix. “Nga kompania dhe regjisori i Ezel apo i infiltruari, vjen një tjetër serial KRYEQYTETI: ABDULHAMID. Është premierë pas përfundimit të Sulltanesha Kosem. Prodhim i vitit 2017-‘18 me dy sezone të përfunduar në qershor 2018 me rreth 150 episode dhe në shtator 2018-‘19. Në disa episode do të jetë edhe Nik Xhelilaj, aktori shqiptar. Një tjetër serial është XHENET që nis nga 10 tetori 2018, në orën 18:20 nga e hëna në të premte. Po ashtu vjen MEHMED PUSHTUESI. Seriali më i kushtueshëm i të gjitha kohërave pasqyron jetën dhe triumfin e Sulltanit Mehmed, i pari sulltan që pushtoi “zemrën e botës”, Kostandinopojën (Stambolli i sotëm). I fundit në vazhdën e serialeve turke “Cukur”, është seriali më i mirë i vitit 2018 dramë, aksion, thriller, romancë dhe që do të transmetohet në Klan Plus”, shprehet Dumani. Sipas tij, nga sezoni i kaluar do të vijojë seriali historik Sulltanesha Kosem, në prime time, të martë e të mërkurë, ora 21:00 dhe të dielën, ora 21:30 me dy episode, si dhe Dashuri e Ndaluar. Nëse pak vite më parë, historia e serialeve indiane ishte një tjetër sukses, duket se ato kanë kaluar në plan të fundit, por nuk do të mungojnë. Klan vijon “Bixhoz me dashurinë”, çdo pasdite, në orën 16:05, për audiencën besnike të serialeve indiane familjare.
Dumani raporton se ka një rritje të audiencës drejt serialeve, të paktën këtë tregojnë shifrat dhe kjo ka bërë që edhe blerjet të orientohen gjithmonë drejt serialeve më të shtrenjtë. Gjithsesi, sipas tij, në këtë sezon nuk do të mungojnë as serialet amerikane. “Kemi mbyllur kontrata ekskluzive me kompani ndërkombëtare, duke sjellë për publikun shqiptar serialet e suksesshme si: “House of cards”, “The blacklist”, një tjetër thriller për historinë e një prej 10 kriminelëve më të kërkuar në botë, interpretuar nga James Spader. “Hemlock Grove”, një serial thriller-horror nga Netflix në Klan Plus. “Relationship Status”, një serial amerikan që sjell në pah fenomenin e rrjeteve sociale. “XIII”, serial aksion, bashkëprodhim franko-kanadez me dy sezone.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.