Shumë shpejt, në treg, investitorët do të gjejnë obligacione të cilat, nga njëra anë ofrojnë norma interesi të krahasueshme me ato të kredive dhe disa herë më të larta sesa normat aktuale të depozitave dhe, nga ana tjetër, ofrojnë mbrojtje të ngjashme me mbrojtjen që bankat kërkojnë kur japin kredi/ Flet Blodin Çuçi, administrator i shoqërisë “Caesar Investment Advisory”
Zhvillimi i tregut të kapitalit kërkon angazhim të të gjitha palëve. Rritja e besimit, njohja e produkteve dhe edukimi financiar do të përkthehet në rritje të bazës së investitorëve. Të paktën kështu mendon Blodin Çuçi, administrator i shoqërisë “Caesar Investment Advisory”, kompani e cila jep konsulencë në fushën e investimeve në tregjet financiare. Sipas tij, një segment që shfaq interes sot është investimi në instrumente të borxhit të garantuar nëpërmjet kolateralit.
“Disa nga korporatat më të mëdha dhe të shëndosha në vend duke u paraprirë zhvillimeve në tregjet financiare, po përgatiten të emetojnë obligacione të kolateralizuara, duke u ofruar investitorëve një shkallë më të lartë mbrojtje të kapitalit të tyre. Shumë shpejt, në treg, investitorët do të gjejnë obligacione të cilat, nga njëra anë ofrojnë norma interesi të krahasueshme me ato të kredive dhe disa herë më të larta sesa normat aktuale të depozitave dhe, nga ana tjetër, ofrojnë mbrojtje të ngjashme me mbrojtjen që bankat kërkojnë kur japin kredi”, – shprehet Çuçi për “Monitor”.
Si e konsideroni stadin aktual të tregut të kapitalit në vend në këndvështrimin e zhvillimit, kuadrit rregullator?
Ndonëse në vitet e fundit vihet re rritja e numrit të pjesëmarrësve në tregun e kapitaleve në vend dhe rrjedhimisht shtimi i numrit të produkteve të ofruara, ky treg po has ende vështirësi për të dalë nga faza embrionale e zhvillimit në të cilin ndodhet. Në këndvështrimin e instrumenteve, tregu i kapitalit në vend ofron zgjedhje shumë të kufizuara ku, tregu i instrumenteve me të ardhura fikse është përqendruar në ankandet primare të bonove të thesarit dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare, ndërsa tregu i aksioneve nuk ekziston ende.
Obligacionet e emetuara nga entet lokale gjithashtu mungojnë tërësisht në tregun financiar, duke kufizuar burimet financiare të bashkive në vend dhe duke i privuar ato nga një burim i vyer i financimit të projekteve me përfitim të ndjeshëm nga taksapaguesit.
Në treg janë shfaqur edhe emetimet e para të obligacioneve korporative me ofertë private, por ato janë ende të pakta në numër dhe madhësi në krahasim me potencialin që ky treg ofron për kompanitë emetuese dhe për investitorët. Gjithsesi, kjo nyje e tregut pritet të jetë më dinamikja në vitet në vijim, pasi disa nga korporatat e shëndosha shqiptare kanë krijuar infrastrukturën e nevojshme për të emetuar duke krijuar standarde të qëndrueshme të monitorimit dhe raportimit financiar, si dhe kanë zbatuar parime ndërkombëtare të mirëqeverisjes korporative.
Të shumtë janë faktorët që ndikojnë në frenimin e zhvillimit të tregjeve të kapitalit. Nga njëra anë, mungesa e tregut sekondar të tregtimit të letrave me vlerë i ekspozon investitorët në kosto të rritura në rast të shitjes së parakohshme të investimeve të tyre, çka frenon investimet afatgjata në letra me vlerë dhe sjell mungesë likuiditeti në treg. Nga ana tjetër, informaliteti i kompanive, mungesa e transparencës në raportime dhe standardet e munguara të mirëqeverisjes pengojnë aksesin në tregun e obligacioneve dhe aksioneve.
Së fundmi, edhe vullneti politik nuk i ka favorizuar deri tani politikat e emetimeve të obligacioneve të enteve lokale si një alternativë financimi e cila, përveç aksesit të një burimi alternativ financimesh për entet lokale do të sillte rritje të transparencës së administrimit me një rritje të eficencës së përdorimit të fondeve.
Zhvillimi i mëtejshëm i instrumenteve të ofruar në treg dhe sidomos stimulimi i emetimeve të obligacioneve të enteve lokale dhe korporatave të shëndosha private do t’i jepte hov të rëndësishëm zhvillimit të tregjeve të kapitalit në vend. Duhet theksuar se stimulimi i zhvillimit të këtyre instrumenteve të borxhit do të zgjeronte edhe strategjitë e investimit të investitorëve, si dhe strategjitë e fondeve të investimit dhe fondeve të pensionit që operojnë në treg, duke kontribuar në diversifikimin e burimeve të rrezikut dhe thellimin e tregut financiar.
