“Kokëçarjet” e një biznesi të ri

25/02/2013 14:23 0 komente
biznes i ri probleme 1_opt

biznes i ri probleme 1_optTë mendoni për hapjen e një biznesi të ri do të thotë të realizoni një ide që lind brenda “një sekonde”, por ka edhe raste kur është një vendim i menduar me detaje dhe i planifikuar mirë. Vështirësitë me të cilat përballet një sipërmarrës i ri janë të shumta, duke filluar nga çështjet financiare, gjetja e tregut, konkurrentët e deri te ligjet, e rregullat e lojës. Por, si mund të thjeshtësohen këto “kokëçarje”. Ekspertët japin disa mendime, që mund të merren në konsideratë nga të gjithë ata që mendojnë se mund t’i futen kësaj “aventure”.

Sipas tyre, biznesi nuk duhet të “varet” vetëm nga puna e sipërmarrësit në mënyrë që të rritet. Kjo ka të bëjë edhe me menaxhimin e jetës personale të drejtuesit, i cili, nga puna e tepërt nuk duhet të lërë mënjanë familjen, miqtë dhe gjërat që i pëlqejnë, pasi të gjitha bashkë janë tiparet që e bëjnë të suksesshëm një drejtues biznesi. Shkurt, një biznes i ri, duhet të sigurojë kohë të lirë për sipërmarrësin.

Ajo që sugjerojnë ekspertët është se duhet të synohet të jetë një produkt apo shërbim “niche” (qoshe e veçantë e tregut ku oferta mund të mos jetë e plotë), ose të ketë një kërkesë të lartë për një çmim të ulët.

Biznesi duhet të mbështetet në kostot variabël, ku llogaritë e shpenzimeve të bëhen në përpjesëtim të drejtë me të ardhurat. Kjo gjë e bën më të thjeshtë drejtimin e një biznesi nga një individ pa përvojë në këtë fushë, ndryshe nga ç’do ishte nëse do të përfshiheshin shpenzime fikse të punonjësve apo orëve të punës të makinerive. Duke pasur kosto fikse sa më të ulëta, investimi fillestar ka mundësi të mbulohet në një kohë shumë të shkurtër nga fitimet.

Sipas tyre, produkti që do të hidhet në treg nuk duhet të jetë një artikull i modës, për arsyen e pamundësisë për të konkurruar me ofruesit që tashmë e kanë bërë atë artikull të modës.

Baza ligjore dhe rregullatore, thonë ata, për produktin e ri, nuk duhet të jetë nën shënjestrën e ndryshimeve, në mënyrë që biznesi i ri të mos përballet me probleme ligjore në të ardhmen.

Mënyra më e thjeshtë për të drejtuar dhe nisur një biznes të ri është që të mos keni të bëni me inventarë, magazinime, furnitorë dhe shpërndarje. Ofrimi i një shërbimi është gjithmonë një biznes më i thjeshtë.

Së fundmi, ideja për një biznes të ri nuk duhet të ketë kosto të larta, por kjo fatkeqësisht do të thotë gjithashtu që edhe konkurrentët mund të hyjnë në treg me po aq lehtësi (barriera hyrjeje të pakta).

Sipas një studimi të kryer nga David Birch në SHBA, 50% e sipërmarrjeve të reja dështojnë brenda pesë viteve të para të jetës së tyre. Pavarësisht këtyre kritereve, gjithmonë ka përjashtime. Një biznes i ri, mund të mos plotësojë asnjë nga këto kritere dhe përsëri të jetë i suksesshëm. Pasioni, idetë e shkëlqyera dhe motivimi i sipërmarrësit mbeten gjithmonë faktorët kryesorë që ndikojnë në suksesin e biznesit.

 

Që të mos humbisni para…

Gabimi më i madh është të mos mësohet nga gabimet e të tjerëve, apo më keq akoma, nga gabimet tuaja të mëparshme. Disa këshilla të nevojshme për të parandaluar kosto të tepërta.

1. Mos bëni parashikime shitjesh tepër optimiste. Të gjitha vlerësimet mbështetini në rezultatet e këshilltarëve me përvojë dhe studimeve të detajuara për një sektor të caktuar të tregut.

2. Mos punësoni njerëz që bien gjithmonë dakord me idetë tuaja. Rënia dakord të jep ndjesi të mirë, por nuk nxjerr para prej saj. Kërkoni për ide të reja që sfidojnë tuajat dhe dëgjojini me vëmendje ato. Në këtë mënyrë, nxitet debati konstruktiv dhe ideja që kishit në fillim, mund të zëvendësohet nga një më e mirë.

3. Mos u përqendroni edhe aq shumë tek konkurrenca. Është gjithmonë më produktive të përqendroheni tek krijimi i një oferte të suksesshme nga kompania që drejton, sesa të përpiqeni të zhdukni konkurrentët. Të thoni gjëra negative për stafin e tyre, apo të vini në dukje mangësitë e tyre, është një situatë humb-humb.

4. Mos harxhoni kohë duke vrarë mendjen se çfarë mendojnë të tjerët. Nuk ka rëndësi se sa shumë përpiqeni, sepse nuk mund t’i kënaqni asnjëherë të gjithë. Mos kini frikë të ndiqni vizionin tuaj, të mësoni nga gabimet dhe të transformoni biznesin tuaj, edhe nëse dikush mund t’i shikojë ndryshimet si një zhgënjim.

5. Mos e bashkoni biznesin me qejfin. Kjo është veçanërisht e vërtetë për marrëdhëniet me të tjerët. Mos u miqësoni me punonjësit e rinj menjëherë dhe zgjidhi partnerët me zgjuarsi. Nuk duhet të merreni me “punët tuaja” aty dhe atëherë kur është koha për biznes.

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.