Të dhënat paraprake të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve për vitin 2013 zbulojnë një tendencë, që po konstatohet për herë të parë në dekadën e fundit, rënien e shifrës së afarizmit për të punësuar (produktivitetit), në një kohë që punësimi dhe prodhimi i përgjithshëm është rritur.
Sipas INSTAT, “Rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve, shprehin se shifra e afarizmit për të punësuar, për vitin 2013 ka pësuar rënie me 2,6%, si rezultat i rritjes së numrit të punësuarve (9,0 %) me një ritëm më të lartë sesa shifra e afarizmit (6.2 %)”.
Në prodhuesit e të mirave, Shifra e afarizmit për të punësuar është ulur 2,2 % krahasuar me vitin 2012. Në sektorin e industrisë shifra e afarizmit për të punësuar është ulur 3,4 %, ndërsa në sektorin e ndërtimit ky tregues u rrit 1,8 %.
Vetëm industria nxjerrëse rezulton me një rritje të lartë të produktivitetit për të punësuar në 2013-n, por kjo i dedikohet më së shumti konjukturës së favorshme të çmimeve vitin e kaluar, ndërsa këtë vit prirja vlerësohet të ndryshojë, si rrjedhojë e rënies së çmimeve të naftës apo produkteve të tjera.
Sipas INSTAT, në prodhuesit e shërbimeve, Shifra e afarizmit për të punësuar është ulur 3,1 % krahasuar me vitin 2012. Në sektorin e transportit dhe komunikacionit paraqitet rënia më e madhe e këtij treguesi me 7,8 % krahasuar me një vit më parë.
Ulja e produktivitetit (shifrës së afarizimit për të punësuar) në pamje të parë duket një dukuri negative, për shkak se ajo e bën ekonominë tonë më pak konkurruese.
Në fakt, kjo prirje, që po konstatohet nga INSTAT për herë të parë, duket se po reflekton përpjekjet e ekonomisë për të ndryshuar, e imponuar nga reduktimi i burimeve të financimit (mungesa e kreditimit, rënien e remitancave, frenimin e parave të dyshimta), që po i detyron kompanitë të investojnë më pak në teknologji.
Në mënyrë të natyrshme, kompanitë po përpiqen të gjejnë burime të tjera rritjeje, duke u orientuar vetë drejt një modeli të ri ekonomik, aq shumë të debatuar së fundmi.
A është kjo një dukuri pozitive apo negative, kjo mbetet për t’u parë? Sektorët që po gjenerojnë rritje të punësimit tashmë nuk janë më financat apo telekomunikacionet (që dikur ishin dhe promotorët e investimeve në teknologji), por industritë me kapital intensiv pune. Shembulli më i qartë është industria përpunuese (kryesisht tekstile e këpuce, që punojnë me material porositësi, apo dhe call center), të cilat sipas anketës së fundit të INSTAT kanë rritur punësimin me 22% me bazë vjetore në fund të shtatorit 2014. Këto janë industri që si avantazh kryesor konkurrues kanë krahun e lirë të punës.
A është ky një kthim mbrapa? Të paktën në afatin e shkurtër, ky ndryshim modeli, të paktën po ndikon në lehtësimin e tensioneve sociale në vend, duke punësuar një shtresë relativisht të varfër të ekonomisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.