Në shumë aspekte, kjo fazë embrionale e tregut të kapitaleve ofron edhe potenciale të shumta zhvillimi. Gjithsesi, ky zhvillim duhet të jetë i qëndrueshëm dhe afatgjatë, sidomos duke balancuar dhe duke monitoruar rreziqet me të cilat ballafaqohet investitori. Këtu, rol të rëndësishëm ka luajtur rregullatori i tregjeve financiare, i cili në vitin e fundit është treguar shumë proaktiv në zgjerimin e bazës legjislative, plotësimin e kuadrit rregullativ, rritjen e monitorimit dhe rritjen e kërkesave mbi shkallën e transparencës drejt publikut të kompanive të investimit.
Ndonëse Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka ndërmarrë një sërë hapash drejt plotësimit të kuadrit aktual rregullator mbetet ende shumë për t’u bërë në aspektin e zhvillimit të besimit të publikut. Rritja dhe zhvillimi i besimit të publikut, në radhë të parë duhet të vijë me anë të rregullave strikte mbi njohjen e publikut me produktin financiar dhe rreziqet e tij. Së bashku me monitorimin strikt nga autoriteti, vetëm transparenca e plotë mbi rrezikun dhe theksi mbi të do të sjellë zhvillim të shëndoshë të tregjeve financiare dhe tregjeve të kapitalit dhe do të zhvillojë besimin e publikut.
Cili është segmenti që shfaq më shumë interes në këtë treg në kuptimin e investimeve dhe potencialit?
Në përgjithësi, në fushën e investimeve, segmenti më interesant konsiderohet ai segment i cili gjeneron një normë interesi të balancuar përkundrejt rrezikut. Asnjë investitor nuk do të donte të merrte premtimin për një normë interesi ose kthim më të lartë nga investimi, duke rrezikuar në mënyrë jo të balancuar kapitalin e tij. Thënë ndryshe, në kushtet dhe fazën aktuale të zhvillimit të tregut të kapitaleve në vend, potencialin më të madh e ofrojnë instrumentet financiarë (obligacione ose aksione) të emetuara nga ente publike ose korporata të shëndosha private.
Një segment që shfaq interes në kuptimin e potencialit të të ardhurave është investimi në instrumenteve të borxhit korporativ të garantuar nëpërmjet kolateralit.
Disa nga korporatat më të mëdha dhe të shëndosha në vend, duke u paraprirë këtyre zhvillimeve, po përgatiten të emetojnë obligacione të kolateralizuara, duke u ofruar investitorëve një shkallë më të lartë mbrojtje të kapitalit të tyre. Shumë shpejt, në treg investitorët do të gjejnë obligacione të cilat nga njëra anë, ofrojnë norma interesi të krahasueshme me ato të kredive dhe disa herë më të larta sesa normat e depozitave. Nga ana tjetër ofrojnë mbrojtje të ngjashme me mbrojtjen që bankat kërkojnë kur japin kredi.
Alternativat e investimit
Shumë shpejt, në treg investitorët do të gjejnë obligacione të cilat nga njëra anë, ofrojnë norma interesi të krahasueshme me ato të kredive dhe disa herë më të larta sesa normat e depozitave. Nga ana tjetër ofrojnë mbrojtje të ngjashme me mbrojtjen që bankat kërkojnë kur japin kredi.
A rrezikojmë të kemi një treg të përqendruar financiar duke qenë se edhe në tregun e kapitalit, një rol domethënës po luajnë bankat e nivelit të dytë?
Një zhvillim i qëndrueshëm i tregjeve financiare kërkon institucione të shëndosha. Në kushtet në të cilat ndodhet tregu financiar shqiptar ndoshta institucionet më të përshtatshme për të hyrë të parët dhe për të zhvilluar këtë treg janë pikërisht institucionet më të shëndosha financiare në vend, ose bankat e nivelit të dytë. Janë pikërisht bankat e nivelit të dytë të cilat brenda kuadrit aktual rregullativ janë institucionet më të monitoruara në vend dhe në këtë këndvështrim, pjesëmarrja e tyre në tregjet financiare do të ishte domosdoshmëri dhe një vlerë e shtuar për të dhënë besimin e duhur te publiku.
Për më tepër, janë pikërisht bankat e nivelit të dytë, të cilat janë kandidatët e parë natyralë, të cilat kanë edhe mjetet financiare të nevojshme për të investuar në infrastrukturën komplekse të administrimit dhe investimit të fondeve për llogari të investitorëve.
Duhet theksuar se edhe në shtetet me tregje financiare të zhvilluara janë pikërisht këto institucione të cilat dominojnë shërbimet e investimeve. Roli i këtyre institucioneve është kyç, sidomos në ofrimin e shërbimeve të treg-bërësit (market maker) me përfitime të drejtpërdrejta në zhvillimin e tregut sekondar.
