Komisioni i Ligjeve, sikurse edhe ai i Ekonomisë votuan projektligjin e Huamarrjes shtetërore pa autorizimin e Kuvendit, duke i dhënë “ok” kështu këtij pr.ligji, pas shumë diskutimeve të mëparshme.
Sipas ligjit të miratuar, qeveria ka të drejtë të marrë hua pa kaluar kërkesa në Kuvend.
Kreu i Komisionit, Erion Braçe, gjatë diskutimeve, ka deklaruar se qeveria nuk duhet të kalojë cakun, për të marrë borxh pa miratimin e Kuvendit.
“Qeveria mund të marrë hua deri në nivelin e vendosur me ligj për borxhin.Nëse tejkalohet niveli përcaktuar me ligj vendos vetëm Parlamenti. Ministria e Financave do të raportojë çdo tre muaj për borxhin e kreditë” tha Braçe.
Gjatë diskutimit të projektligjit për huamarrjen shtetërore në Komisionin e Ligjeve, deputetët e LSI, Braho dhe Vasili shprehën qëndrimin e tyre kundër tij.
“Ministria e Financave merr shumë autoritet.Parlamenti po kthehet në noter.Të mos vihemi nën presionin e qeverisë” deklaruan ata.
Ndërsa Ministri i Financave Cani është shprehur që në nisje, se ky projektligj synon të sjellë më shumë fleksibilitet në negocimin e kredive sidomos në tregun ndërkombëtar. Specifikisht kjo vlen për Eurobondin që qeveria synon të emetojë gjatë vitit që vjen. Ndryshimet e propozuara synojnë të përmirësojnë qartësinë ligjore në standardet e kërkuara nga tregjet ndërkombëtare, me qëllim që shtetit shqiptar t’i jepet një qasje në tregjet ndërkombëtare të parasë, duke synuar në uljen e kostos së huamarrjes shtetërore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.