Në “Odisenë” e tij, Homeri përjetësoi idenë e rezistencës ndaj tundimit duke e lidhur protagonistin me direkun e anijes së tij, për të mos iu dorëzuar ende bukurisë së këngëve të rrezikshme të sirenave. Hulumtuesit prej kohësh janë intriguar nëse kjo aftësi për të shmangur, apo mohuar kënaqësinë është e lidhur me rezultatet në jetë. Testi më i njohur është eksperimenti “marshmallow”, gjatë të cilit fëmijët që do të mund të përmbahen për të mos konsumuar ëmbëlsirën për 15 minuta, do t’i ofrohej një e dytë. Fëmijët që nuk mund të prisnin ishin të prirur të kishin të ardhura më të ulëta dhe shëndet më të ligsht kur të rriteshin.
Studimi i ri tregon se fëmijët të cilët nuk janë në gjendje të vonojnë shpërblimet, kanë më shumë gjasa të bëhen kriminelë më vonë.
David Akerlund, Hans Gronqvist dhe Lena Lindahl i Universitetit të Stokholmit dhe Bart Golsteyn i Universitetit të Mastrihtit, përdorën të dhëna nga një anketë suedeze ku më shumë se 13,000 fëmijë të moshës 13-vjeçare u pyetën nëse ata do të preferojnë të marrin 140 dollarë tani apo 1,400 dollarë pas pesë vjetësh. Rreth katër të pestat e tyre thanë se ata ishin të përgatitur të prisnin.
Ndryshe nga studiuesit e kaluar, autorët ishin në gjendje të gjenin të gjithë fëmijët dhe të llogarisnin përkatësinë e tyre prindërore dhe aftësinë konjitive. Ata zbuluan se 13-vjeçarët që dëshironin shumën më të vogël të parave menjëherë kishin 32% më shumë gjasa të dënoheshin për një krim gjatë 18 viteve të ardhshme se sa fëmijët të cilët thanë se do të prisnin për shpërblimin më të madh. Individët të cilët janë të padurueshëm, besojnë ata, preferojnë përfitime të menjëhershme dhe për këtë arsye kanë më pak të ngjarë të frenohen nga ndëshkimet potenciale.
Por ata që shqetësohen se rruga kriminale e një personi përcaktohet që në adoleshencë nuk duhet ta humbin shpresën. Të katër studiuesit ofrojnë një kurë për këtë. Kur edukimi i të anketuarve u përfshi në analizë, ata zbuluan se një nivel më i lartë arsimi lidhet me preferencën për kënaqësi të vonuar. “Prandaj ne dyshojmë se shkollimi mund t’i pengojë njerëzit nga krimi, duke i bërë ata të vlerësojmë më shumë të ardhmen”, – shpjegon z. Gronqvist.
Niveli arsimor dhe durimi janë të lidhura ose për shkak se durimi i ndihmon nxënësit të performojnë më mirë ose sepse shkollimi i bën njerëzit më të prirur për t’i shtyrë shpërblimet. Për fat të mirë, ka prova që mbështesin teorinë e fundit. Francisco Perez-Arce i korporatës “RAND Corporation”, një organizatë jofitimprurëse, intervistoi rreth 2,000 aplikantë për universitetet meksikane. Studentët kishin kredenciale të ngjashme, por disa u pranuan me short në një universitet që nuk ngarkonte tarifa shkollimi, ndërsa të tjerëve iu desh të aplikonin diku tjetër.
Si rezultat, në kolegj shkuan një përqindje më e lartë e fituesve të shortit sesa humbës. Pas një viti, zoti Perez-Arce zbuloi se fituesit e shortit ishin më të durueshëm se humbësit. Derisa procesi ishte i rastësishëm, ai arriti në përfundimin se arsimi i lartë mund t’i nxisë njerëzit ta vlerësojnë më shumë të ardhmen.
Victor Hugo ka thënë: “Ai që hap një derë shkolle mbyll një burg”. Homeri nuk është i vetmi shkrimtar i madh me mësime për hulumtime ekonomike./The Economist