T’i quash pensionistë të bën për të qeshur. Në ndryshim nga pensionistët e vërtetë, personat në fjalë nuk kanë probleme që të arrijnë në fund të muajit.
Revista ‘Forbes’ bën klasifikimin e 14 ish-yjeve më të pasur të sportit në bazë të fitimeve të vitit të kaluar.
1 – Michael Jordan (basketboll)
Edhe për 2016-n, legjendari Michael Jordan rikonfirmohet si ish-sportisti më i pasur në pension (dha dorëheqjen nga basketbolli në vitin 2003) me 97 mln euro, fryt i kontratave sponsorizuese me Nike, Gatorade, Hanes, Five Star Fragrances e Upper Deck.
2 – David Beckham (futboll)
Falë kontratës pesëvjeçare të firmosur në vitin 2015, me shoqërinë britanike Kent & Curwen, që do t’i garantojë një përfitim vjetor prej 7 mln euro plus përqindjet për koleksionin që do të dalë këtë vit, po ashtu edhe marrëveshjes me kinezët e Luneng (një shoqëri imobiliare) që do t’i sigurojë edhe 4,4 mln euro në vit, “marka Beckham” është më e fortë se kurrë.
I tërhequr nga futbolli në vitin 2013, falë spoteve publicitare dhe sponsorizimeve, vitin e kaluar, ish-ylli i Manchester United dhe Real Madridit ka fituar rreth 57 mln euro.
3 – Arnold Palmer (golf)
Ende popullor në Azi, ku janë rreth 500 dyqane monomarka, e jo më pak i famshëm në Shtetet e Bashkuara, falë rrjetit të pijeve që mban emrin e tij si dhe kontratave të shumta publicitare, në vitin 2015, Arnold Palmer fitoi më shumë se 35 mln euro: jo keq për dikë që është tërhequr nga fusha e golfit në vitin 2006, por mbetet një nga lojtarët profesionistë më të mëdhenj në historinë e këtij sporti.
4 – Junior Bridgeman (basketboll)
Në fushat e NBA konsiderohej ‘një lojtar i gjashtë i mirë’, ndërsa në biznes një gjeni i vërtetë, siç e dëshmon suksesi që ka pasur në zinxhirin e restoranteve Bridgeman Foods. I hapur pas tërheqjes nga basketbolli në vitin 1987, vitin e kaluar ky biznes i ka siguruar më shumë se 28 mln euro.
5 – Jerry Richardson (futboll amerikan)
Ashtu si Bridgeman, edhe Richardson ka pasur sukses në biznes duke hapur një zinxhir restorantesh. Por dashurinë për futbollin amerikan nuk e ka harruar kurrë edhe pas tërheqjes në vitin 1960. Pikërisht, më shumë se 30 vjet pas lamtumirës së tij, ka themeluar Carolina Panthers në Charlotte, që kanë arritur në dy finale të Super Bowl (e fundit, vitin e kaluar, e humbur kundër Denver Broncos). Nga bashkimi i dy perandorive të biznesit janë fituar 26 milionë euro të arkëtuar gjatë 2015-s.
6 – Jack Nicklaus (golf)
Që kur dha dorëheqjen në vitin 2005, “ariu i artë” i golfit i është përkushtuar aktiviteteve që lidhen me sportin në të cilin ai shkëlqeu, duke projektuar fusha loje me 18 gropa (398 në 31 shtete), duke shkruar manuale për lojën e duke themeluar një turne të vetin. Pikërisht në sajë të këtyre aktivitete, vitin e kaluar ka fituar 23 mln euro, pa harruar të përmendim angazhimin filantropik me Nicklaus Children’s Health Care Foundation.
7 – Shaquille O’Neal (basketboll)
Ai i vari këpucët në vitin 2011, por kampioni i Orlando Magic dhe Los Angeles Lakers tregoi shumë shpejt se kishte të aftësi si sipërmarrës, në fillim duke transferuar një pjesë të aksioneve tek Authentic Brands Group, që prej kohësh menaxhon të drejtat e Elvis Presley, Michael Jackson e Muhammad Ali, dhe më pas rinegocioi rinovimin për të gjashtën herë të marrëveshjes sponsorizuese me Icy Hot. Falë këtyre të ardhurave, si dhe atyre të fituara si komentues për rrjetin televiziv kabllor TNT, fitimet shkojnë rreth 20 milionë euro.
