Sipas një vëzhgimi të Reuters, punonjësit shpenzojnë 6.3 orë në ditë duke kontrolluar email-in. Pavarësisht shpenzimit të kaq shumë kohe në postën elektronike, ju ndieni shpesh se mesazhet tuaja shkojnë në vesh të shurdhër.
“Njerëzit marrin kaq shumë email-e në ditët e sotme. Nuk është sikur dërgoni një email, dhe ata do ta lexojnë menjëherë”, – thotë eksperti i karrierës, Lynn Berger.
Me qëllim rritjen e efikasitetit të email-eve tuaja, ekspertët janë përpjekur të gjejnë një përgjigje universale se kur është momenti më i mirë për të dërguar një email. John Foreman, zv.president i Menaxhimit të Produkteve dhe ish-drejtues të dhënash në MailChimp, thotë për CNBC Make It se “në nivel botëror, në përgjithësi, gjatë ditëve të javës është më mirë të dërgoni email-e se në fundjavë, dhe kryesisht në mesditë, pra rreth intervalit 10:00 – 14:00”.
Berger pajtohet me mendimin se është më mirë të shmangni dërgimin e email-eve në fundjavë. “Çështja nuk është se kur duhet ta dërgosh ose jo një email”, – thotë ajo. “Nuk jam e çmendur të dërgoj email-e në fundjavë. Nëse kam diçka në mendje, përdor draft folders. Më pas e nis atë të dielën në mbrëmje ose të hënën në mëngjes,
Përtej këtyre këshillave, gjërat bëhen më të ndërlikuara. “Nuk ka një përgjigje të saktë për këtë”, – thotë Foreman. Koha më e mirë për të nisur një email varet nga disa faktorë: varet nga lloji i kompanisë në të cilën punoni dhe se kë po kontaktoni”.
Dërguesit duhet të mendojnë në mënyrë më analitike se cilin person janë duke kontaktuar. “Kush janë ata, çfarë pune bëjnë, nëse janë studentë, nëse janë punonjës, çfarë pajisjesh përdorin, përditshmërinë e tyre”, – thotë Foreman.
“Të gjitha këto gjëra ndikojnë shumë se cili është momenti më i mirë”.
“Kuptimi i jetës së përditshme të personave të cilët doni të kontaktoni është shumë i rëndësishëm”, – thotë Foreman.
Avokatët, për shembull, janë më të predispozuar të kontrollojnë postën elektronike në intervalin 10:00 – 2:00. Për krahasim, mamitë mund ta hapin rregullisht email-in nga ora 10:00 deri në orën 22:00”. Nëse e mendoni më mirë, e gjithë kjo ka kuptim.
Për të kuptuar se cili është momenti më i përshtatshëm për të nisur një email, mendoni se kë po kontaktoni, stilin e tij të jetesës. A i kontrollon ai email-et nga telefoni, apo vetëm gjatë orarit të punës. Pasi të analizoni këta faktorë, bëni atë që bëjnë analizuesit e të dhënave, – testojini. Për shembull, nëse doni t’i shkruani shefit tuaj, përpiquni ta kontaktoni në fillim të ditës një javë dhe pastaj javës tjetër, pasdite.
Në këtë mënyrë, ju do të gjeni se cila është koha më efikase për ju.
Disa nga gjetjet e sondazhit
Sipas sondazhit, punonjësit shpenzonin 6.3 orë në ditë duke kontrolluar email-et, nga të cilat 3.2 orë ata u kushtonin email-eve të punës dhe 3.1 orë mesazheve personale.
Më shumë se 90 për qind e punonjësve pranuan se kontrollonin email-et personale gjatë orarit të punës, ndërsa 87 për qind pranuan se kontrollonin email-in e punës jashtë orarit.
Rreth 80 për qind thanë se ata i kontrollonin email-et para se të shkonin në punë, ndërsa 30 për qind gjatë kohës kur ishin ende në krevat.
Më shumë se gjysma e të pyeturve thane se ata po ashtu kontrollonin postën elektronike gjatë kohës kur ishin me pushime.
Kjo shifër është edhe më e lartë mes 18–34–vjeçarëve, me 45 për qind të personave që kontrollonin email-in sapo zgjoheshin.
*Abigail Hess
Burimi: CNBC