Kohë krize, si të shesësh më mirë

15/12/2011 4:52 PM 0 komente

Kur industria e ndërtimit në Shqipëri po përballet me rënie të kërkesës, shoqëritë e ndërtimit duhet të gjejnë mënyra për të mbijetuar në treg. Ndërsa ekspertët këshillojnë që të përdoren kanalet e duhura për t´iu drejtuar konsumatorëve

Raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë, në lidhje me treguesin e besimit në industrinë e ndërtimit, nuk flet me optimizëm.

“Në tremujorin e tretë të vitit 2011, bizneset ndërtuese kanë ulur vlerësimin për situatën e përgjithshme ekonomike në vend dhe kanë vijuar të vlerësojnë negativisht gjendjen e përgjithshme të biznesit të tyre”, thuhet në raport. Por, përtej kësaj, biznesi parashikon “dritë në fund të tunelit”, për aktivitetin, për pjesën e mbetur të vitit.
Drejtoresha e marketingut dhe shitjeve në kompaninë “Edil al”, ark. Zhaklina Rira, nuk dëshiron të përdorë termin “rënie të kërkesës”, por stepje të saj, pasi thotë se nuk ka rënie të nevojës për shtëpi, madje po ndodh e kundërta.
“Rritja e nivelit të jetesës, individualizmi dhe shumë faktorë të tjerë socialë kanë prodhuar rritje të nevojës për apartament dhe një shtëpi të dytë. Pa frikë, do të thosha që njerëzit janë bërë shumë më të ndërgjegjshëm, duke i konvertuar pagesën e qirasë së shtëpisë, në këst bankar për apartamentin e tyre. Ndaj mund të them se klientela nuk është tërhequr, por është bërë më selektive”, thotë ark. Rira.
E në një treg të tillë, ndërtuesit po përpiqen të gjejnë rrugë të reja drejt konsumatorit. Ata po diversifikojnë portofolin e ndërtimit, duke ofruar qendra banimi me shumë funksione (jo vetëm strehimi, por edhe argëtimi e çlodhje), që i përshtaten shtresave të ndryshme të shoqërisë, nga ato luksoze tek ato më ekonomike.
Kompania “ManeTCI” aktualisht ka një sërë projektesh në zhvillim, projekte inovatore dhe unike në llojin e tyre në Shqipëri. Jonida Asllani, koordinatore ekzekutivi në departamentin e marketingut dhe shitjeve në këtë kompani, thotë se tregu shqiptar i ndërtimeve është një treg i ri, ende i pangopur, kryesisht ato që ndërtohen për herë të parë, qofshin këto cilësore dhe luksoze. “Pikërisht ne këtë ofrojmë për klientët tanë. Një ndërtesë, cilësore, unike apo luksoze me shërbime të pakrahasueshme. Në këtë këndvështrim, mund të themi se kompania ‘Mane TCI´ nuk e ka ndjerë rënien e kërkesës së konsumatorit për blerje apartamentesh, kjo falë këtyre projekteve inovative dhe unike në llojin e tyre, cilësisë dhe çmimit konkurrues në tregun shqiptar të pronave të paluajtshme”, thotë znj. Asllani.
Për menaxheren e përgjithshme të kompanisë “Colliers International”, në Shqipëri, Stela Dhami, mënyra më efikase për të mbërritur te konsumatori është ulja e çmimit të shitjes së apartamentit apo njësive plotësuese, si vendet e parkimit etj. “Është një praktikë që po aplikohet me sukses në të gjithë botën dhe nxit edhe më shumë konsumatorin për të blerë. Në rajonin e Ballkanit, kjo strategji po aplikohet me shumë sukses”, thotë znj. Dhami.
 
