Mënyrat e riprodhimit pa kryer marrëdhënie seksuale po shtohen gjithnjë e më shumë. Historia tregon se ato duhet të përqafohen dhe njerëzit nuk duhet të jenë skeptikë, shkruan The Economist.
Më parë ka qenë shumë e thjeshtë. Gametet transportoheshin nëpërmjet gypave të optimizuar gjatë miliona viteve të evoluimit të njeriut dhe nëntë muaj më vonë, vinte në jetë një foshnje. Por në ditët e sotme gjërat po bëhen gjithnjë e më të ndërlikuara.
Një raport i publikuar më 14 shkurt nga Akademia Kombëtare e Shkencave të Amerikës mbështet kërkimin e teknikave të reja të ndryshimit të gjeneve të cilat janë aq të sakta sa mund të parandalojnë sëmundje të tilla si hemofilia para se qelizat të fillojnë të zhvillohen.
Ideja e klonimit shkaktoi një zhurmë të madhe përpara 20 viteve kur u klonua delja e parë, Dolly. Ndërsa nëpërmjet teknologjive të avancuara të viteve të fundit, klonimi te njerëzit po shihet gjithnjë e më shumë si diçka më se e realizueshme.
Një grup njerëzish të tjerë janë të tmerruar nga roli që kanë marrë mjekët për të zëvendësuar “Zotin” në çështjet që kanë lidhje me riprodhimin.
Disa të tjerë të cilët vuajnë nga mungesa e fëmijëve apo sëmundje të ndryshme gjenetike argumentojnë me pasion, të drejtën e tyre për t’ua lehtësuar sa më shumë vuajtjet. Gjithsesi teknologjia po avancon dhe shoqëria duhet ta pranojë një gjë të tillë.
Ku ke qenë deri më tani biri im me sy blu?
Gama e mundësive riprodhuese është zgjeruar në mënyrë të qëndrueshme. Fekondimi artificial sipas dhuruesit daton që nga fillimi i shekullit të 19-të, ndërsa fertilizimi in vitro u përdor për herë të parë në 1970. Injeksioni intracitoplasmik i spermës realizon ëndrrën për të pasur fëmijë të gjithë atyre meshkujve infertilë.
Vitin e kaluar u vë në praktikë një metodë e re transplanti në mitokondri, ose siç njihet ndryshe fëmijë me tre prindër. Bota së shpejti mund të përballet me mundësinë e krijimit të qelizës së vezës dhe të spermës nga qeliza të tjera të trupit të njeriut, si p.sh., nga lëkura e tyre.
Shumica e këtyre metodave të japin mundësinë e zgjedhjes, pra se cili embrion do të jetojë dhe se cili do të vdesë. Në fillim, metoda të tilla mund të jenë shokuese për disa dhe të pështira për disa të tjerë. Nuk janë të pakta rastet kur metoda e fekondimit artificial sipas dhuruesit, është trajtuar në disa gjykata amerikane, si tradhti dhe shkelje ndaj kurorës bashkëshortore dhe se pasardhësi konsiderohet i paligjshëm në sytë e ligjit.
Ndërsa për sa i përket metodës së fertilizimit in vitro, disa teologë shprehin dyshimin nëse këto foshnje që krijohen në laborator do të kenë apo jo shpirt.
Janë të shumtë ata njerëz të cilët mendojnë se shkenca e ndryshimit të gjeneve mund të shkojë deri aty sa të krijohen njerëz të mbinatyrshëm dhe me superfuqi, prandaj në momentin e parë kur Dolly, delja e parë e klonuar iu prezantua botës, shumë prej titujve kryesorë të shtypit të shkruar ishin “Zbarkimi i ushtrive armike të klonuara”.
Në të vërtetë, askush prej nesh nuk ka as edhe idenë më vogël se si mund të krijohet mbinjeriu (Übermenschen), edhe pse shumë do ta donin një gjë të tillë. Megjithatë, të dhënat tregojnë se si shkenca riprodhuese po përparon me hapa të shpejtë, prandaj shumë e rëndësishme në këtë pikë është edhe etika e shkencës riprodhuese. Si metoda e fekondimit artificial sipas dhuruesit, ashtu edhe ajo e fertilizimit in vitro u japin mundësinë për të pasur fëmijë prindërve të cilët në të kundërt nuk do ta kishin provuar kurrë këtë ndjesi.
Edhe metoda e transplantit të mitokondrisë është një ndër më të sigurtat, sepse ajo parandalon krijimin e sëmundjeve të rrezikshme duke eliminuar qelizat e dëmshme. Prindër të lumtur dhe fëmijë të shëndetshëm janë dy gjërat më të rëndësishme kur bëhet fjalë për çdo metodë të teknologjisë riprodhuese. Siguria e këtyre metodave është prioriteti kryesor. Parandalimi i tyre pastaj shndërrohet në një pengesë të lartë.
Shkencëtarët e kësaj fushe, por edhe kërkuesit, shikohen shpeshherë shtrembër nga një numër i madh njerëzish, por tek e fundit ata nuk janë duke bërë eksperimente tek fetusi, ata thjesht janë duke u marrë me disa qeliza. Madje ata nuk e marrin përsipër rrezikun të eksperimentojnë as te fetusi i paraardhësit tonë, majmunit.
Kjo është edhe një prej arsyeve kryesore që drejt tyre po hidhet një hap i madh besimi, sepse këto metoda janë testuar brenda kufijve të ligjit, duke shmangur metodat e tjera jo të njohura dhe mbi të gjitha jo të ligjshme. Dhe ky nuk është vetëm një shqetësim i thjeshtë teorik.
Edhe pse Britania zhvilloi metodën e transplantit të mitokondrisë dhe ishte vendi i parë që e lejoi me ligj atë, çiftit të parë që e bëri një transplant të tillë iu desh të udhëtonte nga Jordania në Meksikë. Por përcaktimi i limiteve se çfarë është e lejueshme dhe çfarë jo mbetet shumë evaziv. Por përsëri, dëshira për të parë prindër të lumtur dhe fëmijë të shëndetshëm është ajo çfarë ka më shumë rëndësi. Një avantazh tjetër i kësaj qasjeje është se çiftet homoseksuale mund të kenë fëmijë me gjenet e të dy prindërve.
Klonimi dhe ndryshimi i gjeneve shkon përtej lumturisë dhe shëndetit të fëmijëve. Ndryshimi i parë i gjeneve do të eliminojë sëmundje të ndryshme gjenetike, një përparësi kjo që shumë do ta duartrokisnin. Por kjo ka edhe anën tjetër të medaljes. Rritja e foshnjave me tipare të ndryshme nga ato të prindërve dhe klonimi ngre pyetje shumë të rëndësishme mbi të drejtën e identitetit individual dhe të drejtën për të përdorur qelizat e personave të tjerë pa lejen e tyre.
Një ndjenjë identiteti
Pyetjet në lidhje me këtë temë janë të shumta. A duhet t’u lejohet prindërve që të klonojnë fëmijën e tyre të vdekur? Apo një të veje bashkëshortin e saj? A duhet të lejohet që të pasurit të paguajnë për të pasur fëmijë superinteligjentë, vetëm sepse ata kanë mundësinë për ta bërë një gjë të tillë?
Komisione të shumta ekspertësh janë në kërkim të përgjigjeve për këto pyetje dhe gjykatave do t’u duhet të vendosin rregullat në mbrojtje të atyre qenieve që mund të krijohen.
Mendimet e njerëzve ndryshojnë prandaj edhe çdo regjim duhet të jetë sa më fleksibël për të pranuar metodat e reja të teknologjisë.