E përditshmja spanjolle “AS” ka publikuar klasifikimin e dhjetë futbollistëve spanjollë të cilët kanë dështuar në përvojën e tyre, duke luajtur në skuadra europiane.
BOJAN KRKIC – ROMA
I konsideruar si një ndër talentet më të mirë të Barcelonës, ai u pagëzua shumë shpejt si “Messi i ri”, duke thyer edhe rekordin e argjentinasit si golashënuesi më i ri i La Ligës. Roma e bleu për 12 milionë euro. Pas një sezoni zhgënjyes (7 gola) iu dha në huazim Milanit dhe më vonë Ajaksit. Më pas u ble nga Stoke City për 1.8 milionë euro.
JOSE’ ANGEL – ROMA
Në vitin 2011, lojtari u ble nga Roma për 4,5 milionë nga Sporting Gijón. Ai zhgënjeu totalisht gjatë sezonit të vështirë nën drejtimin e Luis Enrique. Sot është futbollist i Portos, por është dhënë huazim te Villarreal.
JESE’ RODRIGUEZ – PARIS SG
Yll i lindur tek Real Madrid. Mungesa e aktivizimit te Reali bëri që ai të transferohej tek Paris SG verën e kaluar. Çuditërisht vetëm pas pak muajsh në Paris, në janar u huazua te Las Palmas.
JOSE’ ANTONIO REYES – ARSENAL
Talent i Seviljes, ku ka debutuar që në moshën 16-vjeçare. Në vitin 2003 kaloi tek Arsenal, ku qëndroi për tre sezone, por duke mos lënë shenjë. Për momentin është futbollist i lirë pa kontratë.
NOLITO – MANCHESTER CITY
I blerë në moshën 22-vjeçare nga Barcelona, iu shit më vonë Benfica-s. Korrikun e shkuar u ble nga Manchester City, por dëshira e spanjollit është që ta lërë Anglinë.
GAIZKA MENDIETA – LAZIO
Kapiteni i Valencias në fundin e viteve ‘90 u ble nga Lazio në vitin 2001 për 89 miliardë lira. Pasi mbylli sezonin duke mos shënuar asnjë gol, iu dha në huazim Barcelonës. Më pas u ble nga Middlesbrough ku qëndroi deri në vitin 2008.
IVAN HELGUERA – ROMA
Ai nënshkroi kontratë me Romën në vitin 1997, për 5 miliardë lira, por luajti vetëm shtatë ndeshje. U kthye në Spanjë, së pari me Espanyol dhe më pas tek Real Madrid, klub me të cilin fitoi trofe të shumtë.
IVAN DE LA PEÑA – LAZIO
U afirmua tek Barcelona në mes të viteve ’90 duke luajtur në mesfushë së bashku me Guardiolën. Në verën e vitit 1998, me ardhjen e Van Gaal në pankinën e blaugranave, iu shit Lazios për 30 miliardë lira. Iu dha në huazim Marsejës dhe më pas sërish Barcelonës, për t’u kthyer tek Lazio në vitin 2002. Karrierën e tij e mbylli tek Espanyol, ku shënoi dopjetë në derbin e fituar 2 -0 kundër Barcelonës në sezonin 2008-‘09.
JOSEP GUARDIOLA – ROMA
Në fund të karrierës me Barcelonën, vendosi të provojë fatin në Itali. Dy vjet luajti te Brescia e Carlo Mazzone-s dhe më pas kaloi tek Roma për vetëm 6 muaj, pasi verdhekuqtë në janar të vitit 2003 vendosën ta rikthejnë në Brescia.
JOSE’ MARI – MILAN
Milan e bleu nga Atletico Madrid për 40 miliardë lira. Gjatë viteve 1999-2002 shënoi vetëm 5 gola me kuqezinjtë. Më pas u kthye tek Atletico dhe e mbylli karrierën e tij duke luajtur për skuadra të ndryshme spanjolle.