Ëndrra e çdokujt që pëlqen aventurën është të marrë shtëpinë me vete, për të udhëtuar pa mbarim nëpër botë, por disi me komfort. Në këtë rast, zgjidhja vjen nga Kodasema, një kompani arkitektësh nga Estonia, që kanë projektuar një shtëpizë të lëvizshme, të quajtur Koda, tërësisht ekologjike, të cilën mund ta zhvendosni kurdo.
Ekologjike
Koda është një vilëzë (nëse mund ta quajmë kështu) e lartë 3,5 metra me një sipërfaqe banimi rreth 25 metra katrorë, që nuk ka nevojë për themele, e cila montohet dhe çmontohet lehtësisht.
Ka një skelet betoni, sipërfaqe prej xhami dhe një hapësirë të brendshme me papafingo.
Materiali me të cilin është ndërtuar Koda është i përbërë prej elementeve natyralë dhe jotoksikë, të cilët mund t’i asgjësoni 100% në rast se i hidhni. Izolimi pothuajse i plotë i dritareve dhe dyerve mban larg pluhurin, zhurmat dhe bakteret. Hapësira e brendshme mban një temperaturë dhe nivel lagështie konstante, ndërsa çatia është e veshur me panele diellore, që mundësojnë një prodhim energjie më të madh sesa konsumi i saj, i cili transmetohet në rrjet.
Hapësira e ndenjjes ndodhet direkt pas xhamit, ndërsa kuzhina, banja dhe dhoma e gjumit, në pjesën e pasme, për të krijuar më shumë privatësi. Një shkallë të çon në dhomën e gjumit sipër kuzhinës, e cila ka hapësirë të mjaftueshme për një shtrat.
“Pjesa më e madhe e cilësisë së jetës sonë varet njëkohësisht nga shtëpia dhe vendndodhja, në mënyrë që të përmbushë nevojat tona. Kur zgjedhim se ku do të jetojmë, megjithatë, mund të ndërmarrin rreziqe në të dyja frontet. Mund të jetë shumë e vështirë të bësh ndryshime në një shtëpi tradicionale, po ashtu ta shkatërrosh dhe ta rindërtosh nga e para.
Koda mund të bëhet çfarëdo që ju dëshironi, një shtëpi në qendër të qytetit, një shtëpi pushimi, një ambient ku mund të punoni, madje edhe një klasë mësimore”, – thonë përfaqësuesit e Kodasema.
Çmimi i shtëpisë fillon nga 111,000 dollarë amerikanë.