Kompania austriake OeSD, e cila vite më parë kishte fituar tenderin mbi 10 milionë eurosh për prodhimin e pasaportave të Kosovës, përpos që ka përfituar 5 milionë euro nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) me vendim të Gjykatës së Arbitrazhit në Paris, autoritetet vendore të njëjtës ia kanë falur hiç më pak se gjysmë milioni euro tatime të papaguara, shkruan sot Gazeta ‘Zëri’.
Gjykata e Arbitrazhit në Paris në vitin 2016 ka gjetur se Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës kishte bërë shkelje ligjore për shkak të vonesave në pagesa për tenderin milionësh të pasaportave, me ç’rast ishte detyruar nga Gjykata t’ia paguajë kompanisë austriake kompensimin milionësh.
Përndryshe, përfaqësuesit e kompanisë austriake OeSD vite më parë kanë qenë të përfshirë në skandalin më të madh që nga paslufta në Kosovë, i cili skandal ishte zbuluar në atë kohë nga gazeta “Zëri”.
Pas këtyre raportimeve të gazetës është zhvilluar një proces gjyqësor, ku si pjesë e këtij procesi Natali Velija, përfaqësuesja e OeSD-së, ishte dënuar me 12 vjet burg nga Gjykata Themelore e Prishtinës për veprat penale: “Krim i organizuar”, “Pastrim i parave” dhe “Mashtrim”. Më pas ky dënim nga Gjykata e Apelit i ishte ulur në 8 vjet burgim për dy vepra penale: “Mashtrim” dhe “Pastrim i parave”.
Gazeta “Zëri” ka siguruar listën e fundit të bizneseve që iu falën borxhet nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), në mesin e të cilave figuron edhe emri i kompanisë austriake OeSD.
Asaj iu falën rreth gjysmë milioni euro borxhe për aktivitetin e ushtruar në Kosovë përgjatë viteve 2009-2014 në emër të një vendimi të shtetit për faljen e borxheve.
Sipas listës së ATK-së, kompanisë austriake iu falën 205 mijë e 836 euro nga tatimi bazë, 130 mijë e 699 euro nga ndëshkimet dhe 118 mijë e 727 euro të tjera nga interesat. Në total vlera e borxheve që u falën arrin në 455 mijë e 387 euro.
/ZERI/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.