Klubet europiane / Rezerva luksi, pankinat që kushtojnë më tepër

10/11/2017 5:47 PM 0 komente

Në një skuadër futbolli është e rëndësishme të kesh në dispozicion një pankinë që të mos ndihet mungesa e titullarëve. Mbështetja tek lojtarë që mund të ndryshojnë rrjedhën e një ndeshjeje mund të bëjë diferencën në një sezon të mirë.

“Tuttosport” ka analizuar vlerën e pankinave të klubeve që marrin pjesë në Champions League – vlera ekonomike që bazohet në çmimin e kartonit të lojtarëve – sipas të dhënave të Transfermarkt – për të parë se cilat skuadra, të paktën në letra, janë më të kompletuara për të vijuar rrugëtimin e tyre në kompeticionin europian.

Vlera e pankinave, Juventus në krye

Pikërisht klubi italian, Juventus, është në krye të këtij klasifikimi. Për shoqërinë bardhezi, pankina vlen 217 milionë euro me Matuidi, Bernardeschi dhe Douglas Costa si lojtarët më të kushtueshëm (me vlerë 30 milionë euro).

Klasifikimi vijon me Manchester United, pankina e të cilit vlen 212 milionë euro (Anthony Martial, 35 milionë euro). Në vend të tretë, janë kampionët në fuqi të Europës, Real Madrid. Pankina e “Blancos” vlen 200.5 milionë euro – ku shpesh ka lojtarë kalibri si Isco (40 milionë) e Mateo Kovacic (15 milionë).

Klasifikimi vijon me Paris Saint Germain, pankina e të cilit vlen 194 milionë euro, me lojtarë si Angel Di Maria. Pankina e klubit të Pep Guardiola (Manchester City) vlen 191.3 milionë euro, me Bernardo Silva dhe Gabriel Jesus, futbollistë të cilët vlejnë 40 dhe 45 milionë euro.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz