Shtypi i shkruar po kalon një periudhë të vështirë. Ai po konkurrohet fort jo vetëm nga mediat online, që e përhapin lajmin brenda pak sekondave, por edhe nga njësitë online brenda gazetës së tyre.
Lexuesit tradicionalë po largohen gradualisht nga media e shkruar, reklamuesit po ashtu. Totali i sipërfaqes së reklamuar në median e shkruar në vitin 2017 (për 36 gazeta e revista) ra me 21% me bazë vjetore, sipas të dhënave të monitorimit nga Idra Media, duke shënuar të tretin vit radhazi me tkurrje dyshifrore.
Në bazë të monitorimeve të Idra Media dhe të dhënave nga bilancet e gazetave kryesore, të ardhurat nga reklamat e shtypit të shkruar vlerësohen më pak se 2 milionë euro në vitin 2017 , me një rënie vjetore prej të paktën 10%. Në krahasim me katër vjet më parë, tkurrja është e fortë, rreth 40%.
Vodafone, Albtelecom dhe Telekom Albania, që dikur ishin reklamuesit më të mëdhenj në median e shkruar, rezultojnë me një ulje të vazhdueshme të sipërfaqes së reklamuar në 2016-2017. Vodafone e ka reduktuar sipërfaqe e reklamuar me 37% në 2017-n, Albtelecom me 5%, ndërsa Telekom Albania pothuajse është “zhdukur” nga printi.
Credins është reklamuesi më i madh në 2015-2017 për nga sipërfaqja, sipas Idra Media. Por, më shumë se orientim i Credins drejt medias së shkruar, ky është vijim i kontratave të shkëmbimit të shërbimeve mes bankës dhe disa gazetave.
Reklamues të mëdhenj përveç, telekomunikacioneve, rezultojnë dhe biznese që janë më shumë mbështetje për mediat që bëjnë pjesë në të njëjtin grup (rasti i Birrës Korça me gazetën Panorama, apo Ferlut me Gazetën Ballkan, Abissnet te Shekulli etj).
Në bazë të të ardhurave, grupi më i madh i medias së shkruar është Panorama Group (me median kryesore gazeta Panorama, më e madhja në vend nga tirazhi, dhe Panorama Sport) me një qarkullim vjetor prej 276 milionë lekësh, duke shënuar rënie prej gati 5% me bazë vjetore.
Edhe media e dytë më e madhe në vend Unipress (Gazeta Shekulli dhe publikime të tjera të grupit) ka parë rënie të qarkullimit vjetor me 13%, në gati 95 milionë lekë.
Mediat e tjera kanë shënuar rënie dyshifrore të të ardhurave, sipas bilanceve të 2016-s. Me tkurrje kanë rezultuar, Shqiptarja.com, Gazeta Shqiptare, Sport Ekspres, Gazeta Dita. E vetmja me rritje rezulton Koha Jonë.
Menaxherët e shtypit të shkruar konfirmojnë rënien e ndjeshme të shitjeve. Gazeta më e madhe në vend (Panorama) ka zbritur nën 10 mijë kopje, ndërsa e dyta nuk ka tirazh më të lartë se 4 mijë kopje (gara mes Sot dhe Dita). Vitin e fundit është shënuar një rritje e shitjeve në Tiranë, që shpjegohet me zhvendosjen e popullsisë drejt kryeqytetit dhe rënie në rrethe, duke kompensuar njëra-tjetrën.
Shumë gazeta të printuara tashmë mbahen në treg për të mbështetur markën e tyre në versionin online.
Korriku 2016 shënoi dhe viktimën e parë të madhe të shtypit të shkruar, me mbylljen e gazetës “Shqip” në variantin e shtypur, duke mbajtur vetëm versionin online. Arsyet e këtij vendimi lidheshin me rënien e tirazhit dhe uljes së reklamave. Të dhënat zyrtare të bilancit flasin për një përgjysmim të të ardhurave në 2016 (-53% në 24 milionë lekë). Por, reduktimi i shpenzimeve me ritme më të larta, si rrjedhojë e kursimit në shtypshkronjë, ka bërë që “Shqip” të rezultojë me fitime 2 milionë lekë, nga humbjet prej 7 milionë lekësh në vitin e mëparshëm.
Redi Gjuzi, zv.kryeredaktor i gazetës “Panorama”, pohon se, edhe pse ka një diferencë të madhe profesionale, konkurrenca mes medias së shkruar dhe asaj online, duket se po sjell një zhvillim pozitiv.
“Sot, në krahasim me një vit më parë, më të fituarit janë lexuesit. Kjo ‘luftë’ e shtypit me vetveten dhe zhvillimin, ka bërë që, të paktën në rastin e ‘Panorama’, të kemi dyfish më shumë lexues në online, dhe fatmirësisht një ndalje të trendit rënës në shitjen e gazetës print. Përballja mes informacionit falas, dhe atij me pagesë ka bërë që të paktën të kemi më shumë shqiptarë që informohen”.
Gjuzi shton se për gazetarët e shtypit të shkruar mund të quhet viti i fundit i luftës për të ndaluar rënien. “Edhe pse media online po rritet me ritme të frikshme, fakti që media e shkruar nuk po i ul më tirazhet dhe shitjet, tregon se përballjes po i vjen fundi”. Në treg, duket se është gjetur mesatarja e artë për të dy ‘konkurrentët’”, pohon Gjuzi.
——–
[2] Llogaritja bëhet duke marrë për bazë sipërfaqen e reklamuar dhe tarifat zyrtare, duke u bërë një zbritje prej rreth 60-65%, për të arritur në një vlerë reale tregu (mediat në përgjithësi ofrojnë zbritje të mëdha nga tarifat zyrtare).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.