Detyrimet e grupit më të madh të biznesit të Kroacisë po kërcënojnë me falimentimin e kompanisë dhe jo vetëm humbjen e mundshme të dhjetëra mijë vendeve të punës, por madje edhe stabilitetin e qeverisë së vendit.
Ndër bizneset kryesore të Grupit Agrokor janë prodhimi dhe shpërndarja e produkteve ushqimore dhe pijeve, si dhe rrjeti i dyqaneve me pakicë, që së bashku kanë akumuluar një borxh prej 5.4 miliardë eurosh (6 miliardë dollarë).
Këto të dhëna përfaqësojnë rreth 12% të Produktit Kombëtar Bruto kroat.
“Falimentimi i mundshëm i Agrokor vjen edhe për shkak të situatës së përgjithshme ekonomike dhe politike që ka përjetuar Kroacia në dekadat e fundit”, tha dekani i Universitetit të Ekonomisë së Zagrebit dhe eksperti i Bankës Botërore”, Velimir Srica.
Pasi u bë e qartë se Agrokor nuk do të ishte në gjendje të merrte përsipër shlyerjen e borxhit, qeveria e ka parë veten të detyruar të ndërhyjë, duke qenë se kjo kompani ka punësuar rreth 40,000 punonjës në Kroaci dhe rreth 20,000 në vendet fqinje si Slloveni dhe Bosnjë.
Përveç kësaj, nga kjo situatë janë prekur edhe furnizuesit e Agrokor, të cilët kanë punësuar rreth 150,000 punëtorë, kryesisht brenda sektorit të bujqësisë në Kroaci.
Këto shifra nënkuptojnë se falimentimi mund të çojë në një valë shkatërrimtare financiare dhe ekonomike, siç ka paralajmëruar edhe më parë Kryeministri kroat konservator, Andrej Plenkoviç. Gjatë viteve 1990, ajo përjetoi një zgjerim të shpejtë dhe agresiv nën presidencën e parë të pavarur kroate të Franjo Tugjmanit (1991-1999).
Blerja e tij më e madhe jashtë Kroacisë ndodhi në vitin 2014, kur ai mori në pronësi, Mercator, zinxhirin kryesor të dyqaneve me pakicë të Sllovenisë.
Të ardhurat e tij totale të konsoliduara vjetore shkojnë në rreth 6.59 miliardë euro, duke arritur në rreth 15% të PKB-së kroate, një nga ekonomitë më të varfra të BE-së.
Zgjerimi i saj gjatë viteve ’90 nuk ishte aspak transparent dhe konsiderohet si një shembull tipik i teksteve të librave të epokës postkomuniste “Kapitalizmi klientelist”, ku suksesi i një biznesi të caktuar varej nga lidhjet e ngushta ndërmjet sipërmarrësve dhe elitës politike të vendit.
Kjo pasqyron mungesën e çdo strategjie shtetërore, aleancën e çmendur midis politikës dhe ekonomisë, korrupsionit dhe injorancës”, tha më tej eksperti i Bankës Botërore të Kroacisë.
Simbioza midis Agrokor dhe shtetit kroat ishte deri në një shkallë të tillë saqë “zyra e tatimeve kroate nuk dërgoi askënd për të kontrolluar llogaritë e kompanisë gjatë pothuajse gjithë dekadës së fundit”, tha z. Srica.
Kur në fillim të 2017-s kompania u shfaq në prag të falimentit, qeveria kroate reagoi me nxitim për të shmangur një shpërthim të mundshëm, vijoi ai.
Qeveria miratoi të ashtuquajturin “Ligjin e Agrokor-it”, i cili parashikonte ndërhyrjen e qeverisë në korporatat e mëdha për të shmangur falimentimin e tyre. “Qëllimi i qeverisë ishte që të shmangte një cunam ekonomik dhe financiar, që do të na prekte të gjithëve ne”, tha Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç në një deklaratë për shtyp.
Në përputhje me ligjin kroat, aksioneri kryesor i Agrokor, manjati Ivica Todoriç, u detyrua ta dorëzojë kompaninë e tij te një bord i menaxhimit të krizës në mars të këtij viti, gjë që hapi bisedimet me kreditorët e saj kryesorë, mes tyre edhe dy banka ruse Sberbank dhe VTB.
Agrokor siguroi se nuk do të detyrohet të deklarojë falimentimin dhe njoftoi ristrukturimin e kompanisë brenda 18 muajve të ardhshëm, gjë që nënkupton shitjen e aseteve.
Shtrëngimet e tmerrshme të Agrokor nuk janë vetëm kërcënim për stabilitetin social dhe ekonomik të Kroacisë, por kanë provokuar edhe konflikte të ashpra në qeveri midis Unionit Demokratik Kroat të konservatorëve dhe partisë së qendrës, Most.
Partneri më i vogël i koalicionit, Most, shkoi deri në ekstrem, sa të japë një votë mosbesimi kundër Zdravko Maric, ministrit kroat të Financave dhe ish-administratorit të Agrokor mbi një konflikt interesi të supozuar.
HDZ arriti të shpëtojë ministrin e saj të Financave me një votim shumë të ngushtë parlamentar, por analistët e shtypit dhe të financave bien dakord se kabineti kroat është shumë i implikuar dhe do të shkatërrohet në ditët ose javët e ardhshme, duke çuar kështu në zgjedhjet e dyta të përgjithshme të parakohshme në më pak se një vit.
Partia Most e akuzon HDZ-në për mbulimin e veprimtarive kriminale brenda menaxhimit të Agrokor, gjë që nënkupton se anëtarët e kësaj partie janë të dyshuar për implikim në këto veprimtari.
Sipas opozitës të kryesuar nga socialdemokratët e SDP-së, ristrukturimi i grupit Agrokor, herët ose vonë, do të dështojë dhe se kostot më të mëdha të këtij ristrukturimi do të bien mbi qytetarët kroatë.
Burimi: Herald Tribune
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.