Të gjitha shoqëritë publike me kapital tërësisht shtetëror duhet të hartojnë programe zhvillimi sipas një udhëzimi të fundit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Sipas udhëzimit, hartimi i programeve të zhvillimit ekonomik të këtyre shoqërive bëhet për periudha 1-vjeçare, afatmesme dhe afatgjata, në përputhje me objektivat e caktuar nga organet drejtuese të tyre.
Hartimi i programeve të zhvillimit ekonomik mbështetet në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik e Social, në strategjitë sektoriale përkatëse, si dhe në aktet ligjore e nënligjore në fuqi.
Programi i zhvillimit, në shoqëritë ku shteti zotëron mbi 50 për qind të paketës së aksioneve, miratohet paraprakisht nga këshilli mbikëqyrës, i cili ia paraqet për miratim përfundimtar asamblesë së përgjithshme të aksionarëve të shoqërisë.
Programet e zhvillimit ekonomik, në shoqëritë ku shteti zotëron nën 50 për qind të paketës së aksioneve, shqyrtohen dhe miratohen nga asambleja e përgjithshme e aksionarëve. Përfaqësuesi i autorizuar i aksionarit shtetëror në mbledhjen e asamblesë, shpreh qëndrimin zyrtar përkatës të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Sipas udhëzimit, programet e zhvillimit ekonomik të shoqërive me kapital shtetëror miratohen përfundimisht nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, me cilësinë e pronarit të pronës shtetërore.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, brenda datës 30 shtator të çdo viti, u dërgon shoqërive udhëzimin metodik me treguesit kryesorë që duhet të përmbajë hartimi i programit të zhvillimit ekonomik për vitin pasardhës.