Komisioni Europian, web-taksë për kolosët e teknologjisë

02/03/2018 9:28 AM 0 komente

Komisioni Europian do të propozojë në mars një taksë që do t’u vendoset gjigantëve të teknologjisë në botë.

Siç bën të ditur Reuters, ajo duhet të jetë rreth 1-5% e qarkullimit e do të aplikohet në vendet ku ndodhen klientët e këtyre kompanive dhe jo aty ku ato kanë selinë. Kjo është një mënyrë për të shmangur që shtetet e vogla të jenë edhe një herë parajsa fiskale për këto kompani shumëkombëshe.

Këtij tatimi do t’u nënshtrohen kompanitë me fitime më të larta se 750 milionë euro, nga të cilat të paktën dhjetë janë vetëm në Bashkimin Europian. Në këtë listë janë sigurisht Facebook dhe Google, por nuk do të përjashtohen platformat ecommerce si Amazon dhe kompanitë Airbnb dhe Uber.

Për momentin nga ky draft, i cili mund të pësojë ende ndryshime, mbeten të përjashtuara mediat online, platformat streaming si Netflix dhe kompanitë që ofrojnë shërbime IT. Gjithsesi bëhet fjalë për një taksë të përkohshme, me qëllim marrjen e një mase më të gjerë europiane mbi këtë çështje. Në çdo rast, pas prezantimit të propozimit, është i nevojshëm miratimi i shteteve anëtare të Bashkimit Europian.

Përpjekjet në të shkuarën

Shtetet si Irlanda dhe Luksemburgu, që kanë një regjim taksash mjaft të ulët, pikërisht për të tërhequr kompanitë e mëdha, do të jenë një pengesë në këtë çështje.

Ideja e së ashtuquajturës web-tax nuk është një risi: në shtator të vitit të kaluar, Komisioni Europian kishte prezantuar udhëzimet e tij mjaft të përgjithshme rreth formës së mundshme të taksës së re. Një ndër hipotezat më të besueshme ishte e ashtuquajtura Common Consolidated Corporate Tax Base (CCctb), një taksë që aplikohet aty ku realizohen fitimet nga ana e kompanive.

Por, që prej atëherë, nuk është folur më për këtë çështje, për shkak të kundërshtimeve nga ana e disa vendeve.

Burimi: Corriere della Sera

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of