Kompani shtetërore për rrugët me pagesë

17/10/2018 6:35 PM 0 komente
Foto ilustruese, rrugë

Qeveria është duke punuar me Bankën Botërore për krijimin e një ndërmarrje shtetërore që do të bëjë menaxhimin e rrugëve të cilat do të jenë me pagesë. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri tha se në të ardhmen rrugët të cilat do të ndërtohen me fondet e buxhetit të shtetit, por që për kalimin aty do të vendoset tarifë, nuk do të lejohet që mbledhja e taksës të bëhet nga kompanitë private, por nga një drejtori shtetërore.

Sqarimet kreu i Infrastrukturës i bëri gjatë prezantimit të projektit “Rruga Dixhitale”, aplikacion i cili do të ndihmojë për të denoncuar në kohë reale problemet që hasin qytetarët me infrastrukturën rrugore. Drejtorja për Shqipërinë e Bankës Botërore shpjegoi se përmes denoncimit me foto të një aksi rrugor problematik apo të një padrejtësie që i bëhet qytetarëve për shpronësimet, kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve dhe Autoriteti Rrugor do të reagojnë në kohë reale.

“Duam që të kemi një nivel të lartë të pjesëmarrjes së qytetarëve dhe të shpërndarjes së informacionit për problemet që ka infrastruktura rrugore. Kjo do të na ndihmojë të rritim transparencën dhe të luftojmë korrupsionin”.

Përmes këtij aplikacioni Autoriteti Rrugor do të monitorojë në kohë reale mënyrën se si do të zgjidhin problemin kompanitë që janë nënkontraktuar për të mirëmbajtur rrugët. Nëse denoncimi nuk do të zgjidhet, ose do të marrë më shumë kohë se duhet, firmave do t’iu hiqet kontrata e mirëmbajtjes.

Tv Klan

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of