KMS: Pse sigurimi i makinave të paguhet në banka

27/03/2012 4:05 PM 0 komente

Në arkat e shoqërive shqiptare të sigurimeve, qarkullojnë shuma të konsiderueshme që arrijnë deri në rreth 25 milion USD. Të gjitha janë para që qarkullojnë jashtë kanaleve bankare. Në kushtet kur në Shqipëri flitet gjithnjë e më tepër për zvogëlimin e cash-it, që qarkullon jashtë bankave apo për luftë ndaj evazionit fiskal, nga ana e KMS është menduar që këto para të qarkullojnë nëpër sportelet e bankave. Po punohet për hartimin e një projektligji sipas të cilit arkëtimet e TPL-së (sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorrike), të realizohen në sportelet e bankave të nivelit të dytë. Çdo shoqëri sigurimesh do të ketë mundësinë të zgjedhë bankën që dëshiron për arkëtimet e saj. Deri këtu çdo gjë është në rregull. Por burime pranë KMS shprehen se ky mendim ka ndeshur në kundërshtimin e shoqërive të sigurimeve, të cilat në rast se zbatohet kjo lloj praktike do të jenë mjaft të monitorushme dhe transparente në sytë e këtij Komisoni dhe të strukturave qeveritare përkatëse. Pretendimi kryesor i nxjerrë nga shoqëritë e sigurimeve është fakti se infrastruktura bankare është e pamjaftueshme për të përballuar pagesat në të gjithë vendin dhe se kështu nuk i shërbehet mirë klientit. Ndërkohë dihet që bankat janë duke u shtrirë gjithnjë e më shumë në të gjithë vendin dhe të gjitha ato konkurrojnë me njëra tjetrën, për t i shërbyer sa më mirë klientëve.Në tregun shqiptar të sigurimeve veprojnë 5 shoqëri, Insig, Sigma, Sigal, Atlantik dhe Intersig, të cilave kohët e fundit iu shtuan edhe dy shoqëri të reja, Dukagjin Al dhe Sicred. Nga këto shoqëri vetëm Insig dhe Sicred ofrojnë sigurimin e jetës. Të tjerat ofrojnë sigurimet e jojetës.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of