Klasifikimi i kompanive teknologjike më “të gjelbra” ndaj mjedisit

30/10/2017 4:24 PM 0 komente

Organizata joqeveritare për mbrojtjen e mjedisit, Greenpeace, publikoi para disa ditësh raportin “Greener Guide 2017”, ku kompanitë e mëdha të teknologjisë kanë marrë vlerësime në bazë të respektimit të çështjeve mjedisore dhe ekologjike.

 

Ndotja

Që nga viti 1996, Greenpeace studion ndikimin e kompanive më të mëdha teknologjike në mjedis. Sa është niveli i ndotjes në mjedis që shkaktohet nga Apple, Microsoft dhe Amazon? Nëse lexojmë shifrat e Greener Guide, shumë.

Në vitin 2017, pritet të arrijë 65 milionë tonë me mbeturina. Dhe 80% e emetimeve të karbonit që lidhet me pajisjet teknologjike ndodh më parë se të kemi në dorë smartwatch-in apo tablet-in e fundit.

Por kjo nuk është gjithçka. Organizata ambientaliste ka llogaritur që për 100 gramë minerale në përbërje të smartphone-t tonë, minatorët duhet të punojmë më shumë se 340 herë shkëmbin. Disa kompani po përpiqen të marrin situatën në kontroll, me mënyra prodhimi më të kujdesshme ndaj ekosistemit me ndikim më të pakët në pyje dhe ajrin që thithim.

Çështjet e analizuara

Konsumimi i energjisë, burime dhe substanca kimike të rrezikshme të përdorura dhe reduktimi i ndotjes. Këto janë tre fushat ku është përqendruar Greenpeace, e cila ka studiuar mënyrën se si kanë vepruar 17 kompani të famshme teknologjike (duke dhënë dhe nota nga “A” te “F”)

 

1.Fairphone
Le të hyjmë në klasifikim. Në vend të parë është kompania Fairphone, me seli në Amsterdam. Pika e saj e fortë, përveç betejës kundër ndotjes, është eliminimi i vjetrimit të programuar, d.m.th., vështirësia për të riparuar një pajisje kur prishet.

 

2.Apple
Kompania Apple ka marrë medaljen e argjendtë. Pikët më të larta ajo i ka fituar në çështjen e përdorimit të ulët të substancave ndotëse, si për shembull plastika. Në vitin 2017, Apple dhe Google e kanë hequr tërësisht Pvc dhe Bfr nga produktet e tyre.

 

3.Dell
Në vend të tretë, kompania shumëkombëshe amerikane, Dell, e cila ka qenë transparente sa u përket politikave të saj lidhur me energjitë e rinovueshme. Po ashtu vlerësohen përpjekjet për të reduktuar emetimet ndotëse.

 

4.Hp
Edhe pse jo në podium, Hp është ndër kompanitë më “të gjelbra”. Kompania që prodhon kompjuterë ka marrë pikë të larta sa i përket transparencës së informacioneve që lidhen me mbrojtjen e mjedisit.

 

5.Lenovo
“C” e parë e ka marrë Lenovo, megjithatë ajo është ndër dhjetë kompanitë e para. Reduktimi i emetimeve të karbonit po përmirësohet, por sipas Greenpeace mund të bëhet edhe më shumë. Vlerësohet braktisja progresive e plastikës në produktet e saj.

 

6.Microsoft
Gjiganti i informatikës ka përmirësuar shumë parametra në të gjithë fushat krahasuar me raportin e fundit, që e ka parë protagonist në vitin 2010. Por sipas Greenpeace, vjetrimi i programuar në produktet e Microsoft mbetet problem.

 

7.Acer
Shoqëria e Tajvanit merr një vërejtje veçanërisht për përdorimin e plastikës. “Nuk mjafton të përdorësh plastikën e ricikluar në disa cikle prodhuese, duhet të bëhet më shumë” – lexohet në raport.

 

8.Lg
LG synon reduktimin me 10% të emetimeve ndotëse në vitin 2020. Objektivi më ambicioz është përfshirja e politikave për përdorimin e energjive të rinovueshme në gjithë ciklin e prodhimit.

 

9.Sony
Pavarësisht angazhimit për reduktimin e numrit të agjentëve kimikë brenda produkteve të saj, Sony nuk i ka arritur objektivat. Edhe sa u përket energjive të rinovueshme, zbatimi me 5% për Greenpeace është ende shumë pak.

 

10. Google
Vjen nota e parë “G” ndër dhjetë kompanitë e para më të gjelbra. Përpjekja e saj për të prodhuar pajisje me ndikim të ulët në mjedis ka filluar të ndihet, por “duhet ende më shumë angazhim” – thotë Greenpeace.

 

11.Huawei
Të gjitha “D” për kompaninë kineze. Rezultati më kritik është në lidhje me transparencën e të dhënave mbi emetimet e dioksidit të karbonit në atmosferë. Përdorimi i dioksidit të karbonit është shumë i përhapur.

 

12.Asus
Kompania e dytë nga Tajvani nuk jep informacione të detajuara mbi përdorimin e plastikës së ricikluar. Kjo është arsyeja pse gjendet kaq poshtë në klasifikimin e Greenpeace.

 

13.Samsung
Tërheqje veshi (teknologjike) për një ndër kompanitë kryesore shumëkombëshe në këtë sektor. Greenpeace nënvizon se kompania nuk e ka përshirë në prioritetet e saj ndikimin më të vogël mjedisor, si në drejtim të prodhimit, ashtu edhe në fabrikat e saj. Për momentin, Samsung nuk ka dhënë asnjë sqarim.

 

14.Amazon
Thuajse në fund të klasifikimit, me një “F”, gjejmë një ndër kolosët e teknologjisë. Cila është arsyeja? Për Greenpeace, kompania nuk jep informacione mbi treguesit e saj që lidhen me mjedisin. E njëjta gjë vlen edhe për materialet e përdorura në pajisjet e saj. Deri më tani, Amazon nuk ka dhënë asnjë sqarim.

 

15. Oppo
Për organizatën ambientaliste Greenpeace, përtej shitjeve, kompania kineze Oppo do të duhej t’i kushtonte më shumë vëmendje emetimeve të karbonit dhe ndikimit në ekosistem. Për momentin kompania nuk jep asnjë informacion rreth çështjes në fjalë.

 

16.Vivo
Mbetemi sërish në Kinë, në vendin e parafundit në klasifikim. Vivo, prodhon smartphone, por ashtu si Oppo është prapa sa u përket informacioneve mbi ndikimin në mjedis.

 

17.Xiaomi
Ashtu si “koleget” e saj kineze, Oppo dhe Vivo, edhe Xiaomi merr tre “F”. Në faqen e saj zyrtare gjenden pak informacione për ndikimin në mjedis, por asnjë shifër konkrete.

 

Burimi: Corriere della Sera

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz