Edhe 17 vjet pas përfundimit të luftës shteti vazhdon të ballafaqohet me mungesë të theksuar të energjisë elektrike, por situata është përkeqësuar së fundmi kur në emër të punimeve në rrjet KEDS-i aplikonte reduktime të gjata të energjisë elektrike në gjithë vendin, shkruan gazeta “Zëri”.
Para pak ditësh Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) përmes një vendimi ka kërkuar nga KEDS-i t’i ndalë reduktimet, por këta të fundit edhe më tuje vazhdojnë të mos përfillin vendimet e autoriteteve kosovare. Të mërkurën Drenasi, Vushtrria, por edhe komuna më të vogla të Kosovës janë përballur me reduktime të energjisë elektrike, por në anën tjetër zyrtarë të KEDS-it mohojnë një gjë të tillë.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, thonë se kompania po respekton vendimin e ZRRE-së dhe nuk po aplikon reduktime.
Sipas tij, ndërprerjet që janë bërë të mërkurën janë raste emergjente, për arsye të sigurisë dhe të kërkuara nga të kontraktuarit.
Sipas tij, nga ana e KEDS-it nuk ka ndonjë ndalese tjetër të planifikuar.
“Konsumi është rreth 1000 megavate/orë në kohë piku. Nga prodhimi vendor i kemi rreth 820 megavate/orë (780 nga KEK-u dhe 40 nga hidrocentralet) dhe pjesa tjetër është import”, thotë Buzhala.
ZRRE-ja monitoron KEDS-in
Në anën tjetër, zyrtarë të ZRRE-së thonë se janë duke monitoruar KEDS-in se a është duke e zbatuar vendimin e tyre. Zëdhënësja e ZRRE-së, Adelina Murtezaj, ka thënë se Bordi i ZRRE-së ka kërkuar nga operatori i rrjetit të shpërndarjes (KEDS-i) që përkohësisht t’i ndalojë ndërprerjet e furnizimit me energji elektrike për qëllim të mirëmbajtjeve të planifikuara, përpos mirëmbajtjeve të domosdoshme të cilat mund të rrezikojnë sigurinë e furnizimit me energji elektrike. “Gjithashtu Bordi ka kërkuar nga stafi i ZRRE-së të vazhdojë monitorimin e KEDS-it në lidhje me këto çështje dhe ta njoftojë Bordin për mbarëvajtjen e procesit. Deri më tani Bordi nuk ka ndonjë informatë se KEDS-i nuk po respekton kërkesën e ZRRE-së dhe në rast se vërehet se operatori shkel ndonjë nga kushtet e licencës, atëherë mund të merren vendime siç është e përcaktuar me ligjet dhe rregullat në fuqi”, ka thënë ajo për gazetën “Zëri”.
Në anën tjetër, zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) thonë se KEK-u është duke prodhuar sipas planit, duke respektuar procedurat operuese dhe obligimet kontraktuale ndaj furnizuesit publik me përpikëri.
Zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli, thotë se sipas bilancit energjetik për vitin 2016 në këtë kohë KEK-u është duke operuar me gjithsej 4 njësi gjeneruese, 2 njësi të termocentralit “Kosova A” dhe 2 njësi të termocentralit “Kosova B”.
“Planifikimi i prodhimit për datën 29.11.2016 ka qenë 18720 MW, ndërsa realizimi i prodhimit ka qenë 18631 MW (neto për KESCO-n) që do të thotë se plani (në 24 orët e fundit) është realizuar 99,52% . E njëjta situatë e planifikimit dhe realizimit të prodhimit është edhe sot. Korporata Energjetike e Kosovës i ka bërë të gjitha përgatitjet që edhe gjatë sezonit dimëror të prodhohet energji elektrike konform bilancit energjetik të aprovuar”, ka thënë Bucolli për gazetën “Zëri”.