Të flasësh gjuhën e klientit
Ekspertët e tregut imobiliar janë të mendimit se kompanitë ndërtuese, që të jenë të suksesshme në treg dhe të sigurojnë vazhdimësi të aktivitetit, duhet të mbështeten në një strategji të mirëmenduar, por që nxjerr në pah edhe dallimet kundrejt konkurrentëve. Sipas menaxheres së përgjithshme të “Colliers International”, në Shqipëri, Stela Dhami, kompanitë duhet të fokusohen në kapjen dhe targetimin e duhur të klientëve potencialë. “Unë rekomandoj përdorimin e duhur të mjeteve të marketingut, për të kapur klientë të grupeve të caktuara”, thotë ajo. Ndër gabimet e para që bëhen e që znj. Dhami vë re është marketimi i një projekti ndaj një grupi shumë të gjerë blerësish. “Blerësit duhen pozicionuar rreth preferencave të tyre, vila, apartamente në qytet, periferi etj., dhe gjithë strategjia duhet ndërtuar në arritjen e grupit potencial të blerësve që përkojnë me objektin që ndërtuesi ofron”, thotë znj. Dhami.
Për inxhinieren Xheni Jahja, drejtuese e agjencisë imobiliare “Tirana Real Estate”, me rënien e kërkesës në treg, kompanitë e ndërtimit duhet të shikojnë me kujdes cilësinë e ndërtimit dhe ofrimin në treg të teknologjive të reja, si termo-izolimit, ze izolimit, apartamenteve ekologjike etj.
“Do të sugjeroja që tek apartamentet ekonomike të synohet drejt kursimit të energjisë dhe uljes së kostos së jetesës apo faturave mujore. Duhet të shfrytëzohet sa më shumë energjia diellore që Shqipëria zotëron”, thotë znj. Jahja.
“Të gjejmë ambientin perfekt për klientët është një sfidë së cilës nuk i rezistojmë dot”, thotë drejtoresha e marketingut dhe shitjeve në kompaninë “Edil al”, ark. Zhaklina Rira.
Sipas saj, në një moment të tillë, tregu bën natyrshëm përzgjedhjen e kompanive prestigjioze. Edhe për Jonida Asllanin, koordinatore ekzekutivi në departamentin e marketingut dhe shitjeve, në kompaninë “ManeTCI”, shitjet e ndërtimeve deri tani kanë qenë në nivele të kënaqshme, falë edhe strategjisë së marketingut, mjeteve të përdorura, si identifikimi i nevojave të klientëve, duke u bazuar te produkti që ata kërkojnë; zhvillimit të mëtejshëm të produktit, duke e sjellë në mënyrën më të mirë të mundshme te konsumatori; zhvillimit të portofolit, duke bërë të mundur një pozicionim të mirë të brandit tonë në treg, fitimit, ruajtjen dhe mbajtjen e klientëve të rinj dhe ekzistues; duke ofruar shërbime të reja, duke ditur njohuritë e tij mbi produktin dhe ofrimin e shërbimit të vlerës te klienti”, thotë znj. Asllani.
Sipas saj, kompania zbaton disa strategji për të tërhequr konsumatorin (por varet nga politikat dhe strategjitë që çdo kompani ndjek”. “Ne te ‘ManeTCI´, mundohemi që fokusi ynë kryesor të mbetet te konsumatori, te dëshirat apo kërkesat që ai ka kundrejt pronës që ka blerë, duke u munduar t´i ofrojmë ofertat më të mira në treg, shërbime lehtësuese, çmime konkurruese dhe cilësi, duke krijuar besim në marrëdhënien e ndërsjellë; në mënyrën që konsumatori të largohet i kënaqur dhe pse jo të kthehet përsëri”, thotë znj. Asllani.
Për kompaninë “Edil al”, strategjia nuk ka pasur ndryshime rrënjësore. “Duke qenë njohës të mirë të tregut, ne njohim mirë edhe klientelën tonë dhe kjo na bën të kursejmë kohë dhe para. Pas kësaj është klientela që na përzgjedh ne. Do të thoja që në një situatë të tillë, ne po përpiqemi të jemi të drejtpërdrejtë dhe transparentë me klientin, gjë që ka forcuar besueshmërinë e tyre ndaj nesh”, thotë ark. Rira. Sipas saj, kjo është reflektuar edhe te shitjet që vlerësohet të jenë në nivele të kënaqshme, si tre vjet më parë kur tregu i ndërtimit ishte në majat e tij, edhe pse ndryshimi është ndier në kërkesën vendase. “Vizoni i kompanisë sonë është shtrirë edhe përtej kufijve të Shqipërisë. Prej pesë vjetësh, kompania jonë është e vetmja që operon me sukses në tregun ndërkombëtar. Pjesa e dytë e strategjisë ka qenë ekspozimi i projekteve tona, jo vetëm në Maqedoni e Kosovë, por dhe në tregun europian. Kjo ka krijuar për ne një target-grup më të madh klientësh”, thotë ark. Rira.

Media, mjeti i preferuar për marketing
Si kompanitë e ndërtimit, ashtu edhe agjencitë imobiliare, renditin si kanalin më të preferuar për të shkruar në mënyrë të shpejtë dhe efikase, median e veçanërisht atë vizive. Por ka edhe kompani që kanë zgjedhur të shkojnë më tej, madje menaxherja e përgjithshme e “Colliers International”, për Shqipërinë, Stela Dhami, sugjeron, duke qenë se jemi në ditët e zhvillimit masiv të medias online, blerjen e hapësirave publicitare në faqe të ndryshme në internet, që kanë prezencë të rëndësishme në tërheqjen e klientëve të interesuar për pasuri të patundshme. “Gjithashtu do të sugjeroja një prezantim të thjeshtë, të qartë që tregon vendndodhjen dhe cilësinë e ndërtimit të objektit”, thotë znj. Dhami.
Jonida Asllani, koordinatore ekzekutivi në departamentin e marketingut dhe shitjeve, pranë “ManeTCI”, thotë se kompania përdor si mjete për të arritur në mënyrë efikase te klienti, kanalet mediatike si televizioni, interneti, gazetat, revistat e ndryshme etj.
Për drejtoreshën e marketingut dhe të shitjeve në kompaninë “Edil al”, mediat mbeten një potencial dhe kanal shumë i fortë për të shkuar te klienti, por nëse tregu dhe target-grupi i kompanisë nuk është vetëm vendas, duhet të krijohen kanale të reja. “Ne e kemi parë me vend, që një vlerë të mirë të buxhetit tonë të marketingut nuk duhej të shkonte thjesht në një kanal televiziv, por në një shtrirje më të gjerë. Duke qenë se ‘Tring Digital´ ka një shtrirje të mirë dhe shikueshmëri edhe në Europë, ka qenë një nga mjetet tona kryesore për t´u reklamuar dhe për të sjellë klientelën që është jashtë kufijve, duke mos lënë jashtë dhe mediat e tjera.
Përveç mediave, rritja e nivelit të shërbimeve dhe krijimi i lehtësirave në marrjen e informacionit janë ndër pikat ku kjo kompani po investon totalisht dhe në mënyrë inovative. “Aktualisht ‘edilal.com´ është web-i i vetëm që ka të gjitha apartamentet online, jo vetëm planimetri, por deri te vendndodhja, sipërfaqja, çmimi, imazhet e godinës etj. Marketingu online është vetëm një pjesë e vogël, pasi shumë shpejt, kompania (është tashmë e përgatitur) do të sjellë një ndryshim në natyrën e tregut të real estate-it në Shqipëri”.

FJALI VEç
Sugjerimi
Mënyra më efikase për të mbërritur te konsumatori është ulja e çmimit të shitjes së apartamentit apo njësive plotësuese, si vendet e parkimit etj.

Nga E. Bedalli

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of