Një ndër kompanitë më të mëdha të prodhimit dhe shpërndarjes së shërbimeve e mjeteve në fushën e naftës dhe gazit, KeruiPetroleum ka bërë të ditur se është e interesuar për mundësi investimi në Shqipëri, Bullgari dhe Maqedoni.
Kompania, aktualisht operon në Kroaci dhe Serbi, ndërsa pak ditë më parë bëri të ditur planin e hapjes së një dege në Rumani, me mbështetjen e një kompanie partnere lokale.
Menaxheri i përgjithshëm i kompanisë, DavidYang, përmes një interviste për SeeNews tregoi aspiratat për hapjen edhe në tregjet e tjera të Europës Juglindore, duke përfshirë edhe vendin tonë.
Kompania kineze ka mbi 8000 punonjës, në 4 departamente të ndryshme të biznesit dhe 6 fabrika të mëdha me një sipërfaqe totale prej 2 milion m2 në fushën më të madhe të naftës në Kinë, në Shengli. Gjithashtu, kjo kompani ka degë në 57 shtete dhe mbi 500 punonjës shërbimi në të gjithë botën. “ KeruiPetroleum” është themeluar në vitin 2001 dhe është i specializuar në kërkimin, projektimin dhe prodhimin e 9 serive të ndryshme të produkteve pajisjeje nafte, duke përfshirë edhe pajisjet e shpimit në det në hapur.
Pak kohë më parë, një tjetër kompani kineze, Geo-Jade Petroleum bleu Bankers Petroleum, koncesionarin më të madh të naftës në vend.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.