Nën juridiksionin e Ministrisë së Ekonomisë së Serbisë mbeten 174 kompani, por vetëm pak prej tyre janë tërheqëse për privatizim. Deri në fund të vitit, 13 prej tyre do të nxirren në shitje, ku midis tyre janë edhe kompanitë e “Lasta” dhe “Luka Novi Sad”. Në raundin tjetër të privatizimeve, ekspertët përllogarisin se llixhat dhe kompanitë publike do të nxirren në shitje.
Ministria e Ekonomisë shpjegon se mes subjekteve të rëndësishme që do të nxirren në shitje janë “Galenika”, RTB “Bor Group”, “PKB Corporation”, “Petrohemija”, “Simpo” dhe “Slavija hotels”. Qeverisë do t’i duhet të negociojë me të vetmen komani që mbeti në garë për partneritetin strategjik, me “Galenika”. Firma që ka mbetur në garë është konsorciumi britanik-rus, “Frontier-Petrovaks”.
Qeveria do të marrë një vendim final mbi ‘Galenika’ pasi të ketë përfunduar negociatat dhe të kenë përcaktuar nëse partneri strategjik është i duhuri apo jo,- ka shpjeguar ministria. Privatizimi i sipërmarrjeve publike duhet të trajtohet me kujdes të veçantë. Vendimi final paraprihet nga një analizë e detajuar e aspekteve negative dhe pozitive. Të gjitha kompanitë në portofolin e privatizimit veprojnë sipas kushteve të tregut dhe duhet të shlyejnë detyrimet ndaj tregut. Gjithashtu, përveç ‘Resavica’, asnjë prej kompanive nuk merr ndihmë nga shteti.
Ekonomistët, gjithsesi, nuk presin të ardhura domethënëse nga kompanitë të cilat për vite kanë shijuar mbrojtjen nga shteti. Të gjitha kompanitë që kanë qenë në proces ristrukturimi, vështirë se i blen njeri, madje edhe nëse ato jepen falas, tha Ljubomir Madzar, profesor në Fakultetin e Ekonomisë. Këto kompani kanë shumë borxhe. Kompanitë nuk përbëhen vetëm nga ndërtesat dhe pajisjet, por edhe nga bilanci. Nëse borxhet janë më të mëdha se aktive, atëherë këto janë sipërmarrje problematike.
Vitin e shkuar, duke zgjedhur një konsulencë për shitjet, filloi përgatitja serioze për privatizimin e llixhave. Dhjetë prej tyre janë në portofolin e Ministrisë. Bazuar në propozimin e përbashkët të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Punës, Punësimit, Çështjeve Sociale dhe të Veteranëve, është në plan privatizimi i tri prej tyre “Gejzer”, “Vranjske Banje” dhe “Bujanovac”. Gjithsesi, të gjitha kanë mosmarrëveshje. Fondet e pensionit dhe shteti duhet të vendosin në gjykatë se çfarë pjese e shumës i takon secilës, kështu që nuk do të ketë shitje pa u vendosur një marrëveshje midis tyre.
Llixhat mund të jenë të parat që do të shiten pasi procesi i shitjes së tyre nuk ka ndonjë ndikim të madh në standardin e jetesës së qytetarëve, tha profesori Madzar. Ai shtoi se shitja e sipërmarrjes energjetike serbe e ka emocionuar për një kohë të gjatë, por ai nuk e beson se kjo do të ndodhë në një të ardhme të afërt.
Shitja e tyre do të përkthehej në rritjen e çmimit të energjisë, gjë e cila nuk është e favorshme për asnjë politikan,- tha Madzar.
Herën e fundit kur u ndryshua ligji mbi privatizimin ishin një total prej 526 kompanish të cilat punësonin 90,000 punëtorë dhe nuk kishin pronarë privatë. Që atëherë, 236 kompani kanë hyrë në procedurën e falimentimit, 71 në procedurën e shitjes dhe 43 janë ndihmuar (nxitur) nga shteti. Në 174 kompanitë e pashitura punojnë 53,000 njerëz.
Nga 500, 174 sipërmarrje kanë mbetur nën juridiksionin e Ministrisë. Agjencia, e cila cakton administratoret përgjegjës për procesin e likuidimit, liston rreth 700 kompani, si dhe pritet që numri i tyre të rritet në vitet e ardhshme.
Falimentimi është mënyra më e mirë që këto kompani të kenë një pronar të ri,- tha Dragan Stevanovic, sekretar i Shtetit për Ministrinë e Ekonomisë.