Shqiptarët kanë filluar të shpenzojnë edhe për dhuratat e Krishtlindjeve. Shitësit tregojnë se fuqia blerëse ka rënë, por ata presin me shpresë kthimin e emigrantëve për tu rritur paksa konsumi. E megjithatë askush nuk ngurron të paguajë për dhuratat e shtrenjta, veçanërisht kravata për meshkujt dhe unaza platini për femrat.Shqiptarët duket se kanë rinovuar shijet për dhuratat e festave të fundvitit dhe nuk janë aspak larg nga tendencat e modës europiane. Klasike dhe shumë shik mund të konsiderohen preferencat për të pritur Vitin e Ri, i cili nuk do shumë që të trokasë. Por një vrojtim në dyqanet plot shkëlqim ku nuk mungon asgjë, të lë të kuptosh se në fakt ka rënë ndjeshëm fuqia blerëse. Tregtarët shprehen se ndryshe nga vitet e kaluara, shqiptarët po vonojnë të blejnë dhuratat e fundvitit, kjo për shkak se edhe çmimet janë rritur. Tashmë, dyqanet kanë filluar të tregtojnë mallra gjithnjë e më cilësore, pasi edhe kërkesat për produkte “firmato” janë shtuar. Po çfarë preferojnë të blejnë më shumë shqiptarët për të kënaqur shijet e të afërmve apo miqve në prag të ndërrimit të viteve? Preferencat janë të ndryshme, shprehen shitësit, por nuk hiqet dot dorë kollaj nga bizhuteritë, të brendshmet, apo edhe nga simbolet e krishtlindjeve, siç janë babagjyshët e Vitit të Ri, apo edhe aksesorët zbukurues të tryezave apo edhe shtëpive. Stolitë, janë dhuratat më të preferuara nga shqiptarët. Zbukurimet në argjendë, si unaza, varëse apo edhe byzylykë, kanë pasur një “bum”. Janë të rinjtë ata të cilët dëshirojnë më tepër këto kategori dhuratash. Është e vështirë të bësh një përcaktim shijesh, pasi ato janë individuale, por krejtësisht e vërtetë është se dhurata e Vitit të Ri duhet të ketë një të veçantë, apo edhe një simbolikë. Shpesh synohet që dhurata për Krishtlindje apo edhe ajo e Vitit të Ri të jetë diçka që të sjell fat dhe gëzim.Meshkujt, të etur pas hajmalive dhe kravataveTeksa përpiqesh të zbulosh se, cilat janë dhuratat që femrat shqiptare preferojnë për meshkujt në këtë fundvit, kupton se shpesh ato janë supersticioze. Ato dëshirojnë që partnerët e tyre të marrin diçka që do ta mbajnë shpesh me vete. Në dyqanet e stolive, shitëset tregojnë se këtë vit “bum” shitjesh ka pasur në zbukurimet e argjendta, veçanërisht hajmalitë, të cilat janë zbukurime që mendohet se sjellin fat. “Është e vështirë, shprehen shitëset, të bësh një përqasje në dëshirat e klientëve, pasi ato janë të ndryshme”. Gjithmonë preferohet, sipas tyre, një dhuratë që synon të ketë surprizën brenda. Gjithashtu, të brendshmet me ngjyrë të kuqe janë përsëri në modë. Nuk mund të hiqet dorë prej kësaj dhurate, tregojnë shitëset, pasi ideja fikse se ato sjellin fat po ti veshësh natën e Krishtlindjeve, vazhdon të ekzistojë. Kështu, një komplet për meshkuj ka një çmim që luhatet nga 1,500 lekë deri në 4,000 lekë. Gjithçka varet nga materiali apo edhe firma prodhuese. Një tjetër dhuratë që duket se preferohet shumë nga femrat për meshkujt, janë edhe kravatat. Preferohen ngjyrat e forta. Mbizotëron në zgjedhjet e tyre ngjyra vishnje, rozë apo edhe blu e errët me kombinacione. Çmimet e tyre luhaten nga 2,000 lekë deri edhe në rreth 5,000 lekë. Kravatat e prodhuara nga emra të njohur, si Xhorxho Armani, apo edhe Nino Vitali, duket se janë edhe preferencat më të mëdha. Në shitjet e këtij viti ka një tendencë të fortë edhe ndaj orëve të dorës, kryesisht preferohen prodhimet