Klosi: Paga minimale do të rritet edhe për sektorin privat

10/02/2017 2:53 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:
blendi-klosi

Paga minimale për efekt të sigurimeve shoqërore pritet të rritet. Çështja do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Kombëtar të Punës që do të mbahet javën e ardhshme. Deklaratën e bëri ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi.

“Në javën e ardhshme do të kemi një vendim të Këshillit Kombëtar të Punës, i cili do të vendosë për rritjen e pagës minimale. Paga minimale për punonjësit e administratës është rritur në nivelin 370 mijë lekë të vjetra”, tha ministri.
Qeveria thotë se propozimi është diskutuar edhe me grupet e interesit.

Niveli i pagës minimale pritet të arrijë në 23,000-24,000 lekë.

Më herët bizneset janë ankuar se rritja e pagës minimale e palidhur me produktivitetin do t’i dëmtojë ata, ndërsa sipas qeverisë, niveli i ndryshimit është i vogël dhe nuk pritet të ndikojë në konkurrueshmërinë e bizneseve.

Aktualisht paga minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve shoqërore është 22 mijë lekë dhe prej tre vitesh qëndron e pandryshuar.

Rritja e pagës minimale sjell automatikisht dhe atë të pagës maksimale, por rregulli që paga maksimale është sa pesëfishi i asaj minimale është prishur që prej dy vitesh. Aktualisht paga maksimale për efekt kontributesh është 97,030 lekë.

Nga ky vendim pritet të preken më shumë sektori eksportues dhe i prodhimit, të cilën pagat e ulëta i kanë si avantazh konkurrues. Sipas tyre, kjo do të shoqërohet edhe me rritjen e kostove. Për sipërmarrësit e sektorit të prodhimit, me rritjen e kësaj page, rrezikohet që të rriten edhe çmimet, duke qenë se shpenzimi, sipas tyre, diku do të “shkarkohet”.

Për sektorin e fasonit, rritja e kësaj page gjithashtu shihet si një veprim “shkatërrues”, siç e thonë dhe vetë ata, pasi rreth 60-70% të kostove të tyre e përbëjnë ato të punës.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of

wpDiscuz