Sipas një studimi të kryer së fundmi nga Universiteti Alabama, i publikuar në International Journal of Environmental Health Research, ambientet e gjelbra cilësohen si një prej elementeve që ndikojne pozitivisht në rritjen e lumturisë tek njerëzit.
Prandaj zonat e ndryshme të banimit duhet të kenë patjetër parqe ku rezidentët që banojnë aty të kenë mundësinë të shkojnë dhe të kalojnë aty qoftë edhe disa minuta.
Referuar gjithmonë studimit të mësipërm, nëse njerëzit do të shpenzonin qoftë edhe vetëm 20 minuta të kohës së tyre në parqet pranë shtëpisë, ata do të ndiheshin më të lumtur.
Kjo ka të bëjë me faktin se kur njerëzit shkojnë në mjedise të gjelbra, përfitimet që ata marrin janë të shumta, duke filluar nga reduktimi i nivelit të stresit dhe mbi të gjitha qetësimi nga lodhja mendore, shprehen dy bashkautorët e studimit, Hon K. Yuen dhe Gavin R. Jenkins.
“Hapësirat e gjelbra po zhduken vazhdimisht sidomos në qytete”, tha më tej z. Jenkins. Gjatë viteve të fundit, planifikuesit dhe zhvilluesit urbanë nuk po bëjnë gjë tjetër veçse po zëvendësojnë çdo hapësirë të mundshme të gjelbër me ndërtesa rezidenciale. Një prej sfidave më të mëdha me të cilën po përballen banorët e qyteteve, është se edhe pse ata e dinë fare mirë rëndësinë e hapësirave të gjelbra rreth pallateve ku banojnë, ata nuk po bëjnë gjë tjetër veçse po i zhdukin ato, nga dita në ditë, gjë që duhet të ndryshojë sa më shpejt të jetë e mundur”, përfundoi ai.
Burimi: The Economic Times