Gjendje alarmante në Vushtrri
Shemsi Preteni, zëdhënës i Komunës së Drenasit, i tha “Zërit” të mërkurën se gjendja në Vushtrri është alarmante. “Gjendja është katastrofale, sidomos po pësojnë rëndë bizneset. Një varg i bizneseve që gjendën për gjatë magjistrales janë ankuar edhe në Komunë, por megjithëse kryetari Bajram Mulaku ka biseduar për këtë çështje me të parin e KEDS-it, gjendja nuk është përmirësuar. Reduktimet zgjasin me orë të tëra. Nuk kursehen as qendrat e mjekësisë familjare e as spitali ‘Sheikh Zayed’. Duhet të intervenohet te autoritetet e KEDS-it për t’ia lëshuar rrymën spitalit dhe ambulancave. Kjo gjendje ka krijuar kaos. Fabrikat e shumta nuk po mund të punojnë, detyrohen që ta ndërpresin prodhimin. E gjithë kjo ka goditur edhe në ekonominë e komunës”, ka thënë Preteni.
Sipas tij, gjendje shumë më e rëndë është në fshatrat e komunës së Vushtrrisë. “Sa për njoftim të qytetarëve dua të them se Komuna dhe vetë kryetari Mulaku janë angazhuar vazhdimisht për ta zgjidhur këtë problem të madh. Kemi biseduar me autoritetet e KEDS-it, por megjithëse premtojnë se gjendjen do ta përmirësojnë, ajo bëhet edhe më e keqe”, ka thënë Preteni.
Gjendje e rëndë edhe në komunën e Drenasit
Gjendje e rëndë me mungesë të energjisë elektrike është në komunën e Drenasit. Të mërkurën mungesë të energjisë elektrike nga 4 orë kanë pasur Pokleku i Ri, Korrotica e Poshtme, Zabeli i Poshtëm, Zabeli i Epërm, Komorani, Gllobari, Tersteniku, Verbovci, Parku i Biznesit në Korroticë, Llapushniku, Orllati, Vuçaku, Negrovci, Gjurgjica, si dhe qyteti i Drenasit.
Bekim Dobra, zëdhënës i Komunës së Drenasit, tha se nga reduktimet janë goditur pos qytetarëve edhe bizneset e kësaj komune. Ai shtoi se shqetësimin e tij e ka shprehur edhe nënkryetari i Komunës, Arsim Haxhiu, i cili disa herë ka takuar zyrtarët e KEDS-it në Drenas, nga të cilët ka kërkuar që gjendja të përmirësohet.
“Bizneset dhe qytetarët kanë shprehur shqetësimet dhe ankesat e tyre tek Komuna. Ata kanë kërkuar nga autoritetet komunale që të bëjnë diçka dhe të merren vesh me KEDS-in për ta përmirësuar gjendjen me rrymë. Pas këtyre shqetësimeve të shprehura, të shumën nga ana e bizneseve, nënkryetari Haxhiu ka kërkuar sqarime për reduktimet që janë duke ndodhur tash e disa muaj në komunën e Drenasit nga ana e KEDS-it. Këta të fundit janë arsyetuar se reduktimet që janë duke ndodhur bëhen për shkak të projekteve që janë duke u realizuar në rrjetin e energjisë elektrike në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Nënkryetari Haxhiu ka kërkuar nga KEDS-i që kjo dukuri të eliminohet, pasi që reduktimet që po ndodhin janë në dëm të qytetarëve e sidomos të bizneseve”, tha mes tjerash Bekim Dobra, zëdhënës i Komunës së Drenasit.
Pak më mirë sa u përket reduktimeve të energjisë elektrike është në Mitrovicë dhe në Skenderaj. Ndonëse ka reduktime në fshatra, në qytetin e Mitrovicës dhe atë të Skenderajt reduktimet janë më të rralla dhe më të shkurtra. Por, megjithëse gjendja duket të jetë përmirësuar sa i përket furnizimit me energji elektrike, në Skenderaj bizneset edhe më tutje ankohen se për shkak të rrymës nuk mund të zhvillojnë biznesin siç duhet. Ata thonë se mungesa e rrymës pengon afarizmin e bizneseve të tyre dhe zhvillimin e bizneseve. / Zeri
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.