Lobimi i korporatave mund të ketë më shumë rëndësi se ndotja e një kompanie
Sot, pjesa më e madhe e kompanive publikojnë ndikimin në mjedis të veprimeve të tyre, edhe kur ai nuk kërkohet me ligj. Por, politikat klimatike të kompanive dhe se sa fort kompanitë luftojnë për to, mund të kenë ndikim edhe më të madh se sa emetimet e dioksidit të karbonit.
Një raport i ri ka gjetur një mënyrë për të vlerësuar se cilat janë kompanitë që mbështesin ose jo politikat që do të reduktonin ndotjen.
Analistët po përpiqen të thjeshtëzojnë një problem të ndërlikuar. Njerëzit dhe kompanitë me ndikim dhe fuqi kanë më shumë pushtet se individët e tjerë të ndryshojnë politikat publike. Kjo fuqi është e vështirë të përcaktohet. Njerëzit ose institucionet “kanë” ose “mbajnë” pushtetin, por jo si në rastin kur kanë në dorë objekte fizike, si për shembull lapsa apo ëmbëlsira. Fuqia mund “të rrjedhë” larg nga këta persona dhe përtej atyre personave, por jo në mënyrën që hidrologët llogarisin vëllimin e lëvizjes së një lumi.
Raporti, Corporate Carbon Policy Footprint, mbështetet në tre kritere kryesorë për të vlerësuar se si veprojnë kompanitë në sferën publike. I pari, nëse politika dhe sjellja e një kompanie janë në përputhje – ose kundër – me Marrëveshjen e Parisit, marrëveshje ndërkombëtare për të ngadalësuar ndryshimet klimatike, e nënshkruar nga të gjitha shtetet, përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Rezultati i “intensitetit të angazhimit” reflekton përpjekjet e një kompanie në mbështetje të pozicionit të saj.
Kriteri i fundit supozon se ndikimi politik ndjek shkallën ekonomike dhe është një burim të ardhurash, fitimesh, kapitalizimit të tregut dhe pronësisë.
Rezultati përfundimtar i Carbon Policy Footprint bën bashkë gjithë këto informacione në një databazë të vetme, në mënyrë që të dhënat e kompanive të krahasohen më lehtë me njëra-tjetrën. Gjatë hulumtimit të tyre, studiuesit mblodhën më shumë se 30.000 “dëshmi” në lidhje me 250 kompani dhe 50 shoqata tregtare, ndër to dokumente lobimi, reklamimi, relacione publike dhe kërkime të sponsorizuara.
Nga 50 kompanitë me rezultate ekstreme, 35 e kundërshtojnë në mënyrë aktive politikën e klimës ndërsa 15 e nxisin vazhdimisht. Studiuesit vërejnë se pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Parisit në dhjetor të vitit 2015 është rritur angazhimi i kompanive në debatet publike në lidhje me politikën klimatike.
Burimi: Bloomberg