Njoftimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve se, deri më 10 mars duhen përditësuar kodet ekonomike të biznesit ka shkaktuar konfuzion në një pjesë të sipërmarrjeve që kanë ngatërruar kodin me NIPTIN, por nuk ky i fundit është unik dhe nuk ka pse ndryshon.
Burimet zyrtare në Tatime sqaruan dje për Monitor.al se, Kodi ekonomik është veprimtaria e bizneseve. Tatimet kanë dashur të njoftojnë bizneset se, duhet të përditësojnë veprimtarinë e saktë në QKR dhe në tatime. Çka do të thotë nëse kë hapur një licence për bare kafe dhe e ke shndërruar në fast food, ky ndryshim i aktivitetit duhet rifreskuar edhe në QKR edhe në tatime.
Por tatimet në vend që kërkonin përditësimin e veprimtarisë së biznesit, e kanë cilësuar këtë të fundit kod ekonomik, duke i përfshirë bizneset në një paqartësi të re.
Pak ditë më parë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi se, për arsye të fluksit të madh të aplikimeve, afati përfundimtar për përditësimin e adresave kryesore dhe sekondare të bizneseve si dhe përditësimin e kodeve ekonomike pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR) shtyhet deri në datën 10 mars 2015.
Këtë vit Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka marrë angazhimin për sistemuar regjistrin tatimor. Regjistri do të pastrohet nga bizneset jo aktive duke i përfshirë ato në një regjistër të veçantë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.