Në një konferencë shtypi të mbajtur sot paradite nga komisionerët Carlos Moedas e Mariya Gabriel, Komisioni Europian bëri të ditur projektin e tij për të investuar së bashku me shtetet e tjera anëtare në ndërtimin e një infrastrukture europiane kompjuterike në nivel botëror.
Një superkompjuter, në gjendje të përpunojë një sasi të dhënash gjithnjë e më të mëdha dhe t’i sjellë përfitime shoqërisë në shumë fusha, nga shërbimi shëndetësor tek energjitë e rinovueshme, nga siguria e automobilave tek siguria informatike.
Ky është objektivi i propozuar nga Komisioni Europian, që do të investojë 1 miliard euro, gjysma e të cilave (486 milionë euro) do të vijnë nga Bashkimi Europian dhe pjesa tjetër nga shtetet anëtare, për ndërtimin e këtij superkompjureri.
Në këtë projekt marrin pjesë 13 shtete: Gjermania, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Spanja, Franca, Greqia, Italia, Luksemburgu, Holanda, Portugalia, Sllovenia dhe Zvicra. Të gjitha këto vende nënshkruan një deklaratë në të cilat zotohen të punojnë së bashku.
“Superkompjuterët janë tashmë në qendër të progreseve të rëndësishme dhe inovacioneve në shumë fusha, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve europianë dhe mund të na ndihmojnë për të kursyer energji dhe për të luftuar ndryshimet klimatike, në mënyrë më eficiente”, – deklaroi Mariya Gabriel, komisionere në Bashkimin Europian për fushën e teknologjisë.