Komisioni i Ekonomisë diskuton sot projektligjin e biokarburanteve dhe ndryshimet e parashikuara për to. Ministri i Financave Shkëlqim Cani prezanton gjatë fjalës së tij, ndryshimet e shumta që priten të miratohen për këtë kategori.
Një ndër pikat kryesore ishte të hiqen lehtësitë që i janë dhënë biokarburanteve, sipas ministrit Cani kanë humbur rëndësinë.
“Të hiqet rimbursimi i akscizës, si për importin ashtu edhe për prodhimin. Ne deri më sot nuk kemi importuar ndonjëherë karburant bio, mirëpo do të ofrojmë rimbursim për të gjithë karburantet që prodhohen në vend”, vijoi gjatë prezantimit të ndryshimeve ministri.
Ministri Cani gjithashtu bën të ditur se do mbështesim biokarburantet, por jo përmes mënyrës që parashikon ligji sot, por nëpërmjet krijimit të një ekofondit.
“Gjithashtu mbështetja e biodiezeli do realizohet përmes eko fondit, që do miratojmë më vonë me ligjin për energjinë e rinovueshme”, deklaroi Cani, duke theksuar se në dhjetor do diskutohet ligji i ri për energjinë.
“ Me FMN-në kemi rënë dakort që nuk do jenë taksat mënyra për të mbështetur produktet, por përmes paketave buxhetore”, vijon gjatë diskutimit ministri Cani.
Gjithashtu, gjatë takimit të sotëm, mësohet se ministri deklaroi se niveli i taksave nuk është domosdoshmërisht formë e paketës mbështetëse.
Në paketën fiskale 2014 u rishikuan të hiqen të gjitha lehtësitë fiskale në sektorin hidrokarbur (të shoqërive naftënxjerrëse), si dhe tani propozohet heqja e lehtësisë fiskale edhe në sektorin e biokarburanteve.
Mësohet se periudha 7-vjeçare, që nga 2008, e marrjes së kësaj lehtësie ka qenë më se e mjaftueshme në përfundimin e të gjitha investimeve në këtë sektor. Vetëm për vitin 2013, kjo lehtësi ka qënë në masën 1.2 miliardë lekë akcizë të rimbursuar për biokarburantet.
Mes deklaratave për miratimin e ndryshimeve në projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr.9876,datë 14.02.2008, “Për prodhimin, transportin dhe tregtimin e biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transportin”, të ndryshuar”, në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ekonomisë pati edhe diskutimeve mes ministrit të Financave dhe kryetarit të Komisionit Braçe. Ky i fundit, kërkoi nga ministri arsyen e rritjes së çmimit të duhanit, kur aksciza ende nuk është miratuar. Ministri nga ana tjetër argumentoi se duhet të hyjë në fuqi ligji që më pas të zbatohet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.