8 – Roger Penske (gara me makina)
Megjithëse është larguar nga bota e garave në vitin 1965, piloti amerikan në të vërtetë nuk ka zbritur kurrë nga makina. Në karrierën e tij si sipërmarrës post-garave ka fituar 28 tituj kombëtarë si pronar i skuadrës automobilistike Penske. Suksesin e tij si biznesmen e vërtetojnë pothuaj 23 miliardë euro të fituara nga Penske Corp, që e kanë bërë ish-sportistin më të pasur në botë, me një trashëgimi prej 1,3 miliardë eurosh, ndërsa në 2015 “u kënaq” me vetëm 17,5 milionë euro.
9 – Gary Player (golf)
Pavarësisht 80 viteve që mban mbi supe, kampioni afrikanojugor (ka fituar 163 turne në karrierë) vazhdon të udhëtojë nëpër botë për të ndjekur aktivitetet e Gary Player Design, që nga 2009-a (vit në të cilin dha dorëheqjen) e deri më sot ka dizenjuar 400 fusha në 38 shtete në 5 kontinente, duke e bërë të sigurojë 16,7 milionë euro vitin e kaluar.
10 – Magic Johnson (basketboll)
Një kampion në fushën e basketbollit dhe në biznes, me këtë të fundit që ka mbizotëruar mbi basketbollin në vitin 1996, duke i dhënë mundësinë ish-yllit të NBA të themelojë Magic Johnson Enterprises. Kjo kompani, që sot ka ndikim në shumë fusha biznesi, nga sigurimet tek televizioni, vitin e kaluar ka fituar 15,8 mln euro. Por, megjithatë, sporti mbetet i pranishëm në jetën e “Magic”, i cili ka aksione te Los Angeles Dodgers, Los Angeles Spark dhe në rrjetin e ri “L.A. MLS”.
11 – Michael Strahan (futboll amerikan)
Si të kalosh nga një karrierë e shkëlqyeshme në NFL me New York Giants në një karrierë jo më pak të suksesshme në televizion. Në fakt, pas tërheqjes në vitin 2007, u bë komentues sportiv për Fox Network dhe falë kësaj pune të dytë fitimprurëse, në 2015 ka fituar 15 milionë euro.
12 – Greg Norman (golf)
Pjesëmarrës në World Golf Hall of Fame në vitin 2001, fituesi i 20 PGA Tour, kampioni australian i mbiquajtur “Peshkaqeni i bardhë”, ka demonstruar aftësi edhe jashtë fushës së golfit, prej të cilit dha dorëheqjen në vitin 2012. Ai themeloi shoqërinë Great White Shark Enterprises (që ia shiti vitin e kaluar Wasserman Media) dhe vazhdon të hapë klube golfi sa andej-këndej nëpër botë (të 100-in në tetorin e vitit të kaluar). Të ardhurat e tij në vitin 2015 ishin 13 milionë euro.
13 – Pelé (futboll)
I tërhequr nga futbolli në vitin 1977, Pele mirëpritet kudo ku shkon si një yll (vitin e kaluar, në Indi ishin 5000 tifozë që e prisnin në aeroport). Në maj të vitit 2016, nëpër kinematë botërore doli filmi biografik “Pele, birth of legend” që rikonfirmoi popullaritetin e tij botëror. Të ardhurat e tij vitin e kaluar ishin 12,3 milionë euro.
14 – Li Na (tenis)
E vetmja grua në klasifikim, si dhe tenistja më e famshme kineze në historinë e vendit të saj (konsiderohet një legjendë e gjallë), Li Na vari papritur raketat e saj në gozhdë në vitin 2014, por ka ruajtur të gjithë kontratat e vjetra të sponsorizimeve që së bashku me daljet e saj në televizion (programe argëtuese e reality show) vitin e kaluar i siguruan 12 milionë euro.