Juventus renditet në krye, Real Madrid duhet të kënaqet me vendin e dytë. Ky është Klasifikimi i UEFA-s për sezonin aktual, 2016/17, i azhurnuar pas zhvillimit të ndeshjeve gjysmëfinale.
UEFA shpjegon se me fitoren ndaj Monakos, bardhezinjtë janë ngjitur në krye të klasifikimit pas golave të shënuara nga Mario Mandžukic dhe Dani Alves, të cilët u hapën kampionëve të Italisë rrugën për në finalen e Kardifit.
Duke fituar mundësinë që të ngrejë trofeun e Champions League mbrëmjen e 3 qershorit, Juventus ka arritur rezultatin 35,8 mijë pikë në klasifikimin special të UEFA-s.
Por ishte gjysmëfinalja e gjitha madrilene që konfirmoi primatin juventin. Pas humbjes 2-1 të Real Madrid në “Vicente Calderón Stadium” (shtëpinë e Atletico), Reali me 34,8 mijë pikë ka zbritur në vend të dytë e do të qëndrojë aty deri ditën kur do të zhvillohet finalja.
“Zonja e vjetër” është skuadra e vetme italiane në top 15 për sezonin 2016/17 që fiton pikë të çmuara në klasifikimin e përgjithshëm për klube, por megjithatë renditet ende prapa. Skuadra e Allegri-t renditet në vend të pestë. Në vend të parë është Real Madrid, ndjekur nga Bajern Munchen, Barcelona dhe Atletico Madrid.
Për sa u përket Federatave, asnjë surprizë. Në krye të klasifikimit është Spanja e cila ndiqet nga Gjermania, Anglia, Italia dhe Franca.