Në raportin e tremujorit të katërt ekonomik për vendet që kërkojnë të anëtarësohen në BE, Komisioni Europian në analizën për Shqipërinë nxjerr në dukje faktin që tregu i punës është përkeqësuar lehtë në tremujorin e tretë 2012. Sipas raportit, punësimi ta me 1.2% me bazë vjetore, në krahasim me një rritje prej 1.5% që u konstatuar të njëjtin tremujor të një viti më parë. Megjithatë, punësimi në sektorin privat jo bujqësor u rrit me 4% me bazë vjetore dhe mbeti krijuesi më i madh i vendeve të punës sektori publik vazhdoi që të reduktonte vendet e punës. Në total, norma e papunësisë mbeti e pandryshuar prej 13.3% në tremujorin e tretë. Pagat e sektorit publik u rritën me 7% me bazë vjetore në tremujorin e katërt, ndërsa paga minimale u rrit me 5% me bazë vjetore.
Raporti e vë më tej theksin në rritjen e vazhdueshme të kredive të këqija, që arritën në 22.95% në tetor, nga 22.7% në fund të tremujorit të tretë. Ndërkohë që huadhënia bankare vazhdoi të jetë e ngadalësuar për të 10 muaj radhazi. Në nëntor, portofoli i agreguar i kredisë u rrit me 4% me bazë vjetore, në krahasim me rritjen prej
14.8% me bazë vjetore dhe 6.4% në tremujorin e tretë 2012. Edhe rritja e depozitave është ngadalësuar.
Gjithsesi, raporti vlerëson rritjen ekonomike të Shqipërisë prej 2.7% në tremujorin e tretë, ku pothuajse të gjithë sektorët, me përjashtim të ndërtimi, shënuan zgjerim.
Lidhur me zhvillimet fiskale, raporti përmend rënien e të ardhurave nga tatimi mbi korporatat dhe atë mbi të ardhurat personale si dhe nga akciza, ndërkohë që TVSH dhe sigurimet janë rritur lehtë.
Në tremujorin e tretë 2012, stoku i borxhit publik u rrit me 1.6% me bazë tremujore në 58.8% të PBB-së së gjithë vitit, krahasuar me 58.5% në tremujorin tretë të një viti më parë. Borxhi i jashtëm llogaritet në 44% të totalit të borxhit dhe u rrit më shpejt (2.7% me bazë tremujore) sesa borxhi i brendshëm, që u zgjerua me 0.8% në terma tremujorë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.