Në këtë aspekt, sfida e vërtetë e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe e Bankës së Shqipërisë do të jetë aplikimi i standardeve të ndarjes së funksioneve në bankat e nivelit të dytë si dhe krijimi brenda tyre i funksioneve të segreguara dhe mbrojtura të bankingut të investimeve (investment banking), bankingut privat (private banking) si dhe monitorimi i këtyre fushave të reja të shërbimit që do të ofrohen për korporatat (shërbimet e emetimit – bankingu i investimeve) dhe investitorët (shërbimi i investimit – bankingu privat) duke vënë theksin te mbrojtja e investitorëve.
Sfida
Sfida e vërtetë e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe e Bankës së Shqipërisë do të jetë aplikimi i standardeve të ndarjes së funksioneve në bankat e nivelit të dytë si dhe krijimi brenda tyre i funksioneve të segreguara dhe mbrojtura të bankingut të investimeve (investment banking), bankingut privat (private banking) si dhe monitorimi i këtyre fushave të reja të shërbimit që do të ofrohen për korporatat (shërbimet e emetimit – bankingu i investimeve) dhe investitorët (shërbimi i investimit – bankingu privat) duke vënë theksin te mbrojtja e investitorëve.
Ka një theks të vazhdueshëm për tregun sekondar që cilësohet si i munguar? Çfarë duhet bërë për nxitjen e tij?
Në kushtet aktuale, tregu sekondar në Shqipëri mund të cilësohet vërtet si i munguar. Ndonëse institucionet shqiptare, Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, kanë ndërmarrë një sërë masash me qëllim stimulimin e tregut sekondar, problematika të ndryshme kanë penguar zhvillimin e tij.
Tregu sekondar, ndër të tjera, përveç infrastrukturës dhe bazës rregullative, kërkon dhe një bazë të gjerë dhe të diversifikuar investitorësh privatë dhe institucionalë. Sigurisht që Bursa Shqiptare dhe infrastruktura e tregtimit dhe shlyerjes që po krijon do të kontribuojë në zgjerimin e bazës së investitorëve privatë dhe institucionalë, por përpjekjet e saj, e vetme, nuk mjaftojnë për të zhvilluar me sukses tregun sekondar.
Autoritetet duhet të stimulojnë zgjerimin e bazës së investitorëve institucionalë dhe privatë dhe t’i inkurajojnë ata të jenë pjesë aktive e tregjeve financiare.
Për më tepër, krijimi i një baze të gjerë investitorësh, të cilët diferencohen në preferencat e tyre ndaj rrezikut, si dhe pritjet e tyre për ecurinë e ndryshme të çmimeve të instrumenteve të tregtuara rezulton në një eficencë më të lartë të çmimeve në tregun sekondar, si dhe redukton mundësinë e goditjeve që përndryshe do të mund të destabilizonin tregjet. Ky stabilitet mbështet edhe lindjen e funksioneve të treg-bërësit, duke krijuar një spirale mbështetëse në zhvillimin e tregjeve sekondare dhe përmirësim në likuiditetin e instrumenteve të tregtuara në to.
Zgjerimi i bazës së investitorëve gjithsesi është një proces shumëdimensional, i cili kërkon bashkërendimin e politikave në mënyrë të njëkohshme. Përveç krijimit të logjistikës së nevojshme si nga ana rregullative, ashtu dhe nga ana e teknologjisë së informacionit thelbësore është dhe rritja e besimit të publikut.
Stimulimi i zgjerimit të bazës së investitorëve, përveç rritjes së besimit të publikut, mund të arrihet gjithashtu duke krijuar lehtësi fiskale për ta. Reduktimi, për shembull, i normës së tatimit nga interesat e perceptuara nga investimi në instrumente financiarë, përfshirë obligacionet qeveritare, obligacione të enteve lokale dhe obligacionet korporative do të jepte stimul të rëndësishëm në zgjerimin e bazës së investitorëve, do të sillte zhvillimin e tregjeve sekondare dhe zgjerimin e tregjeve financiare në përgjithësi.
Ndonëse ky lehtësim fiskal, i cili përfshin edhe instrumentet bankarë, kryesisht depozitat bankare, duke krijuar një fushë konkurrencë të barabartë për instrumentet financiarë në treg, do të krijonte në afat të shkurtër kosto për buxhetin, në afat të mesëm dhe afat të gjatë benefitet ekonomike në tërësi, si rrjedhojë e zhvillimit dhe zgjerimit të tregjeve financiare, do të ishin disa herë më të mëdha.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
per mendimin tim ky artikull duhet te diskutohet ne nje nga stacionet tv pasi , ka nevoje per hapje diskutimi dhe ne publik.