zvicerane, apo edhe ato me firmën e Corte Cavalli etj. Çmimet luhaten nga 6,000 deri në 20,000 lekë. Teksa pyet shitësit për rekomandimet që i bëjnë klientëve, ata shpesh ngrejnë supet dhe shprehen se çdo gjë varet nga karakteri i tyre dhe dëshirat. Për tipa meshkujsh sportivë, rekomandohen orë, portofolë, por edhe të brendshme. Për më klasikët; këmishat, kravatat, apo edhe parfumet e shtrenjta.Femrat, të apasionuara pas unazave Një unazë prej platini për një femër do të thotë përkujdesje, vlerësim, apo edhe diçka që jeton gjatë. Femrat janë më të joshura, sipas shitësve, ndaj unazave me platin, por edhe ato me kombinime me floririn e verdhë. Një unazë e tillë kushton minimalisht nga 6 mijë në rreth 8 mijë lekë. Si dhuratë e preferuar mbeten edhe karficat me gurë, por shitësit shprehen se për shkak të çmimit të shtrenjtë që ka shpesh ky lloj zbukurimi, i cili varion nga 3 mijë deri në 8 mijë lekë, por edhe më shumë nëse punimi është elegant. Të brendshmet nën siglën Viktorias Secret, janë preferuar shpesh. Por ndryshe nga vitet e kaluara, jo vetëm ngjyra e kuqe, por edhe ngjyra çokollatë dhe vishnje kanë shënuar shitje. Çmimet e kompleteve të bredshme, në fakt konsiderohen të larta. Minimalisht ato kushtojnë nga 3 800 lekë deri në 6 mijë lekë. Në këtë rast femrave u janë sugjeruar të bredshme më tepër seksi me aksesorë të veçantë, si temina apo edhe lule, me më tepër materiale të tejdukshme. Në fakt, një risi e këtij viti është se shpesh femrat kanë preferuar ti bëjnë edhe vetëvetes dhurata, si fustane mbrëmjeje, ku ruhen tendencat provokuese dhe materialet e derdhura, të cilat vënë në dukje format. Në disa raste, çmimet e larta nuk përbëjnë problem, pasi preferohet që në mbrëmjet e fundvitit të ruhet efekti i sensacionit dhe joshjes. Ngjyrat e këtij sezoni janë grija, e zeza, ngjyra bakër, por edhe e florinjta dhe vishnja. Një fustan mbrëmjeje kushton nga 8 mijë deri edhe në 10 mijë lekë. Fustanet me korse apo edhe me buste, kanë qenë më të preferuarat edhe më të shiturat. Por femrat edhe këtë fundvit kanë preferuar që ndër dhuratat e tyre të jenë edhe parfumet, çmimi i të cilëve varion nga 1 mijë deri në 10 mijë lekë, kur flitet për emra të dëgjuar të kozmetikës, si Casharel, Laura Biagioti, apo edhe Viktorias Secret. Për ambientet familjare si në çdo fundvit, dhuratat më të parapëlqyera janë; mbulesat e tavolinave, qirinjtë, çizmet me copë të babagjyshit, të gjitha të zbukuruara me simbolet karakteristike të kësaj feste. Çfarë rekomandojnë shitësit?Teksa përpiqesh të marrësh një përgjigje për këtë pyetje, shitësit buzëqeshin ose shpesh ngrenë supet. Janë të gatshëm të të japin një listë të gjatë të artikujve që tregtojnë duke garantuar se cilësia e tyre ka ardhur gjithnjë në rritje. Janë klientët ata që vendosin në të shumtën e rasteve, shprehet një shitëse bizhuterish në rrugën “Myslim Shyri”. Përpiqem të kuptoj karakterin e njerëzve që vijnë, por edhe shumën që ata duan të shpenzojnë. Një orë, një varëse, një unazë. Këto janë dhuratat që rekomandohen më tepër nga shitëset, pasi, sipas tyre, këto stoli kanë më tepër vlerë dhe tregojnë elegancë në zgjedhje. Ajo që të bën më shumë përshtypje është fakti se shqiptarët preferojnë të bëjnë më tepër dhurata për festën e Krishtlindjeve, një traditë që vetëm kohët e fundit ka filluar të zërë vend në familjet shqiptare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.